RMV, Rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi e dënoi brutalitetin policor ndaj të pastrehëve

Më 10.06.2020 në shumë media u publikua një kontribut ku qytetarët deklaruan se kanë qenë viktimë e dhunës nga ana e nëpunësve policorë. Fjala është për romë të pastrehët, të cilët jetojnë në afërsi të objektit të SISHM në Shkup.

Ngjarja ka ndodhur gjatë “orës policore”, ku, sipas deklaratave, njëzet pjesëtarë të policisë për intervenim, kanë përdorur forcë fizike ndaj të gjithë personave, ku ka pasur edhe gra, fëmijë dhe të moshuar, të cilët janë gjendur në lokacionin e përmendur, të cilët aspak nuk kanë qenë të involvuar në këtë rast.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë dërguar një informatë në media, duke pohuar se, nga ana e pjesëtarëve të policisë të Stacioni policor të Aerodromit, janë ndërmarrë masa dhe aktivitete për shkelje të konstatuara të orës policore nga një grup qytetarësh, të cilët janë tubuar në vend publik dhe e kanë prishur rendin dhe qetësinë publike, duke lëshuar muzikë të zëshme. Sipas deklaratës së MPB-së, së pari pesë persona janë sjellë në mënyrë arrogante ndaj nëpunësve policorë, pas çka fizikisht i kanë sulmuar, ndërsa njëri prej tyre ka hedhur gur ndaj furgonit të policisë. Në bazë të këtyre ngjarjeve, ndaj pesë personave është ngritur procedurë për vërtetimin e përgjegjësisë për kundërvajtje, gjegjësisht penale. Sipas informatave nga Ministria e Punëve të Brendshme, fjala është për një rast ku mund të vërtetohet përgjegjësi personale e disa personave, të cilët jetojnë në lokacionin e përmendur. Ata tashmë janë identifikuar, janë privuar nga liria dhe ndaj tyre janë ndërmarrë veprime fillestare për vërtetimin e përgjegjësisë. Prej këtu, forca e përdorur ndaj personave (meshkuj, gra, fëmijë, pleq), të cilët në asnjë mënyrë nuk janë involvuar në këtë ngjarje, tregon se policia ka përdorur forcë që ta pengojë sulmin e imagjinuar.

Para do kohe në Shtip (më 12 maj, në rrugën Radanski), mediat publikuan një incident të ngjashëm me policinë, e cila ka përdorur forcë ndaj një grupi të qytetarëve për shkak të një automjeti udhëtarësh të ngarkuar me dru, i drejtuar nga romë. Kjo tregon se raporti joprofesional, brutaliteti policor dhe voluntarizmi gjatë veprimit ndaj romëve dhe kategorive tjera të qytetarëve të varfër dhe të margjinalizuar, është praktikë e shpeshtë e policisë. Veprimi i këtij lloji është motivuar nga paragjykime raciste dhe mosrespektimi i dinjitetit të romëve. Po ashtu, veçanërisht brengos fakti se policia vepron në mënyrë diskriminuese, me çka në mënyrë seleksionuese përdor forcë ndaj qytetarëve, të cilët gjenden në margjinat e shoqërisë, e nuk vepron në raste ku pasojat, dëmi ose dobia janë prej përmasave më të mëdha. Trajtimi i këtillë i policisë ndaj grupeve të rrezikuara të qytetarëve, nuk do ta kthejë besimin te policia, përkundrazi e shemb, duke ndikuar që qytetarët të ndjehen të rrezikuar dhe të frikësuar, duke përjetuar stres psikik, në vend që të ndjehen të mbrojtur nga ana e nëpunësve policorë.

Rrjeti për mbrojtje nga diskriminimi kërkon vërtetimin e përgjegjësisë personale nga çdo nëpunës policor, nëse ai i ka tejkaluar autorizimet e veta zyrtare, si dhe nga të gjithë personat, të cilët kanë dhënë urdhër të tillë. Kërkojmë nga Sektori për kontroll të brendshëm, hetimet kriminalistike dhe standardet profesionale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, të ngrejë procedurë për hetimin e rastit dhe nëse vërtetohet keqpërdorim i autorizimeve të nëpunësve policorë, të niset procedurë penale dhe ndaj tyre të shqiptohet sanksionet e duhura.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button