Ambienti i vrazhdë i sigurisë

Pandemia globale i ka prekur pothuajse të gjitha shoqëritë dhe ekonomitë botërore, duke i riformuluar përgjithmonë marrëdhëniet në mes shteteve. Ky impakt vazhdon të shpaloset në forma të ndryshme në shtetet e brishta multietnike. Përderisa pasojat nga kriza janë të dukshme në sektorin e sigurisë, në të njëjtën fushë janë përforcuar rreziqet e njohura dhe të reja në shkallë të lartë. Faktorët që kanë ndikuar që të ketë hapje të reja sistemike dhe shpërthime duke filluar nga tendosjet ndëretnike, ka të bëjë me aktivizimin e aktorëve malinj në Ballkan dhe në Maqedoninë Veriore (MV) që mund të konsiderohen si të brendshëm dhe të jashtëm.

Nuk kemi ndonjë formulë magjike se si të mbrohemi nga sulmet e jashtme nëse nuk kemi sistem të shëndoshë të sigurisë dhe balancë të brendshme shoqërore e cila do t’ju rezistonte ndërhyrjeve të jashtme. Në emër të sigurisë, thyerjet etnike në shtetet e përziera në Ballkan e sidomos në shtetet multietnike siç janë Bosnja, Kosova, dhe Maqedonia Veriore, shërbejnë për përfitime politike dhe zotërim të burimeve financiare nga etnia më e madhe.

Përkundrazi, ky fenomen kompleks mund të përshkruhet më mirë si marrëdhënie midis shumicës mbizotëruese kombëtare dhe etnike mbi ‘pakicat etnike’ që jetojnë brenda secilit prej shteteve të Ballkanit Perëndimor, ku grupet më të vogla etnike janë domethënëse për sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe qasjes në përfitimet sociale dhe ekonomike në marrëdhëniet midis etnisë sunduese ku shumicat dhe pakicat etnike jetojnë nën kulmin e të njëjtit shtet.

Kjo strukturë ka rëndësi të veçantë në vazhdimin e jetës dhe mbajtjes së kontrollit të sigurisë kombëtare. Kjo marrëdhënie mund të cënohet nëse fërkimet ndëretnike dhe shovinizmi institucional si anëtare e NATO-s bëhen pjesë e sigurisë kombëtare ose keqpërdoren nga shteti. Gjithashtu këto marrëdhënie mund të përcaktojnë jo vetëm dinamikat politike, sociale dhe ekonomike, por në tërësi të ardhmen e shtetit në kuadër të sfidave rajonale dhe globale e sidomos në botën e pas COVID-19.

Zhvillimin e shteteve demokratike e përcaktojnë marrëdhëniet ndërkombëtare të qëndrueshme dhe stabiliteti me fqinjtë. Por, në raste të caktuara ky vektor është vënë në rrezik nga vetë politikanët maqedonas. Intensiteti i konflikteve brenda këtyre marrëdhënieve apo thënë brenda raporteve ndëretnike është aq i lartë sa që rezultati përfundimtar për fat të keq mund të jetë zhgënjyes me shpërthimin e rebelimeve edhe përkundër faktit se vendi është anëtarë i NATO-s.

Neni 5 është gurthemeli i NATO-s dhe thotë se një sulm ndaj një anëtari të NATO-s është një sulm ndaj të gjithë anëtarëve të tij. Por, megjithë rëndësinë e saj, NATO është thirrur në nenin 5 vetëm një herë në historinë e saj – në përgjigje të sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 në Sh.B.A. NATO krijua në vitin 1949 pas Luftës së Dytë Botërore, kur lëvizjet komuniste të mbështetura nga Bashkimi Sovjetik (BRSS) përbënin një kërcënim serioz për qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike në të gjithë Europën e shkatërruar nga lufta.

Kështu që, problemi kryesor i sigurisë është se si të zvoglohet hendeku midis shumicës që e sundon shtetin dhe etnive tjera që synojnë barazi. Në rastin konkret të MV-së, do të ishte vështirë që NATO të thirret në nenin 5 për të mbrojtur një shtet nga trazirat e brendshme, pakënaqësitë politike dhe kryengritjet etnike.

Për më shumë, duhet theksuar se misionet paqëruajtëse të NATO-s në Maqedoni kanë qenë kryesisht paqësore dhe se po të njëjtat në të ardhmen nuk mund të jenë më ndryshe në qoftëse do të cënohet kushtetuta e vendit dhe intergriteti territorial i MV-së nga aktorët e brendshëm.

Për të ulur tensionet e brendshme dhe kërkesat për status të ri juridiko-kushtetues, konsiderohet se Koncepti qytetar i shtetit jep të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, mirëpo kjo mund të cilësohet si një mbulesë dhe epërsi nga grupi kombëtar mbizotërues ndaj pakicave apo grupeve tjera etnike. Në një situatë të këtillë do të ishte vetëm në duart e grupeve më të mëdha etnike që t’i menaxhojnë krizat e mëdha ndëretnike që rrezikojnë shtetin dhe parandalojnë ndërhyrjet e jashtme ushtarake.

Neni 5 ashtu siç përmendëm lidhet me sulmet e jashtme, andaj u takon institucioneve demokratike të një shteti që synon BE-në të krijojë mekanizma të parandalimit të përplasjeve në mes grupeve etnike. Në një ambient jo të hapur për të gjithë etnitë që jetojnë në MV, qeveritë që përpiqen t’i mbyllin të gjitha rrugët për barazi kushtetuese dhe gjithnjë prodhojnë koncepte që nuk funksionojnë në shoqëritë e Ballkanit Perëndimor, në të ardhmen do të ballafaqohen me tensione lokale që do të kërkojnë  menaxhim jo vetëm nga jashtë, por edhe të brendshëm prej aktorëve që me vite kanë qenë burim i mospajtimeve.

Nuk ka garanci se NATO në një skenarë realist do të mund të menaxhonte një proces afatgjatë të pajtimit ku kriza ndërlidhet me bashkëjetesën, pozitën juridike të etnive dhe funksionimin e ligjit për të gjithë. Shembuj konkret të shteteve anëtare dhe jo anëtare të aleancës që kanë një ambient të vrazhdë të sigurisë janë Kosova, Bosnja, Spanja, Maqedonia Veriore, dhe shtetet Baltike, ku NATO nuk mund të jetë përgjithmonë ombrellë e sigurisë së brendshme.

Për Maqedoninë Veriore është kryesore që si anëtare e NATO-s të veprojë  konform rregullave të reja të lojës dhe shoqërisë së re që duhet të ndërtohet në mes etnive për t’ju mundësuar të gjithëve përfaqësim të barabartë kushtetues dhe garanci ligjore të besueshme vetëm nëse shoqërohet me të drejta kolektive.

Nga ana tjetër, refuzimi mund t’i rigjallërojë tendencat territoriale në kohën e pas COVID-19 dhe ‘hartës së re’ që pritet të prodhohet pas nënshkrimit të mundshëm të marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë. Frika nga irredentizimi, duhet të mbështetet me projekte të hapura dhe të qëndrueshme në fushën e marrëdhënieve ndëretnike që kontribuojnë në sigurinë kombëtare të MV-së si anëtare e re e NATO-s.

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button