Bajrami: Ka dyshime se ka keqpërdorime të mëdha të mjeteve financiare në BFI (video)

Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit ka hapur lëndë për analizim të keqpërdorimeve financiare që dyhohet se ka bërë Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut. Anëtari i Antikorrupsionit, Nuri Bajrami, në konferencën e sotme për media tha se, lënda në formë të padisë i është dorëzuar  komisionit me datë 01.11.2019 dhe është një kopje e padisë penale që është dorëzuar edhe te shumë institucione tjera, përfshirë Prokurorinë Publike për krim të organizuar. Në atë padi penale e cila përbën 116 dëshmi ka dyshime se ka keqpërdorime të mëdha të mjeteve financiare në BFI, njofton Portalb.mk.

Ai tha se sipas informatave që kanë mbledhur, BFI nuk i ka dorëzuar Regjistrit Qendror raport financiar vjetor për 5 vite edhe pse është e obliguar ta bëjë një gjë të tillë.. Sipas tij, kjo është e definuar edhe me ligjin e BFI-së, ku thuhet se nëpunësit fetar ka status të caktuar sipas gjithë normave të BFI-së, por në harmoni me të gjitha dispozitat ligjore të Maqedonisë së Veriut dhe bashkësitë fetare kanë statusin e personit juridik.

“Ata kanë për obligim të dorëzojnë raport vjetor financiar deri te Regjistri Qendror dhe llogari vjetore. Nga informatat që i mblodhëm nga Regjistri Qendror 5 vitet e fundit nuk kanë dorëzuar raport as llogari përfundimtare vjetore dhe në bazë të ligjit, Regjistri Qendror drejtpërdrejt në këto raste kushdo qoftë personi juridik, pavarësisht pozitës a është bashkësi fetare apo institucion tjetër dhe ka obligim të dorëzojë raport vjetor dhe nuk e ka dorëzuar, Regjistri Qendror duhet të iniciojë procedurë kundërvajtëse të shqiptoje gjobë dhe në rast mospagese, duhet të iniciojë procedurë para Gjykatës Kompetente”, tha Bajrami.

Bajrami ka deklaruar se, DAP në rastin konkret ndaj të gjithë atyre që kanë obligim, mund të ushtrojë kontroll të jashtëm të definuar sipas ligjit për punën materiale financiare dhe se ka ngritur iniciativë për kontroll të jashtëm ndaj BFI-së, për periudhën prej 1 janar 2014 deri 31 dhjetor 2018 dhe ende nuk ka përfunduar, por deri sot Komisioni nuk ka marrë informata në lidhje me këtë.

Po ashtu, ai ka informuar se nga Ministria e Financave kanë marrë informata se BFI-së i është lëshuar fletë obligime në vlerë prej 9 mln euro për prona të pakthyeshme.

“Nga Ministria e Financave na erdh përgjigja se për 10 vitet e fundit, BFI-së i është lëshuar fletëobligime në vlerë prej reth 9 mln euro për një pronë për 48.152 m2 dhe për hapësira prej 210 m2. Kjo tokë dhe këto hapësira ndërtimore mbulohen me rreth 9 mln euro të cilat duhet t’i merr BFI, janë para që ka lëshuar Ministria e Financave për 10 vitet e fundit”, tha anëtari i Antikorrupsionit.

Duke u sqaruar në lidhje me akuzat që mori kohë më parë nga ana e BFI-së së po ndërhyn në autonominë e këtij institucioni, pasi Bajrami rreth dy muaj më parë kishte thirrur institucionet që të bëjnë kontrolle të jashtëzakonshme në BFI dhe ishte shprehur se askush nuk është mbi ligjin, përfshirë edhe bashkësitë fetare, Bajrami deklaroi se kjo nuk ka të bëjë me ndërhyrje, por është veprim sipas paraqitjes që kanë pranuar dhe jo me iniciativë të Antikorrupsionit.

“Pasi kjo padi është dorëzuar edhe në shumë organe të tjera, ndërsa organet tjera janë nën mbikëqyrje tonë, ndaj të cilëve kemi kompetencë të veprojmë kur ato nuk i ushtrojnë autorizimet publike në përputhje me ligjin. Krejt kjo i takon prokurorisë publike se si do të veprojë më tutje, për arsye se sipas ligjit për pengim e korrupsionit, ata nuk trajtohen nga ne si persona zyrtarë. Nëpunësit fetar dhe udhëheqësit e institucioneve fetare, sipas ligjit për bashkësi fetare, i organizojnë aktivitetet fetare vetëm në bazë të normave të bashkësive fetare, por në harmoni me kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. Aktivitetet fetare janë autonome deri në momentin që nuk e cenojnë interesin publik dhe atë të përgjithshëm”.

Kujtojmë se më 27 maj, Riaseti i Bashkësia Fetare Islame javën e kaluar në mbledhjen e jashtëzakonshme me shumicë prej dy të tretave e ka shkarkuar nga funksioni kreun e tyre, Sulejman Rexhepi i cili u zgjodh në vitin 2007 kryetar dhe deri më tani disa herë u rizgjodh me mandat 5-vjeçar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button