Rusi, janë arrestuar 4 persona për rrjedhën e madhe të naftës

Të paktën 4 persona u arrestuan në Rusi pas një rrjedhjeje të madhe të naftës në rajonin e ndjeshëm ekologjik të Rrethit të Arktikut, raporton Anadolu Agency (AA).

Më 29 maj, mbi 20 mijë ton naftë u derdhën nga një rezervuar në një termocentral, i cili operohet nga kompania Nornikel, prodhuesi kryesor në botë i nikelit dhe palladiumit, në qytetin më verior të botës në Norilsk.

Si rezultat, 180 mijë metra katrorë tokë dhe rrugë ujore u ndotën ndërsa riparimi i efekteve të rrjedhjes vlerësohet në qindra miliona dollarë.

Sipas të dhënave paraprake, rezervuari shpërtheu si rezultat i shembjes së tokës.

Agjencia rregullatore Rostekhnadzor tha se në vitin 2017 ka konstatuar dëmtimin e rezervuarit dhe kishte kërkuar riparimin e tij por kërkesa u injorua.

Pas incidentit, policia arrestoi përgjegjësin e ekuipazhit që ishte në roje atë ditë dhe më vonë gjatë javës, menaxhmentin prej tre personave të stacionit.

Përveç kësaj, kryetari i Norilskit, Rinat Ahmetchin u akuzua për neglizhencë të enjten. Hetuesit pretenduan se ai e dinte për shkallën e incidentit, të cilësuar nga ekologët si “një katastrofë ekologjike”, por nuk ndërmori asnjë hap për t’u marrë me situatën e emergjencës.

Ndërkohë, organet e zbatimit të ligjit nuk e kanë vënë nën hetime drejtorinë e lartë të Nornikel, megjithëse kompania është implikuar në skandale të shumta ekologjike, përfshirë emetimin e substancave të rrezikshme në shkallë të gjerë në vitin 2016 dhe një rrjedhje tjetër të karburantit në vitin 2020.

Ndërsa këto ditë, rreth 500 specialistë dhe 120 njësi të pajisjeve po përpiqen të riparojnë pasojat e aksidentit.

Prodhimet e naftës po grumbullohen nga toka dhe uji. Barrierat lundruese përdoren për të parandaluar përhapjen e mëtejshme në lumenj ndërsa dronët kontrollojnë situatën nga ajri.

Rezervuari ishte çmontuar, ndërsa tre rezervuarët e tjerë të depozitimit të vendosur pranë tij po kontrollohen.

Presidenti rus Vladimir Putin shpalli gjendje të jashtëzakonshme në rajon dhe udhëzoi përdorimin e teknologjisë më të lartë në dispozicion dhe metodat më të pranueshme me mjedisin për të pastruar territoret.

Ai gjithashtu urdhëroi që të analizohet gjendja e objekteve të ngjashme në të gjithë Rusinë dhe të kryejë inspektime nëse është e nevojshme, me përfshirjen e ekspertëve të Ministrisë së Emergjencave dhe organeve të zbatimit të ligjit.

Ekspertët thonë se rikuperimi i mjedisit do të zgjasë për dekada, sepse eko-sistemet veriore kthehen përsëri në normale shumë ngadalë.

Rrjedhja e naftës në Norilsk është katastrofa e dytë më e madhe mjedisore pas rrjedhjes së naftës në Komi në vitin 1994 kur 94 mijë ton naftë bruto u derdhën për shkak të shpimit të tubacionit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button