QUFLI GJUNGSHI

O Gjin! Gjinooo! bërtet lajmësi i fshatit Thanëz – Marin Drenthi dhe troket tak, tak, tak në derën e madhe të kullës së Gjin Gurabardhit. Ohoja! përgjigjet një zë burri i cili sapo e zgjati kokën ga frëngjia dhe shton: o urdhro burrë, dera e Gjinit është gjithmonë e hapur për miq. Pastaj e mbyll dritaren dhe niset shkallëve teposhtë, të shohë se kush po e thërret. Te dera qëndron lajmësi i fshatit, me cigare në njërën dorë, kurse në tjetrën mban një letër.

Mirë se erdhe Marin, hajde ta pimë një kafe! e fton Gjin Gurabardhi lajmësin. Nuk kam kohë, thotë Marini. Kam edhe letra të tjera të shpërndaj. Hajde, hajde… Ti Marin e di se nga kjo kullë nuk kthehet njeri pa e pi një kafe, e pret Gjini… Marini hesht. Epo, ç’e hairit të solli o Marin? E theu akullin Gjini. Marinit sikur i merret zëri, i lidhet në fyt çdo tingull: këtë letër, thotë me vështirësi, me një zë çuditërisht të shterur e madje edhe të holluar, këtë letër po ta çon kajmekami, o Gjin. Marini i shkretë do menjëherë të largohet. Prit pak, o Marin. Prit se dua ta lexoj para teje se çka shkruan, thotë Gjini dhe nis ta lexojë me zë:

Merhaba o Gjin Gurabardhi? Si të kemi? Ishalla kjo letër të gjen shëndosh e mirë ashtu si na e do zemra neve. Ne gjithmonë ta kemi dashur të mirën, ta duam edhe tash, po tash o Gjin Gurabardhi ka ardhur një selam prej Dovletit me myhyrin e vet babës sulltan dhe kërkojnë prej teje si njeri i arsyeshëm që je të kthehesh në dinin e vërtetë, të bëhesh turk, vëlla. Kështu do të fitosh disa të mira: do ta bësh një jetë më të mirë ti, me gjithë pesë fëmijët e tu, do të bëhesh bajraktar i kësaj nahije dhe, çfarë është më me rëndësi, edhe xhehnetin do ta fitosh. Përndryshe do të mbetesh tërë jetën si një dyqanxhi i vockël e madje-madje mund të mbetesh edhe pa të, sepse mund të hidhërohet mileti që ti nuk nënshtrohesh urdhit të babës sulltan. Shumë selam – kajmekami Saddudin.

Ndërkohë Marini e dëgjon Gjinin si i shtangur. Gjini e ndrydh, pastaj, letrën në dorën e tij të madhe dhe i drejtohet lajmësit: Epo, Marin do të duhet të vish me mua në kullë se porosisë me letër edhe përgjigjen duhet t’ia jap me letër. Hyjnë të dytë në kullë, në dhomën e miqve, Gjini përpara, Marini pas tij. Ulen njëri në njërën anë të oxhakut, tjetri në anën tjetër. Ageja, e shoqja e Gjinit, pasi e pret mysafirin, menjëherë shkon dhe sjell një bokall raki me dy gota. Pastaj largohet t’i pjekë kafetë, por edhe t’i lërë burrat të flasin vetë se meqë u vonuan te dera e madhe diçka do të ketë ndodhur. Gjini  ngrihet, e merr ngjyrën dhe një pendë palloi te takëmi që e mban në dollapin në anën e djathtë të oxhakut dhe në tavolinën e vogël prej drurit të arrës  që e mban aty pranë, e shkroi këtë letër:

Jungjatjeta kajmakam efendi. Zoti ju ruajt juve dhe ju dhashtë njëqind vjet jetë e ju hair bëfshit që ma mendoni të mirën e kujdeseni për mua. E pashë se ju e kishit me seriozitet të madh atë propozim, por po më vjen keq se më duhet t’ju refuzoj. Kajmekam efendi, e di se nuk do ta kem lehtë që po e marr guximin të them se nuk mund të pajtohem me Ju, por më duhet të them se nuk mund të heq dorë nga të parët e mi që e ngritën këtë kullë dhe në të e skalitën në ballë të oxhakut shqiponjën dykrenare, me emrin e moçëm të Gurabardhëve të cilët mbahen në mend njëzet breza për finikëri. Nuk mund të heq dorë nga gjuha shqipe që e kam mësuar nga nëna ime dhe s’mund t’i harroj varret e prindërve e gjyshërve të mi. Besa  nuk mund të lejoj që mbi këto varre të mos çoj ndonjë lule si e do zakoni ynë i lashtë dhe s’mund të lejoj që ato të rrafshohen e t’i gllabërojë harresa. Të fala nga Gjin Gurabardhi i Thanëzës.

