IN MEMORIAM SILKE LIRIA BLUMBACH (1970-2020)

Pas shumë peripecive të mëdha jetësore, nga një sëmundje e rëndë u nda nga kjo botë poetja, përkthyesja poliglote, gjermane Silke Blumbach, e cila ka qenë anëtare e kryesisë dhe dora e djathtë e Festivalit Ditët e Naimit. Silke Liria Blumbach kishte një dashuri të veçantë për shqiptarët dhe poezi shkruante vetëm në gjuhën shqipe. Ajo përherë thoshte se unë jam poete shqiptare dhe jo gjermane. Tani për lexuesit shqiptar dhe për kujtim të mikes sonë po e afroj një tekst recensional për librin e saj ‘’ Lumi që rrjedh drejt burimit’’ 2007.

PERFORMANCA ALKIMISTE E NJË SHPIRTI TË SHQETËSUAR POETIK

Vëllimin poetik Lumi që rrjedh drejt burimit, 2007

Në synimet e dashurive të thella artistike, poetët fluturojnë me imagjinatën e tyre kah hapësirat dhe misteret e panjohura jetësore, fluturojnë drejt atyre kthjelltësive për të përmbushur në vete një kërkesë të madhe spirituale, intelektuale e njerëzore. Ky dialog shtegtimi gjuhësor, midis vetes dhe ndjenjës së përgjithshme, gjithsesi, të largon e të sjell në vete me shpresën e përmasave të mëdha jetësore, se ndoshta në këtë mënyrë ke plotësuar diçka që ka munguar në kozmosin kolorit të njerëzimit. Të paktë janë ata njerëz që i takojnë një rrethi apo vendi të caktuar, e që migjithatë shkëputin diçka të çmueshme nga jeta e rëndomtë e tyre me vetëbesim për një detyrë e mision të caktuar jetësor. Gjithsesi këto mënyra të guximshme jetese janë sakrifica, tortura të njeriut, për të ndryshuar diçka që është e përgjithshme, në atë individuale e të veçantë. Kështu në këtë qiell yjesh, padyshim, do të ndriçojë me vargjet poetike edhe poetesha Silke Liria Blumbah.

Rrugëtimi refleksiv, që rend me veçanti nëpër vargje, me shpirtin alkimist të kohës moderne, poeten do ta shpjerë majave zenitore të kuptimit të jetës, andaj frymëmarrja e kthjellët frymëzuese e kreative në vëllimin poetik ״Lumi që rrjedh drejt burimit״, të Silke Liria Blumbahit shënon një freski të kulluar ndjenje dhe njëherë një largim dihatjesh të etshme shpirtërore nga vetja, drejt burimit të dashurisë së nisur në kohë e hapësirë të pacaktuar jetësore. Barka poetike mbi të cilën lundron me imagjinatën e saj shumë kuptimore, poetja Blumbah, është ajo barkë që mbush, shalon dallgët e historisë së dhimbjes dhe dashurisë së njeriut e kozmosit që na rrethon. Largimi nga vetja drejt gjurmëve të shpirtit të shqetësuar, poetes i jep frymë­marrje jetese, gjallëri nga më të ndryshmet, sepse në të shëmbëllen dhimbja e trishtimi kohor, në njërën anë dhe dashuria e shpresa në anën tjetër. Nëpër detin e syrit poetik duket se notojnë emocionet e shumta. Ato emocione radhiten nëpër dallgë bashkë me ëndrrat e derdhura nëpër dashuritë e sinqerta dhe, vuajtjet për njeriun që kërkon shtegtimin e shpëtimit nëpër ato valë malli të jetës së quajtur lumturi. Ky kërkim, sa është i largët e kureshtar, aq më tepër është sakrificë e thellë për të mbijetuar nëpër vijoren e ngushtuar të shpresës që të çon kah zeniti i diellit, bashkë me dhimbjen përvëluese të zjarrit të zemrës së arnuar për fëmijën e uritur, të braktisur, të arratisur e azilkërkues, të një kohe e hapësire të caktuar.

