Hulumtim: Inspektorët më shumë i mbrojnë të pushtetshmit sesa interesin publik

Mbi dyzet për qind e qytetarëve vlerësojnë se inspektorët në punën e tyre varen prej kryetarëve të komunave. Thuajse po aq qytetarë vlerësojnë se inspektorët komunalë nuk janë profesional dhe efikas, si edhe se në vend se t’i mbrojnë qytetarët dhe interesin publik, i mbrojnë interesat e pushtetarëve politikë dhe afaristët.

Këtë e dëshmojnë rezultatet e hulumtimit të mendimit publik për përvojat dhe perceptimin e qytetarëve për punën e shërbimeve inspektuese komunale zbatuar nga OJQ Infoqendra, përmes anketës prej 12 deri më 18 maj 2020, në ekzemplar nacional reprezentativ prej 1003 të anketuar ndërsa në kuadër të projektit “Monitorimi qytetar mbi shërbimet inspektuese në nivel lokal”, mbështetur nga Ambasada e SHBA-së, transmeton MIA.

“Mbi dyzet për qind e qytetarëve (42%) vlerësojnë se inspektorët në punën e tyre varen prej vullnetit të kryetarëve të komunave. Banorët e rajonit të Shkupit (55%), njerëzit me arsim të lartë (51%) dhe ata të moshës prej 35 deri 44 vjeç (48%), janë përfaqësuesit më të mëdhenj të tezës se inspektorët varen prej vullnetit të kryetarëve të komunave. Thuajse katër prej 10 qytetarëve (39%) vlerësojnë se inspektorët lokalë i mbrojnë interesat e pushtetarëve politikë dhe afaristë, ndërsa diç më pak se një e treta (31%) vlerësojnë se inspektorët lokalë janë efikas dhe profesional në mbrojtjen e qytetarëve dhe të interesit publik”, qëndron në hulumtim.

Mosbesimi ndaj institucioneve të cilat duhet t’i mbrojnë qytetarët dhe interesin publik, thuhet, është akoma i madh dhe këtë e dëshmon edhe kjo anketë sipas së cilës vetëm 7,5 për qind e qytetarëve kanë deklaruar se ata apo ndonjë i afërm i tyre kanë denoncuar problem tek inspektori komunal kompetent. Akoma më shumë brengosin të dhënat se madje 60 për qind e qytetarëve të cilët kanë denoncuar ndonjë problem nuk janë të kënaqur nga veprimi i inspektorëve komunalë.

Sa u përket problemeve të mëdha me të cilat çdo ditë përballen në nivel lokal, qytetarët i kanë theksuar: pastërtinë publike, mbeturinat dhe mbeturinat e ndërtimtarisë (19%), zhurmën, ndotjen e ajrit dhe të mjedisit jetësor në përgjithësi (11%), mirëmbajtjen e rrugëve, trotuareve dhe shtigjeve (9%), mungesën e vendpakringjeve (9%), furnizimin me ujë (5%), dhënien e lejeve ndërtimore (3%) si dhe pagesën e tatimeve dhe taksave të tjera (1%).

Banorët e rajonit të Shkupit, Pollogut dhe rajonit Juglindor në anketë më së shumti i kanë potencuar problemet me të cilat ballafaqohen. Për 28,6 për qind të të anketuarve të rajonit të Shkupit, problem më të madh paraqet menaxhimi me mbeturinat, mbeturinat ndërtimore dhe në përgjithësi pastërtia publike. Zhurma dhe ajri i ndotur janë problem i madh për 18,5 për qind, ndërsa për 15,7 për qind të banorëve të komunave në rajonin e Shkupit problem të madh paraqet numri i pamjaftueshëm i parkingjeve, thuhet në anketë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button