Pastaj Gjini e palon letrën dhe ia jep Martinit. Urdhëro Martin, ia çon përgjigjen kajmekamit. Po prit pak. Gjini e di se Ageja nuk lejon që mysafiri të dalë prej shtëpie pa hëngër drekë, si e do zakoni. Martini nuk mundet ta refuzojë bukën e krypën e të zotit të shtëpisë. Pas dreke, sapo i sjell kafetë Ageja, Gjini i drejtohet asaj dhe i tregon fije e për pe për letrën që po ia dërgonte kajmekami dhe për përgjigjen që po ia çonte i shoqi kajmekamit. S’paska pasur hall më të madh për burrin se belaja që na e solli kjo letër, shton Gjini. Ndërkaq Marini vetëm lëviz nga sikleti.

E shkreta Age, si Gjini që e ndrydhi letrën, ashtu i ndrydh ajo fjalët dhe s’i lë të dalin goje me gjithë forcën e madhe të emocioneve që i shtyjnë fjalët të shpërthejnë. Nuk e kupton ajo se si ishte e mundur që në mënyrë aq lezhere, pa i hëngër palla, kajmekamziu po u çonte letër me kërkesë ta ndërrojnë identitetin dhe në atë lezheritet Ageja shihte kërcënim të paparë, plot arrogancë e dhunë. Prej nesh, po kërkojnë të tjetërsohemi menjëherë, të tëhuajsohemi, mendon ajo. Sot këndojmë këngët Moj e mira,  nesër do të duhet të këndojmë Gyzelim. Si u bëka kjo punë kështu? Këto i mendon Ageja po del nga dhoma pa bërë fjalë. Dhe një flakë ia përshkon shpirtin për fëmijët. Një llahtar i paparë. Çfarë do të bëjmë me pesë fëmijë që i kemi rritur në djep të traditës, me këngë të gjysheve tona. Megjithatë e frenon veten. Nuk i dilet burrit përpara!

Pas dreke e pasi e pinë kafenë Marini kërkoi leje të çohet e të shkojë, kurse Gjini e përcolli deri te dera e madhe. Dhe, u kthye në kullë ku e priste e shoqja e mërzitur. Çfarë do të bëhet Gjin? e pyeti ajo të shoqin e shqetësuar. Age, i tha qetë, Gjini. Kohë s’ka fare. Unë e di mirë kush janë kajmekami dhe dovleti. Shteg tjetër nuk shoh përveç se menjëherë të nisem në rrugë për Tivar. Nga atje do ta gjej ndonjë anije që shkon për Itali. Do të nisem atje e do të gjej vend edhe për ju. Pastaj do të vish ti Age me gjithë fëmijët. Djali ynë, Doda është rritur dhe do të mundet t’i dalë zot dyqanit sa të vendosemi atje për një kohë derisa këtu të ndryshojnë punët. Nuk do të mbetet gjithmonë kështu keq. Një ditë do të kthehemi me lejen e perëndisë. S’e lëmë dot këtë oxhak. E në pyetshin ku është Gjini, thuaju se ka shkuar për të blerë mall.

Me të rënë të shtresës së parë të muzgut Gjini niset për rrugë.

Doda e merr dyqanin përsipër dhe puna fillon t’i shkojë si është më mirë. Mirëpo kalojnë ditë, javë, muaj e kalon besa gati një vjet e prej Gjinit s’vjen asnjë lajm.

Një ditë te dyqani i Dodës  duken dy zaptije. Doda i shkretë mendon se do të sillnin një lajm për të atin, Gjinin. Po ata as pa e përshëndetur, i thonë: Dëgjo, Dodë,  më mirë e keni ta çoni në vend porosinë e kajmekamit e të bini në din se sa të hiqni të zitë e ullirit. Doda që e di më sa është sahati, hesht. Me të shkuar në shtëpi e bën dert me nënën Age punën e kësaj vizite të papritur. Ages i sillen ndër mend Gjini i saj që ishte tretur dhe që thaujse ishte e bindur se do ta kenë vrarë zaptijet diku maleve, i dalin përpara të pesë fëmijët që mund të binin në duart e zaptijeve dhe thotë: Mos o Zot! E lyp një gotë ujë prej të birit, ngase i është tharë goja dhe shton: Biri im, do të veprojmë siç veprojnë shumica. Nuk është lehtë, por jemi të mbështetur pët muri, kështu që do të marrim nga një emër për qejfin e dovletit për përdorim jashtë shtëpie, kurse brenda në kullë prapë do të jemi Agia, Doda, Zefi, Roza, Gonxhja dhe Lezja. I menduan dhe i shpikën emrat: Agia do të quhej Ajshe, Doda – Qufli, Zefi – Zyl, Roza – Rrushe, Gonxhja – Gjyle dhe Lezja – Latife.

Të nesërmen lajmi mori dhenë. Dhe, njerëzit u turën si bleta në dyqan, jo për të blerë, por të shohin çudinë, të shohin si duket Doda si Qufli.

Njëri çrej fshatarëve që ende s’e kish marrë selamin e kajmekamit iu drejtua Dodës: o gjungsh, a Qufli të quajtkan a? Doda heshti kryelëvarur. Po prej atëherë të gjithë e thërrisnin Qufli Gjungshi dhe kështu u mbeti edhe mbiemri të gjithëve. Gjungshi.

Mbiemri i vjetër Gurabardhi çdo ditë shkonte duke u zbehur derisa u tret me të gjitha nishanet tjera të cilat u harruan kur Ages iu bënë plot nipër e mbesa.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button