Fule do të pajtojë VMRO dhe LSDM?

Sa të merr sinjal pozitiv nga bashkëpunëtorët e tij, euro-komisari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fule pritet të vijë në Shkup për të pajtuar pozitën dhe opozitën maqedonase dhe kështu të zgjidh krizën politike në vend. 

Burime nga Sekretariati për çështje evropiane bënë të ditur për Portalb se në fillim të shkurtit pritet vizita e tij ndërsa marrëveshja e cila do ti “pajtojë” VMRO dhe LSDM është që kjo e dyta të kthehet në Parlament ndërsa Qeveria të pranojë në mars të mbahen zgjedhjet lokale së bashku me ata të parakohshme parlamentare.

Komisioni Evropian nuk dëshiron që incidenti i 24 dhjetorit të reflektojë keq në raportin për përparimin e Maqedonisë që do ta publikojë në mars të këtij viti. Në këtë raport do të vlerësohen reformat e vendit dhe njëkohësisht arritjet për çështjen e emrit me Greqinë. Raporti është shumë i rëndësishëm sepse në bazë të suksesit të tij do të vendoset ti jepet apo jo datë negociatash Maqedonisë me BE-në. 

Përpos theksit në mënjanimin e krizës politike, Fule është angazhuar intenzivisht edhe rreth kontestit me Greqinë kreu i KE-së. Ai inicion bisedime të reja mes Athinës dhe Skupit. Kështu shkruan gazeta zvicerane “Neuer sicher zeitung” transmeton Deutche Welle.

“Ekziston një arsye e mire pse Fule ka vendosur të hap pikërisht çështjen e Maqedonisë. Në vendet e tjera kandidate për BE, situata është ende më e komplikuar. Administratorëve që punojnë në zyrën e Fulesë duket se nuk u mungon ideja për ta çuar Maqedoninë drejt rrugës së BE-së” shkruan “Neuer sicher zeitung”.

Por në dukje të parë, Greqia mban qëndrim negativ ndaj iniciativave të Fule-së. Ajo ka refuzuar ofertën e tij për takim trelateral ku do të merrte pjesë ministri grek për punë të jashtme, Dimitris Avramopulos  dhe homologu i tij maqedonas, Nikolla Poposki.

Nga ana tjetër, personi i cili zyrtarisht ka në duar bisedimet mes Greqisë dhe Maqedonisë, ndërmjetësi i OKB-së Matthew Nimetz, pas vizitave në Shkup dhe Athinë u tregua tejet optimist. Deklaratat e tij në opinion ngjallën besimin se çështja mund të lëvizë përpara pas dy dekadave të bllokadës totale.

Sidoqoftë, disponimi i Nimetz nuk domethënë asgjë për ish-ambasadorin grek në Maqedoni dhe njohësin e mirë të kësaj çështjeje, Aleksandros Maljas.

“Jam pesimist se do të arrihet marrëveshja. Nuk shoh potencial për zgjidhje të kontestit të emrit” ka thënë Aleksandros Maljas në një intervistë për Novatv.mk 

“I kuptoj ambiciet e Fyle-së por konkluzat e Samitit të Dhjetorit nuk i përmbajnë ato fjali që Fyle i tha në Shkup dhe Athinë. Edhe pse Fyle është komisar për zgjerim, është Këshilli i ministrave të Bashkimit të Evropian i cili vendos” ka theksuar ish ambasadori grek në Maqedoni. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button