Tetë ciklet poetike të librit ״Lumi rrjedh drejt burimit״, përmbledhin në vete një tërësi kuptimore, ironike, të cilat cikle të ndërlidhura si shtimungu koherent gjuhësor e figurativ vijnë nga ferri i përjetimeve vetjake drejt dallgëve optimiste të dashurisë së burimit të kërkuar, por tërësisht duke u përballur me të keqen dhe të mirën e jetës. Poetja kalon me hapa të sigurt nëpër kalldrëmin e shtigjeve të ashpra të përvojës, ku vlera njeri i kalon përmasat e zakonshme, individuale, me atë lëvizje të përgjithshme shoqërore. Ajo bëhet udhërrëfyese tërheqëse në këtë arratisje shpirtërore të mendimit, kundrejt individit, përballë shoqërisë, përballë sendeve, që e rrethojnë. Ata që ikin nga vuajtjet e tyre, si duket poeten e grishin në një vuajtje dhe shqetësim tjetër. Andaj ajo bëhet spontanisht truproje e vuajtjeve të tyre nëpër skutat e meridianëve dhe metropoleve sa për të mbijetuar ëndrrën e saj. Ajo sfidon gjithçka me shigjetat e saja ironike, bile bëhet e qëndrueshme edhe nga atakët e papritura që vijnë nga e keqja, furtuna e kohës, si dhe nga e shëmtuara primitive e shoqërisë njerëzore. Do t’u kundërvihet, si rrufe në qiell të hapur, mjegullave të pakuptueshme, që ia trazojnë dhe atakojnë zemrën dhe shpirtin e saj. Ajo do ta barikadojë mjegullnajën jetësore, me energji e vullnet shprese në kujtesën dhe mendimin e saj, vetëm duke kërkuar prehje për zenitin shpirtëror, të arritur me sukses e sakrificë në cakun e qëllimit mendor. Të dalë fituese dhe e pa lënduar nga pasojat e mundimshme të sakrificave jetësore.

Në këtë vegim pelegrin, autorja inkarnon në shpirtin e saj poetik mendime jashtëkohore. Ato nuk janë fjalë boshe, ato fjalë as nuk kanë çast dhe afat të caktuar, por ato vijnë si dhimbje e përhershme e brendshme, apo si kërkesë e guximshme për të ndryshuar diçka nga vetja dhe rrethi. Ajo hyn thellë nëpër shpresat e njerëzve për të kërkuar lumturinë e tyre. Por, nëpër atë det të syrit të pangopur e kërkues të zbulimeve e përjetimeve të reja, autorja kërkon fatin e prehjes tjetërkund, jo në vendin e saj, por nëpër meridianët e botës, ku njeriun e nxit kureshtja e të panjohurës dhe nevoja e brendshme për të jetuar ndryshe nga ajo e zakonshmja dhe monotonia e përditshmërisë jetësore. Mirëpo, pikërisht këtë lumturinë e jetës, poetja, Silke Liria Blumbah, e kërkon në atë vend ku të tjerët e braktisin, ikin dhe largohen nga andej, duke marrë me vete “tragetin e ëndrrave” të tyre për një jetë më të lumtur, pa menduar mirë se në atë shtegtim të marrë ka edhe ״ujëra të zeza״, nëpër të cilët noti i thellë jetësor do t’i shpie, që në realitet është i rëndë dhe me shumë pasoja e ndodhi të hidhura. Lumturia nuk fitohet me atë braktisje të një anshme e të shëmtuar të atdheut, sepse njeriu në atë udhëtim pa krye pa siguri, mund të jetë si ndonjë krimb në një mollë të prishur dhe fundi i tij më në fund mbaron pa u ditur e kuptuar, në një ״kosh me plehra״.

Silke Liria Blumbah mjaft me shkathtësi e përdor ironinë në vargjet e saj, që do të thotë, se ajo në mënyrë eliptike është në vazhdën e poezisë moderne, bashkëkohore, madje si me vetëdijen e krijuesit të shkathtë i shpërndahet mendimi i porosisë në një jehonë spontane, ndikuese, qoftë kur qorton apo godet të keqen, zymtësinë e kohës së përjetuar, qoftë kur mallëngjehet, apo kur ndjen dhimbje për njeriun dhe gjërat që ka pranë. Mendimet e saja vrapojnë, me flatra engjëllore, nëpër çdo skutë të jetës, si dhe nëpër ״rrudhat e hirta të kujtesës״ së saj, duke incizuar në mendje gjithçka që i del përpara. Ajo gjykon vrazhdësinë për ״Maskaratë״ e maskave që terrorizojnë rrethin shoqëror. Ajo atyre ua tërheq vërejtjen se mënyra e tillë e të jetuarit është e përkohshme dhe ato boshllëqe dhe orekse të ndyta jete, të lakmuara nga individi, s’janë kurrgjë tjetër, pos një çorape e zezë që trumhas kohën e errtë nëpër të cilën kalon shoqëria në një periodë të caktuar situate. Psherëtimat e autores vijnë si metafora këngësh të goditura, që kultivojnë mbijetesën e individit dhe fatkeqësinë e njeriut nëpër barrierat e ndarjeve të egra të mureve të Berlinit, e të ndalesave tjera midis njerëzve, e që vijnë si ritëm i dhimbshëm apo melankolik në shpirtin e poetes. Deti dhe delfinët në të bashkë, si dhe dallgët e shpërndara nëpër baticat e zbaticat e kujtesës, poetes i bëhen lajtmotiv, kartolinë identifikuese e imazheve optimiste të temave e motiveve të shpëlara me shijen e këndshme të ndjenjës, duke shijuar e përmbushur bashkë me njerëzit, afrinë, ndarjen buzë detit të dallgëzuar, bashkë me filxhanin e kafesë së fundit.

