Mulla Hasan Masurica, vizionari shqiptar që shpiku fluturaken

Hasan Islami ndryshe i njohur si Mulla Hasan Masurica, është njeriu që i bën krenarë shqiptarët me revolucionin të cilin ai e bëri në shkencë. Përveç punës si imam xhamie,  ai merrej edhe me hulumtime shkencore dhe inovacione të cilat ishin të pakapshme dhe jo logjike për civilizimin e asaj kohe.

Mulla Hasan Masurica është njeriu i parë që ndërtoi mjetin e fluturimit para vëllezërve Wright, dhe shumë zbulime dhe inovacione të tjera.

U lind më 22 Janar të vitit 1869 në Gjilan. Që në vitet e fëmijërisë, ai dallohej në shkollë. Idetë, kreativiteti dhe aftësitë e tija u panë që në shkollën fillore në të cilën e kreu me sukses ku i dalluar kishte qenë në gjuhën Arabe, Vizatimin Teknik, Histori, Gjeografi dhe gjuhën Turke.

Kryevepra

Ideja për konstruktimin e një mjeti i cili do të fluturojë u dukej qesharake njerëzve të cilët dëgjonin këto fjalë. Mirëpo pas shumë pengesave dhe mungesave të materialeve puna e tij ngadalësohej, por assesi ai të ndalet.

Kështu, Hasan Masurica më 1899, ndërtoi aeroplanin nga dërrasat e plepit dhe përlhura të lyera me dyllë, në fshatin Zarbicë atëbotë rrethi i Vranjës, me të cilin i biri, Muharremi 12-vjeçar u ngrit në ajër 50 deri 70 metra lart duke kaluar një distancë prej afro katër kilometra. Kjo ngjarje mahniti pa masë fshatarët e Zarbicës dhe të fshatrave përreth.

Në ndërtim e aeroplanit, që kishte krahë dhe bishtin sikur aeroplanët e sotëm, atij i kishte ndihmuar farkëtari i fshatit me emrin Abdyl. Atë ditë kur aeroplani (të cilin ata e kishin quajtur ballon) ishte ngritur në ajër, e pjesëmarrës, përveç Hasan Masuricës dhe të birit, Muharremit, kishin qenë farkëtari Abdyl dhe Mahmut Rrapi nga fshati Zabicë, ndërkaq fluturimin e aeroplanit e kishin parë qindra e qindra fshatarë e barinj, që punonin në fushë ose kullotnin bagëtinë.

Për këtë vepër të madhe shkruan gazetat nga çdo skaj i botës.

Nxënësit e tij janë dëshmia më e mirë për vizionin e tij shkencor, kur një herë u kishte thënë nxënësve se në vitin 2100 njerëzit nuk do të kenë nevojë të punojnë. Njerëzit do ta zhvillojnë e përparojnë aq shumë shkencën e teknikën, sa që nuk do të kenë nevojë të punojnë fizikisht fare. Kjo do të ndikojë që njeriut t’i dobësohen gjymtyrët e trupit, trupi i njeriut do të zvogëlohet, rrëfen Qerim Ibrahimi, njëri nga nxënësit e shumtë të Mulla Hasanit.

Biografia

Pasi përfundoi shkollimin fillor, ai nuk vazhdoi menjëherë studimet, por qëndroi në shtëpi, dhe dëshirën dhe entuziazmin e lartë për të lexuar, e shfrynte tek libraria gjigande të cilën e kishin pasur në shtëpi, të kultivuar nga gjyshi dhe babai i tij.

Hasani pasi kreu shkollën tetëvjeçare (Ruzhdije) në Gjilan, e regjistroi shkollën Darul Mualimin (shkolla normale e fesë Islame) e kreu në Shkup më 1907, dhe për regjistrim nuk i është nënshtruar testimeve për shkak se ka qenë e njohur inteligjenca e tij.

