Gjuhëpasuruesi Spiro Çomora

Nuk thonë kot se një vepër letrare ka aq versione sa ka lexues. Për mua madje ka aq versione sa ka lexime, sepse kur lexojmë një libër në kohë të ndryshme, gjithashtu lexojmë versionet e reja të tij. Këtë e ndjeva dhe mbrëmë pas rileximit të poemës ”Skënderbeu” të Grigor Përliçevit (1830-1893), e cila, ndryshe prej leximit të bërë para njëzet vitesh, më dha emocionet që ndjejmë kur shijojmë kryeveprat e klasikës së letërsisë botërore, si “Iliada” e Homerit apo “Komedia hyjnore” e Dantes.

Jo rastësisht, vepra e shkruar në greqishte në vitin 1861, në stilin e dy poemave të famshme të Homerit, zë vend të merituar në letërsinë skënderbejane, që nis me “Historinë e Skënderbeut” të Marin Barletit (1504) – gurrën e shumë veprave të mëvonshme të shkruara në gjuhë të ndryshme të botës kushtuar Heroit tonë kombëtar.

E para gjë që bie në sy gjatë leximit të poemës mijëravargëshe të Grigor Përliçevit është dashuria me të cilën autori u këndon bëmave të Skëndërbeut dhe bashkëluftëtarëve të tij, në betejën e madhe për mbrojtjen e Krujës nga ushtria e renegatit të njohur Ballaban Baderit. Kjo vërehet në secilin varg të poems, gjë që flet për zemërgjerësinë e poetit të shquar sllav dhe për shpirtin e tij mirëfilli kosmopolit, që sot është vështirë ta gjesh në hapësirat ballkanike të uzurpuara prej pseudoletrarësh e pseudohistorianësh, broçkullat e të cilëve synojnë mohimin e përkatësisë etnike të Skëndërbeut…

Mrekullia tjetër ndërkaq lidhet me shqipërimin madhështor të vargjeve të poemës nga Spiro Çomora (1918-1973), emri i të cili rradhitet në panteonin e mjeshtërve të mëdhenj të përkthimit, si: Fan Noli, Mitrush Kuteli, Gjon Shllaku, Pashko Gjeçi, Robert Shvarci, Jusuf Vrioni, Mira Meksi… Në veçanti të bëjnë për vete kompozitat e panumërta, me të cilat përkthyesi i shkathtë e pasuron shqipen me shprehje mbresëlnëse e shumë të rralla. Kjo përligj bindjen e Lasgushit, sipas së cilës: Përkthyesi, gjë të parë duhet të ketë kulturën e madhe. Ai që përkthen duhet ta dijë gjuhën shqipe, sidomos kur përkthen poezi. E, kur njeh mirë shqipen, atëherë vargu del jo shqip, por shqipërisht. Kur zotëron gjuhën tënde edhe poezia e përkthyer del e madhërishme. Përkthimi i poezisë është i vështirë, se vetë poezia është e vështirë. S’ka gjuhë që s’mund të përkthehet, po ka përkthyes që s’dinë të përkthejnë. Nga mundësitë që krijon gjuha shqipe ua kalon shumë gjuhëve të botës dhe mund të krahasohet me gjermanishten. Prandaj, s’ka faj gjuha, po ku është përkthyesi?Kuptimet e ndryshme të fjalëve  në gjuhë të ndryshme e bëjnë të vështirë përkthimin, prandaj përkthyesi duhet të ketë kulturë shumë të gjerë që ta zotërojë nga të gjitha anët këtë specifikë të gjuhëve që përkthen. Dhe kur përkthen, të gjejë fjalën, shprehjen e përshtatshme, që i përket vendit, ku përdoret e përse përdoret ajo fjalë apo ajo shprehje…

Pra, vlerat që përmend liriku i madh i gjen njëpërnjë te përkthimi i Spiro Çomorës, përplot shprehje e fjalë gjuhëpasuruese, të ndërtuara në të gjitha mënyrat e mundshme të fjalëformimit në gjuhën shqipe.

Po sjell në vijim disa prej tyre, i bindur se mund t’u hyjnë në punë krijuesve, që nuk kanë pasur mundësi ta lexojnë “Skënderbeun” e Grigor Përliçevit – poetit, publicistit, përkthyesit dhe mësuesit, që një kohë qe mësues edhe në Tiranë:

Fjalëdrejta, nurhyjnore, pikëmadhe, mundim-madhe, krahë-artë, vdekje-akull, gjylehedhëse, gërshetathurur, fjalëçthurur, detmbyllura, brigjebukur, luftëdashës, fjalëzjartë, bukëdhëne, krifeflakë, lëkurëbukur, pesëkubesh, fedhunonjës, kryezbuluar, dhepihës, shpat’armiqësore, rrezikmadhe, mynxyrëmadh, burravrasëse, rrepeveshur, hiedëndur, zemërgrisur, zemërçjerrrëse, zemërgrirë, zemërdredhur, thikëshpuar, thikëprerë, palëstolisur, rrufegoditura, kokërrergjënda, gjethedëndur, gjetheçarë, shtatëpërpjetë, qumështlëngshëm, zogjndjellëse, majëveshur, hijeshumë, lulestolisur, shtatpërpjetë, fronmadh, fronlart, lavdimbuluar, detsundonjës, skeptërmbajtës, kurvëronjës, ëndërrbukur, gishttrëndafil, frerëartë, ngjyrilnjë, arqindisur, turkvrasës, turkçfarosëse, hekurgardhuar, krifezi, fultërrahur, zepërndëzëse, burrëvrasës, supërflakur, kuajzbutëse, vdekjeshpejtë, rrufeshpatë, valëturbull, majëlartë, rrënjëshkulur, rrezikzezë, shumëdheltare, jetëvrasës, jetëkorrëse, rrufetrimi, orëzestë, gjapërlyer, qafëngrehur, lumëmadh, gojëshkumuar, yjeveshur, murelartë, djersëmbuluar, kushtrimlartë, rrjedhëthellë, flamurmbajtës, bashkaltër , erënxitura, pemëshumë, trupcfilitur, frikëndjellës, djersëmbytur, ujturbull, dhelëkundës, dallgëmadh, flluskëshumë, qiellushqyer…

Tani, pasi u njohëm me këto perla gjuhësore, shumë prej të cilave nuk hasen te asnjë vepër tjetër, do ta kemi më të qartë rolin e padiskutueshëm të krijuesve e të përkthyesve profesionistë në pasurimin e gjuhës me fjalë e shprehje të reja, që e afrojnë Shqipen me Gjermanishten e Lasgushit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button