Kosovë, Kërkimfalja nga gjenerali Jugosllav ‘vendimtare’

“Pranimi i fajit dhe kërkesa për ndjesë është gjithmonë e rëndësishme dhe e vlefshme për viktimat. Për familjet e viktimave do të thotë se dikush më në fund pranoi se ka ndodhur një krim, se dëshmia e tyre është e vërtetë dhe se tragjedia nuk është shpikur”, tha Jelena Subotic, asistente profesoreshë në Georgia State University. 

“Kjo ndjesë e përgjithshme që Ojdanic kërkoi pa shumë detaje duhet të ndiqet me kërkimfalje më të afërta familjeve”, shtoi Subotic.

Ojdanic tërhoqi apelin kundër vendimit ndaj tij nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime në ish-Jugosllavi, në vitin 2009, që e shpalli fajtor për dëbime dhe “akte të tjera çnjerëzore” kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë fundit të konfliktit të viteve 1990-të.

“Shpreh pendimin tim të sinqertë për të gjithë ata që vuajtën si rezultat i sjelljes për të cilën jam dënuar”, shkroi Ojdanic në një letër dërguar Tribunalit të Hagës, më 25 janar.

Sipas aktgjykimit të Tribunalit të Hagës, Ojdanic “e dinte për fushatën e terrorit, dhunën dhe dëbimeve me forcë që u bënë nga APJ [Armata Popullore Jugosllave] dhe forcat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës, por nuk mori masat efektive që kishte në dispozicion”.

Natasa Kandic, ish-drejtoresha e Qendrës së të Drejtës Humanitare në Beograd, tha se deklarata e Ojdanicit është “hapi i parë madhor drejt ballafaqimit të Serbisë me krimet kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë”.

“Shumë thonë se falja nuk ishte e sinqertë, se ishte e nxitur në mënyrë pragmatike, por se është e vlefshme. Ai është gjeneral i ushtrisë që kreu mizoritë në masë”, tha Kandic për agjencinë e lajmeve Beta në Beograd.

Ojdanic u akuzua në vitin 1999, bashkë me ish-presidentin serb, Milan Milutinovic, ish-zëvendëskryeministrin jugosllav, Nikola Sainovic, ish-komandantin e Armatës Jugosllave, Nebojsa Pavkovic, ish-shefin e shtabit të trupave të Prishtinës, Vladimir Lazarevic, dhe ish-kreun e Ministrisë së Brendshme të Serbisë për Kosovën, Sreten Lukic.

Subotic tha se mund të jetë vendimtare nëse Ojdanic vendos të bashkëpunojë me prokurorinë e Tribunalit të Hagës dhe “të ndihmojë si dëshmitar kundër gjeneralëve të tjerë që janë para Tribunalit”. 
 “Kjo do të ishte shumë e rëndësishme dhe mund të ndikonte fuqishëm gjyqin [kundër Sainovicit, Pavkovicit, Lazarevicit dhe Lukicit]. Sidoqoftë, deri më tani, nuk ka shenja se Ojdanic do të pranojë të bëhet dëshmitar i prokurorisë”, tha Subotic për Balkan Insight. 

Rasti kundër katër zyrtarëve serbë është aktualisht në fazën e apelit, pasi u dënuan me burgim nga 15 deri në 22 vjet për krime ndaj shqiptarëve të Kosovës gjatë konfliktit.

Subotic beson se do të ishte pozitive nëse rrëfimi i Ojdanicit për krimet e luftës përdoret nga gjykatat vendase serbe për të gjykuar oficerë të lartë të ushtrisë për krime lufte në Kosovë. 

Asnjë ushtri serbe, ose zyrtar policie, nuk është akuzuar për krime në Kosovë deri më tani, një situatë që Subotic fajësoi presionin në gjyqësor nga autoritetet në Beograd. 

“Vendi vazhdon të mbrojë gradat e larta të ushtrisë, duke besuar se tregimi i mizorive masive të ushtrisë do të ndikojë negativisht shtetin serb sot”, tha ajo. 

Drejtori i këshillit kombëtar të Serbisë për bashkëpunim me Tribunalin e Hagës, Rasim Ljajic, e refuzoi rrëfimin e Ojdanicit si jorelevant.

“Rrëfimi i tij nuk ka pasoja për Serbinë. Ishte veprim i tij personal”, tha Ljajic për gazetarët.

Ai shtoi se në gusht të këtij viti, Ojdanic do të ketë kryer dy të tretat e dënimit të tij, që do ta lejojnë të kërkojë lirim të parakohshëm.

Lajme të ngjashme

Back to top button