Poezia e Silkes është mjaftë e larmishme, motivet e preferua nga përjetimet e saja janë frymëzime të akorduara mirë, ashtu siç e kërkon edhe vetë natyra e poezisë moderne, me shumë ngjyra e kolorit artistik. Poetja vëren dhe mishëron në vete çdo gjë që e rrethon, shpirti i saj është gjithnjë në dyluftim me vetveten dhe koihën për të dhënë e ndryshuar diçka nga jeta. Kjo betejë në arenën e kundërthënieve të jetës vjen si nevojë, kërkesë shpirtërore për t’i ndryshuar gjërat e pa dashura, që ia ngufatin njeriut lumturinë dhe rahatinë. Dhe gjatë këtij lundrimi të gjatë në këtë det shikimi të pafund, me batica e zbatica, shfaqen gjurmë ndriçuese në qiellin e shpresës së saj jetësore.

Në ciklin ״Letra nga ferri״, autorja aludon në kohën e çasteve më të rënda të jetës së saj. Ajo, madje, me elan të çeliktë largohet nga ajo mugëtirë e padurueshme, ferri, duke u shpërngulur me spontanitet shpresëdhënës nga ai pezëm i imponuar i vetes, duke u bërë dëshmitare e vetme përjetimesh të hidhura, të cilat e nxisin dhe kalitin për t’iu rrëfyer dikujt ato ngjarje te errëta, andaj ato letra këngëtimesh realiste mbeten testamente të pashlyera të mendjes dhe dijes, e që kërkojnë prehje të qetë diku, diku në sirtarin e kujtesës.

Pas ciklit të parë renditet cikli ״Nëpër detin e syrit״, aty ateron me sukses në atë det të hapur synimesh, ku frymëmarrja çlirohet nga konfuzionet e kufizimet e dashurisë. Autorja duke notuar në mënyrë spontane dallgëve të frymëzimit fantastik, përplaset në tërësinë e strukturës poetike gjuhësore të ciklit ״Tokë në detin e syrit״. Si duket autorja, këtu, nga ai shtegtim i gjatë e i mundimshëm vjen në oazën e shpëtimit jetësor. Pas atij udhëtimi të vrullshëm në meditimin e gjatë të dyshimeve, autorja gjen më në fund prehjen optimiste të ngrohtësisë së saj. Ajo njësohet me këtë “vendshpëtim”(Tokën shqiptarëve), dhe shpresa e saj kërcen vrullshëm përmbi zemër për të notuar me dashuri nëpër detin e Sarandës, truallin e Delvinës, madje nëpër zhurmën e alineve të Tiranës e të Alliasit. Poetja binjakëzohet me këto vende, rilindet, të duket se ajo i pjell ato, apo ato e pjellin atë, si ndonjë fëmijë që s’ndahet kurrë nga gjiri i nënës së vet, nga zemra që ndien dashuri e mall të pashuar. Poetja ngjishet me këtë truall, dashuria e saj humusohet me përmasa të jashtëzakonshme të ndjesisë së pashtershme të mallit të tatuazhuar në trup, andaj atdheu i shqiptarëve është atdheu i saj i shpëtimit të ndjenjës së kallur, e cila ndjenjë ia sjell shpresën dhe lumturinë, dhimbjen, vrazhdësinë dhe gjithsesi krenarinë e fituar. Ajo bëhet më shqiptare se shqiptarët. Silke, Lirie Blumbach, nuk kushtëzohet nga paragjykimet në këtë dashuri të sinqertë, por vetë zemra i flet dhe me afshin e saj të thellë e zgjedh atë Atdhe që ia do shpirti dhe trupi, dhe njeriu çdo gjë që zgjedh vetë me vetëdijen e tij krijon dashuri të sinqertë, madje edhe formon oazën optimiste të besimit e shpëtimit jetësor. Sipas poetes vetëm fjala është ajo forcë pushtuese që krijon botën e jashtme dhe të brendshme të njeriut, ngase ajo vjen nga thellësia e ndjenjës dhe mendjes së ndritur, duke u krijuar dhe brumosur me mjeshtëri në kujtesë, si fjalë të rralla dhe të bukura. Janë ato fjalë dashurie që shpërndajnë drita dhe shkëndija optimiste për të zhdukur dyshimet, hijet e shpirtit të çiltër dhe, të gjitha peripecitë tjera që e përndjekin gjatë shtegtimit artistik njeriun. Poetja në mënyrë kronologjike shkon nga vendi në vend, nga njeriu në njeri për të dhënë e marrë dashuri të sinqertë. Rrugëton me këngëtimin refleksiv ״nëpër perden e shirave të qerpikta״, ״sa për të mos i braktisur sinjalet e shpresës״, që e shpojnë papandehur në zemër. Ai yll vegimi e humb gravitetin e vet të ndriçimit shigjetues dhe pa diktueshëm i ngulitet diku në zemër, mu në zemrën e poetes, duke fluturuar si ndonjë simfoni e qetë afrie midis njerëzish, sepse qielli artistik ka vend dhe bukuri edhe për shumë ״gërsheta tingujsh״ të rrallë e që do të formonin polifoninë e këndshme njerëzore e humane të rrallë midis tyre. Ai është zogu i zemrës, feniksi i dashurisë, që zbret i flaktë nga lartësitë e zjarrta të qiellit dhe kërkon folenë e prejhjes në zemrën e çdo njeriu.

