Spasovski: Data e zgjedhjeve është temë e përfunduar për Qeverinë

Data për zgjedhjet është temë e përfunduar për Qeverinë, ka shkruar në profilin e tij në Facebook kryeministri, Oliver Spasovski, transmeton Portalb.mk.

“Është e papërgjegjshme shtetin ta lëmë pa parlament, me Qeveri kalimtare dhe me opozitë e cila është me orientim destruktiv dhe vetëm është duke parë të përfitojë njëfarë pike politike në llogari të krizës dhe rreziqeve në të cilat qytetarët janë të ekspozuar”, shkruan Spasovski.

Qeveria e Maqedonisë e Veriut në seancën që u mbajt të mërkurën miratoi dekret që zgjedhjet të mbahen më 5 korrik, nëse nuk vazhdohet edhe më tej gjendja e jashtëzakonshme.

VMRO-DPMNE ka kundërshtuar që zgjedhjet të mbahen më 5 korrik. Në reagimin e tyre ndaj dekretit të djeshëm të Qeverisë, nga kjo parti kanë thënë se tani për tani, prioritet duhet të jetë shëndeti dhe jeta e qytetarëve dhe jo zgjedhjet e shpejta.

Ndërkohë, zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, deklaroi në konferencën e djeshme ka hapësirë që partitë të arrijnë marrëveshje për datën e mbajtjes së zgjedhjeve.

Zgjedhjet u shpallën më 16 shkurt dhe duhej që të mbahen në afatin kushtetues prej 60 ditëve pas shpallje. Por, pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë KOVID-19, zgjedhjet u anuluan, afatet u ngrinë deri në mbarimin e gjendjes së jashtëzakonshme. Qeveria më 22 mars e miratoi dekretin për zgjedhjet. Sipas dekretit qeveritar, zgjedhjet duhet të mbahen 22 ditë pas mbarimit të gjendjes së jashtëzakonshme, pra më 5 korrik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button