fbpx

AMAN, me protesta dorëzon nënshkrimet në Parlament

Sot me fillim në orën 14 te Shtëpia përkujtimore e Nënë Terezës, iniciativa qytetare AMAN do ta fillojë marshin protestues, i cili do të përfundojë para Parlamentit, me dorëzimin e 13.000 nënshkrimeve që janë mbledhur nëpërmjet procedurës zyrtare për propozimin e ligjeve në Parlament, në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qytetarët.

“Ky është një sukses për të gjithë ne. Në këtë iniciativë morën pjesë qytetarë të kombeve dhe feve të ndryshme, me bindje të ndryshme politike. Kjo nuk krijoi përçarje mes nesh, përkundrazi, AMAN arriti të bëhet një simbol qytetar, mbinacional dhe mbipartiak. Sinqerisht, i urojmë dhe i falënderojmë të gjithë ata që kanë marrë pjesë dhe kanë kontribuar në këtë nismë, dhe u bëjmë thirrje, atyre, si dhe të gjithë qytetarëve, që të na bashkohen në dorëzimin e nënshkrimeve nesër”, deklaruan dje përfaqësuesit e AMAN-it.

“Ne do ta dorëzojmë propozimin dhe nënshkrimet në këtë Parlament, i tillë siç është, pa përfaqësues të opozitës. Edhe sikur ata të ishin brenda, nuk do të ishte e mjaftueshme, sepse, megjithatë, për të kaluar ky propozim, nevojiten votat e shumicës në Kuvend. Tani edhe më qartë përgjegjësia gjendet mbi ta, dhe për këtë arsye presim që deputetët dhe partitë politike në pushtet, si dhe dy partitë parlamentare të opozitës, ta mbështesin dhe ta miratojnë propozimin e qytetarëve”, kumtuan përfaqësuesit e AMAN-it. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button