ANALIZË: Çmimet e banesave në rënie “të ngadaltë”, kushtet për kredi banesore “lehtësohen” (Infografik)

Nga 1,100 euro për metër katror në lagjen Aerodrom deri në 900 euro për metër katror në lagjen Karposh 4 – çmimet e banesave përcaktohen nga faktorë të ndryshëm, vendndodhja, viti i ndërtimit. Mirëpo, kriza e shkaktuar nga Kovid-19 nuk e anashkaloi as këtë biznes, veçanërisht ndërtimtarinë përmes ndërtimeve të larta – gjegjësisht ndërtimit të banesave. Statistikat zyrtare tregojnë një rënie dramatike të lejeve të lëshuara për ndërtim, por edhe ngecje të çmimeve të banesave, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Investimet publike – ndërtimet e ulëta “motor” i ndërtimtarisë…

Numri i lejeve për ndërtim në muajin prill të këtij viti ka rënë për pothuajse 30% në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, dhe ka një rënie të konsiderueshme të vlerës së ndërtesave. Në muajin e katërt të këtij viti, i cili ishte një nga vitet më kritike në aspekt ekonomik, që kaloi me orë policore dhe kufizime të mëdha për subjektet afariste, vlera e vlerësuar e ndërtesave për të cilat janë lëshuar lejet e ndërtimit ishte 59.5 milion euro, që është për 31% më pak se sa në prill të vitit 2019.

“Në prill të vitit 2020 janë lëshuar 173 leje ndërtimi, që është për 27.9% më pak se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Sipas lejeve të lëshuara të ndërtimit, vlera e vlerësuar e objekteve është 3,657,228 mijë denarë, që është për 31.1% më pak se në muajin e njëjtë të vitit të kaluar – njoftojnë nga Enti i Statistikave.

Nga numri i përgjithshëm i lejeve të lëshuara për ndërtim, 53.2% janë për objekte të ndërtimit të lartë, 10.4% janë për objekte të ndërtimit të ulët dhe 36.4% janë për objekte për rikonstruim. Sipas të dhënave krahasuese të “Portalb”-it, në prillin e kaluar janë lëshuar madje 122 leje për ndërtime të larta, gjegjësisht për ndërtimin e banesave, për dallim nga 92 lejet aktuale për ndërtim.

Përderisa biznesi i ndërtimit të banesave është në rënie, rritet numri i lejeve të ndërtimit për rrugë, dhe pikërisht ky segment i ndërtimeve e “mban gjallë” këtë sektor. Ndërtimtaria në tremujorin e parë të këtij viti, i cili përfundoi me ngecje për shkak të krizës mjekësore, shënoi një rritje prej 1.5%. Kjo rritje e vogël në sektorin e ndërtimit pason tremujorin e katërt të vitit 2019, kur faktori i motit “e ngriu” këtë biznes.

“Realizimet e favorshme në punimet e përgjithshme të kryera të ndërtimit është rezultat i niveleve të larta të rritjes të regjistruara edhe te ndërtimet e ulëta, ku ka një përshpejtim të konsiderueshëm në krahasim me rritjen në tremujorin e katërt, por edhe në ndërtimet e larta, pavarësisht rënies së vogël në tremujorin e katërt” – thuhet në raportin e fundit ekonomik të Bankës Popullore.

Ndërtimi ishte një nga sektorët kryesorë për rritjen e ekonomisë së përgjithshme, por që nga viti 2015, ritmet e rritjes janë në rënie të vazhdueshme. Në vitin 2015, niveli vjetor i rritjes së ndërtimeve ishte 8%, në vitin 2016 ishte minus 2.8%, në vitin 2017 u rrit në 1.6%, në vitin 2018 përsëri hyri në zonën negative prej 11.9%, ndërsa në vitin 2019 u rrit për 5.9%.

Ndërtimtaria në fushën e ndërtimit të banesave në “rikverc”

Disa biznesmenë në sektorin e ndërtimtarisë kanë paralajmëruar tashmë se situata po bëhet alarmante sepse ka një ngecje në punimet e ndërtimit nga njëra anë, por edhe përmbajtje nga ana e kërkesës nga ana tjetër.

Sipas statistikave të fundit të BPRM-së, në tremujorin e parë të vitit 2020 në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2019, çmimi i banesave është rritur për 0.4%, ndërsa përqindja e rritjes vjetore është vetëm 1.7%, që është më e ulëta në krahasim me përqindjet në të gjithë tremujorët ekonomikë të vitit 2019.

Përderisa biznesi i ndërtimit të banesave është në “letargji”, bankat po përpiqen t’i motivojnë qytetarët të marrin kredi banesore. Në fakt, anketa e fundit e realizuar me bankat tregon se një e treta e tyre besojnë se kushtet për aprovimin e kredive banesore janë lehtësuar duke i ulur kamatat.

“Një përqindje më e lartë e bankave, rreth 29%, thonë se ka kushte të lehtësuara të kredisë te kreditë banesore në krahasim me anketën e mëparshme, kur një vlerësim i tillë u dha nga rreth 8% e bankave, ndërsa bankat e tjera thonë se kushtet për marrje të kredive mbeten të pandryshuara. Nga aspekti i kushteve individuale të kredive, kamatat për kreditë për familjet vazhdojnë të kenë një lehtësim neto, i cili është pak më i theksuar te kreditë banesore, ndërsa te kreditë konsumatore është pak më i dobët”- thuhet në Anketën e BPRM-së.

Në periudhën e ardhshme, është planifikuar ndërtimi i 835 ndërtesave, me një sipërfaqe totale të shfrytëzueshme prej 62.697 metra katrorë. Në Shkup, shumica e ndërtesave janë planifikuar të ndërtohen në Aerodrom 317, Qendër 74, ndërsa në qytetet tjera, sipas numrit të ndërtesave të planifikuara veçohen Velesi 108, Dibra 102, Gjevgjelia 69, Gostivari 58 dhe Ohri 42.

Disa nga ndërtuesit i kërkuan Qeverisë ndihmë dhe logjistikë për këtë sektor duke i ulur pagesat komunale, gjegjësisht shpenzimet e ndërtimit. Gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, qeveria miratoi tre Dekrete që kishin si synim biznesin e ndërtimeve, të cilat i referoheshin zgjatjes së vlefshmërisë së licencave dhe autorizimeve që lidhen me ndërtimin dhe përgatitjen e planeve të planifikimit urbanistik, ndërsa kompanitë në këtë sektor kishin të drejtë të aplikojnë për ndihmë shtetërore në baza të ndryshme, ashtu sikurse edhe kompanitë nga industrit dhe veprimtaritë e tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button