Rrëmuja nëpër rrugë rutinë e përditshme, a jemi në fund të Evropës për numrin e makinave për kokë banori

Maqedonia e Veriut është një nga vendet me shkallën më të ulët të motorizimit të popullatës në Evropë. Pas nesh janë vetëm Shqipëria, Kosova dhe Turqia, tregojnë të dhënat e “Eurostat”. Pavarësisht kësaj, rrëmujat e trafikut në qytetet tona janë dukuri e përditshme, ndërsa problemi i parkimit po rritet çdo ditë, veçanërisht në kryeqytet. Në vitin 2018, në vendin tonë janë regjistruar gjithsej 415.062 automjete pasagjerësh, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Sipas “Eurostat”, në vitin 2018, Maqedonia kishte mesatarisht 200 makina për 1.000 banorë. Një dekadë më parë, kishte 129 makina për 1.000 banorë në vend. Statistika në nivel të BE-së tregon se shkalla e motorizimit nuk ka ndryshuar në mënyrë dramatike vitet e fundit. Në vitin 2018, vendet anëtare të BE-së kishin mesatarisht 519 makina pasagjerësh për 1.000 banorë.

Në shkallën e motorizimit të popullatës së Maqedonisë përfshihen vetëm ato vetura që kanë targa të lëshuara nga MPB e Maqedonisë, që do të thotë se kjo statistikë nuk përfshin automjete që me targa të huaja qarkullojnë nëpër qytetet tona.

Përkundër kësaj, të dhënat për numrin e makinave për frymë janë një nga treguesit kryesorë të nevojës për të investuar në infrastrukturën e një vendi. Nëse marrim parasysh të dhënat për një periudhë prej një dekade, atëherë mund të vërehet se në vendin tonë, së bashku me vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Lindore, qytetarët kanë qenë shumë të interesuar për të blerë veturën e tyre për udhëtimet e tyre, ose për të rritur numrin e automjeteve që ata i posedojnë.

Shkalla e motorizimit të popullatës në Maqedoni do të vazhdojë të rritet pandërprerë edhe në vitet në vazhdim, ndërsa një e dhënë tjetër në atë drejtim është importi me shifra rekorde prej 48.969 automjeteve gjatë vitit 2019 të regjistruara nga Administrata Doganore e RMV-së.

Për të parandaluar kolapsin e trafikut në qytete “Meta.mk” tashmë ka shkruar se udhëheqjet komunale dhe autoritetet shtetërore do të duhet të investojnë shumë më tepër mjete financiare në promovimin e transportit publik, por edhe në investime në projekte për zhvillimin e infrastrukturës rrugore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button