Njeriu i parë i OSBE takoi Rufi Osmanin

Kryetari i RDK-së, Rufi Osmani u takua me shefin e misionit të OSBE-së në Maqedoni  Ralf Bret. Gjendja aktuale politike në rajon, zhvillimet e fundit në Luginën e Preshevës, bojkoti i punës së Kuvendit të Maqedonisë nga opozita si dhe zgjedhjet lokale të radhës, ishin tema kyçe për të cilat biseduan kryetari Osmani dhe ambasadori Bret në takimin e tyre në Gostivar.

Sipas komunikatës partiake, shefi i misionit të OSBE-së u njoftua se RDK është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për garën zgjedhore të radhës dhe se kjo parti në zgjedhje do të shkojë si e vetme, ndërsa bashkëpunimi në raundin e dytë do të varet nga specifikat e komunave dhe oferta politike e partive tjera. 

Osmani shprehu bindjen e thellë se RDK përveç asaj që do të fitojë në disa komuna, votat e elektoratit të RDK-së do të jenë vendimtare për të përcaktimin e fituesit jo vetëm në komunat me shumicë shqiptare por edhe në disa komuna me shumicë maqedonase. Ai përkujtoi ambasadorin se në zgjedhjet e fundit parlamentare, kjo parti shërbeu si shembull pozitiv për kampanjë dhe garë korrekte, dhe ishte e vetmja parti e cila doli me raport financiar pa asnjë vërejtje nga institucionet kompetente, si dhe kërkoi që OSBE-ODIHR të bëjë një monitorim të theksuar dhe cilësor të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor nga më shumë aspekte.

Në lidhje me bojkotin e parlamentit nga ana e opozitës, Osmani tha se RDK vlerëson se me fillimin e dialogut për gjetjen e kompromisit në mes partive më të mëdha në vend tashmë krijohen parakushtet për rikthimin e RDK-së në parlamentin e vendit në funksion të propozim – idesë për krijimin e komisionit parlamentar për hetimin e ngjarjeve të fund vitit në parlament.

Në lidhje me situatën në Luginë e Preshevës, lideri i RDK-së kërkoi nga shefi i misionit të OSBE-së që bashkësia ndërkombëtare, çështjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve të Luginës së Preshevës ta trajtojë me standardet e njëjta të reciprocitetit në raport me të drejtat e serbëve në Kosovë dhe në këtë mënyrë të dëshmojnë se kanë qasje të ekuilibruar për të gjithë pakicat kombëtare, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike dhe pavarësisht vendeve ku ato jetojnë.

Ambasadori Bret, nga ana e tij ritheksoi se OSBE është e interesuar që procesi zgjedhor të jetë konform standardeve dhe rekomandimeve të OSBE-ODIHR dhe se është koha e fundit që Maqedonia të tejkalojë sfidën e organizimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Lajme të ngjashme

Back to top button