Dhe nga fluturimi i largët, zogu i zemrës, shuan etjen në ״Lumin që rrjedh drejt burimit״. Kthimi në burimin e vetëdijes është një refleksion imagjinar i autores, që katapulton e etshme te burimi i kërkuar, pas një shtegtimi të gjatë mbi flatrat e shpresës dhe kërkimit të njohjes, dijes, formon më në fund harkun e kthimit parabolik në burim dashurie, të pikës së nisur, cakut, apo të stacionit të parë të nisjes së rrugëtimit alkimist. Por tani në këtë pikë të ardhjes, te vendqëndrimi, poetja kthehet me një përjetim të plotësuar, të mbushur, me bagazh e përvojë të madhe jetësore, që sërish për t’u rinjohur me rrethin e vendin që e ka lënë me mall, për tu shpallur me farefisin dhe kthjelltësinë e atij burimi të nisur, por të pa harruar në vete, me shpresë të salduar mu aty në esencë të kuptimit të fjalës së kërkuar, kryesisht për të shëmbëllyer të vërtetën e përjetuar me një përvojë tjetër jetësore, të ashtuquajtur në vete, vetëdijesim dhe kuptim në gjykimin e gjërave dhe përvojave jetësore.

Tërë ky lirizëm i vrullshëm derdhet figurshëm dhe me masë artistike në librin poetik ״Lumi që rrjedh drejt burimit״ të Silke Liria Blumbah. Aty shpërthen thellësia e ndjenjës në mënyrë spontane, andaj struktura e ndarjes ciklike ka një rrjedhshmëri spontane e që në praktikë pasqyron kontunuitetin e stilit mjaft të goditur të autores. Në ciklin i parë ״Letra nga ferri״ e njofton lexuesin për të keqen, trishtimin. Në ciklin e dytë ״Nëpër detin e syrit״ lexuesi grishet për në shtegtim, hapësira, nëpër motive dhe tema nga më të larmishmet për ta njohur botën. Frymëzimet e thella objektivizohen në tërësi të ciklit të tretë ״Tokë në detin e syrit״. Poetja ndalet aty ta shijojë atë vend me kënaqësi të madhe vegimi, të preferuar nga zemra dhe imagjinata. Në detin e syrit të thellë sheh oazën e shpëtimit, të kënaqësisë, lumturisë së kërkuar me vite të tëra dhe kjo atmosferë kuptimi do të vazhdojë dhe shërojë ndjenjën dhe shpirtin, duke notuar artistikisht edhe në ciklet e tjera pasuese.

Me këtë vëllim poetik Silke Liria Blumbah te lexuesit shqiptar përmbush një mision të ndritshëm, vezullues të dashurisë për njerëzit dhe vendin, me të gjitha karakteristikat dhe përjetimet e veta. Në këtë ishull të paharruar poetik, poetja strehon mall e dashuri, të mbajtur, si peng kujtimi të përhershëm thellë në zemër. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button