Zaev: Data e zgjedhjeve nuk është as dëshirë personale as partiake, sipas ligjit dhe Kushtetutës ato janë më 5 korrik

Mbajtja urgjente e zgjedhjeve është e domosdoshme dhe është shumë e rëndësishme t’i kthejmë institucionet të cilat duhet t’u shërbejnë qytetarëve me kapacitet dhe legjitimitet të plotë. Kjo është e domosdoshme edhe për ballafaqimin më të mirë me krizën shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuar nga Kovid-19, ka thënë sot lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, transmeton Portalb.mk.

Zaev në profilin e tij në Facebook ka shkruar se, data e zgjedhjeve nuk është dhe nuk mund të jetë as dëshirë personale e as partiake, është e caktuar me kushtetutën dhe ligjet.

“Në takimin tek Pendarovski, Hristian Mickoski nuk përmendi as Sh për shëndetin e qytetarëve, as Sh për shëndetësinë apo krizën shëndetësore. Qytetarët këtë e dinë. Pikërisht Mickoski shëtitej nëpër kafene e palestra, shkelte masat ndërsa ministri i tij Çulev e minoi sistemin brenda dhe e rrezikoi shëndetin e qytetarëve. Për tre vite VMRO-DPMNE bënte obstruksione, frenime, bojkotime. VMRO-DPMNE kërkonte zgjedhjeve të parakohshme, dhamë zgjedhjet të parakohshme. Nga dhjetori e këtej janë duke gjetur arsyetime vetëm t’i anulojnë, pasi e dinë se qytetarët do t’i dënojnë, e dinë se do të humbasin. Nuk ka më si të ikin, nuk ka anulim. Mjaft më!, thekson Zaev.

Sipas tij, druajtja nga dështimi në zgjedhjet nuk duhet të jetë arsye për cilëndo parti të bojkotojë zgjedhje ose të kërkojë anulimin e tyre dhe me atë t’i vë në rrezik edhe popullin edhe shtetin.

Ndërkohë, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski në konferencën e sotme për media ka kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në datat e propozuara nga LSDM 5 dhe 8 korrik dhe ka kërkuar që ato të mbahen në mes të korrikut. Ai po ashtu, i bëri thirrje presidentit Stevo Pendarovski që ta vazhdojë gjendjen e jashtëzakonshme, duke theksuar se partia ka dy kushte për të marrë pjesë në zgjedhje – përgatitjen e protokolleve për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe kushte për zgjedhje korrekte dhe demokratike gjithëpërfshirëse.

Zaev dhe Mickoski, kanë realizuar një takim të premtën në presidencë me ftesë të Presidentit Stevo Pendarovski, i cili rezultoi pa marrëveshje që përcakton datën e mbajtjes së zgjedhjeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button