RMV, Qeveria takim me KSHZ-në: Gati për realizimin e zgjedhjeve

Qeveria e Maqedonisë së Veriut zhvilloi sot takim me anëtarët e Komisionit Shtetëror për Zgjedhje (KSHZ) për përgatitjen e procedurave për mbajtjen e zgjedhjeve, që pritet të mbahen më 15 korrik, pas mbarimit të gjendjes së jashtëzakonshme dhe marrëveshjes ndërmjet liderëve, transmeton Portalb.mk. Qeveria pret që KSHZ-ja t’i aktivizojë veprimet zgjedhore.

Në ekipin e Qeverisë mori pjesë kryeministri teknik, Oliver Spasovski, ministrja e drejtësisë dhe ai shëndetësisë, Renata Deskoska dhe Venko Filipçe, si dhe sekretari i përgjithshëm në Qeveri, Dragi Rashkovski. Qeveria shprehu gatishmërinë për përmbushjen e gjitha obligimeve në lidhje me realizimin e zgjedhjeve.

“Në mbledhje nuk mori pjesë kryetari i KSHZ-së Oliver Derkovski, edhe pse mbledhja është organizuar në bazë të letrës së tij në të cilën ai, në emër të Komisionit kërkoi mbledhje në Qeveri, dhe ajo u mbajt me anëtarët tjerë të KSHZ-së të udhëhequr nga nënkryetarja Ditmire Shehu”, qëndron në kumtesë.

Shehu, sipas Qeverisë, informoi se me shumicën e anëtarëve të KSHZ-së do të iniciojë mbledhje ku do të thirret në konkluzionin e 22 marsit ku theksohet se “gjitha veprimet zgjedhore të cilat janë ndërmarrë sipas dispozitave të Kodit Zgjedhor deri më 22 mars të vitit 2020 vlerësohen si valide dhe se të gjitha veprimet tjera të cilat dalin nga Kodi Zgjedhor do të parashihen në rregulloren e shqyrtuar të cilën KSHZ do ta sjellë menjëherë pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe sjelljes së dekretit të ri të Qeverisë për procesin zgjedhor”.

Ndryshe, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev dhe ai i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, sot kanë arritur marrëveshje për datën e zgjedhjeve. Këtë e ka konfirmuar sot Zaev në konferencë për media, ku tha se 15 korriku do të jetë data përfundimtare për mbajtje të zgjedhjeve. Ai tha se për këtë ka biseduar me liderin opozitar dhe i njëjti i ka konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhje më 15 korrik.

Kjo marrëveshje është përshëndetur edhe nga Stevo Pendarovski, presidenti i Maqedonisë së Veriut, duke shpresuar në zgjedhje fer dhe demokratike.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button