Mickoski kërkoi që zgjedhjet të mbahen në mes të muajit korrik

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski në konferencën e sotme për media ka kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në datat e propozuara nga LSDM 5 dhe 8 korrik dhe ka kërkuar që ato të mbahen në mes të korrikut.

Ai po ashtu, i bëri thirrje presidentit Stevo Pendarovski që ta vazhdojë gjendjen e jashtëzakonshme, duke theksuar se partia ka dy kushte për të marrë pjesë në zgjedhje – përgatitjen e protokolleve për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe kushte për zgjedhje korrekte dhe demokratike gjithëpërfshirëse, njofton Portalb.mk.

“Ke kohë sot deri në fund të ditës ta propozosh gjendjen e jashtëzakonshme. Për çka ta vazhdojë gjendjen e jashtëzakonshme? Sepse VMRO-DPMNE-ja ka dy kushte, e ajo është që së pari të përgatisim protokolle me të cilat do ta mbrojmë shëndetin e qytetarëve. E di se edhe për ty ky është prioritet. Për kaq kohë të shkurtë sa arrita të të njoftoj z. Stevo Pendarovski e di se edhe për ty ky është prioritet -të përgatisim protokolle me të cilat do ta mbrojmë shëndetin e qytetarëve dhe puna e dytë, të kemi zgjedhje korrekte dhe demokratike gjithëpërfshirëse në këtë shtet Çka nënkupton kjo? Kjo nënkupton se ditën e parë pasi të arriji misioni vëzhgues i OSBE-ODIHR në Maqedoni menjëherë pasi të mbajnë konferencën për media ditën e ardhshme do të jetë dita e parë e fushatës sonë dhe që nga ajo ditë e parë ta përcaktojmë datën kur do të mbahen këto zgjedhje. Sipas situatës së tanishme atë që ne si VMRO-DPMNE dhe koalicioni “Për ripërtëritje të Maqedonisë” e anticipojmë si datën e parë të mundshme mesin e muajit korrik”, tha Mickovski.

Ndërkohë, lideri LSDM-së, Zoran Zaev i ka bërë thirrje mbrëmë Mickoskit që të pranojë 8 korrikun si datë të mbajtjes së zgjedhjeve.

Zaev dhe Mickoski, kanë realizuar një takim të premtën në presidencë me ftesë të Presidentit Stevo Pendarovski, i cili rezultoi pa marrëveshje që përcakton datën e mbajtjes së zgjedhjeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button