Shpikja e parë e tij ndodhi gjatë vitit 1902, kur ai dizajnoi një pushkë të drurit. Edhe pse testimi i parë i dështoi, nga pëlcitja e barotit u thye këmbëza e pushkës. Mirëpo kjo nuk e ndaloi atë të vazhdon. Më pas ai e përsosi pushkën dhe ajo funksiononte perfekt.
Por ai vazhdoi më tej, ku pas një periudhe kohore ndërtoi pushkën me një, pesë dhe njëzetë e pesë fishekë, të cilat i demonstroi para Sulltan Abdul Hamidit në Stamboll.

Në Pranverën e vitit 1905, në adresë të Hasan Masuricës, “Atek Xhami” nr. 144, në Gjilan, arrin një letër e mbyllur me dyllë. Mbi dyllë ishte shtypur shenja e Sulltan Hamidit. Hasan Masurica e lexon letrën me nxitim. Nuk iu besonte se Sulltan Hamidi ishte informuar për inovacionet e tij, sidomos për pushkët, dhe e ftonte në audiencë, në Stamboll. Në letër pastaj lexoi për udhëzimet që i jepeshin Hasan Masuricës, që të shkonte te kajmekami i Gjilanit dhe të siguronte dokumentin e shpenzimet për të udhëtuar në fshehtësinë më të madhe me armët e tij për në Stamboll. Hasan Masurica pasi siguron dokumentin e nevojshëm të udhëtimit dhe parat për rrugë, armët i mbështjellë në mysheme dhe niset për rrugë. Një ditë qëndron te profesori i tij në Shkup, myderrizi Kamber Krasniqi, i cili e njofton se ai i kishte shkruar sulltanit për inovacionet e tij. 

Hasan Masurica me të arritur në Stamboll, përmes Shkupit dhe Selanikut, natën e parë e kalon në një bujtinë. Të nesërmen, para se të arrijë te sarajet e sulltanit, falë adresës që ia kishte dërguar i vëllai i tij, Hyseni, i shpërngulur në Turqi shumë vite më parë, në një librari e gjen një libër të lashtë arabe mbi astronominë. Kur Hasani ia kërkon librin shitësit, i cili ishte rreth 84-vjeç, shitësi i thotë:

“Unë nga fëmijëria e hershme punoj në dyqanin e babait dhe qysh atëherë e kemi librin që ju e kërkoni, por nuk mbaj mend të ketë kërkuar kush këtë libër! Zotëria juaj, në qoftë se di të lexojë së paku një rresht e ta përkthejë, unë do t’u falë librin dhe një lirë ari të kuqe! Hasani i gëzuar që kishte gjetur librin, që e kishte dëshiruar kaherë, e merr librin në dorë, e shfleton me kujdes dhe fillon, së pari të lexojë në gjuhën arabe e pastaj ta përkthej atë që e kishte lexuar për ta bindur shitësin se ai, jo vetëm që dinte të lexonte rrjedhshëm arabisht, por edhe dinte të përkthente në turqishte atë që e kishte lexuar. Atëbotë shitësi i dhuron librin dhe një lirë ari. Atë ditë, Hasan Masurica paraqitet në sarajet e sulltanit në “Dollma Bahçe” kurse të nesërmen vetë Sulltan Hamidi e pret në audiencë. Para se Hasan Masurica të bëjë demonstrimin e armëve para sulltanit, këshilltarët e padishahut kishin ftuar të merrnin pjesë edhe tre shqiptarë Azem, Sherif dhe Osman Sedllarin nga fshati Sedllar, atëbotë rrethi i Gjilanit, truprojat personale të sulltanit.

Hasan Masurica në Luftën Ballkanike mori pjesë aktive kundër ushtrisë bullgare në fshatrat e komunës së sotme shqiptare të Vranjës e të Bujanovcit, me ç’rast qe plagosur në fytyrë, më 1916, kur bullgarët e dogjën fshatin Zarbicë ku shërbente si imam xhamie, mësues i fesë islame dhe merrej me inovacione. Atëbotë bullgarët ia kishin djegur shtëpinë dhe bibliotekën shumë të pasur rreth 400 ekzemplarë.

Ai punoi si imam xhamie dhe mësues i fesë islame në fshatrat Zarbicë, Dobërçan dhe Muçivërc. Mulla Hasan Masurica vdiq në moshën 73 vjeçe në fshatin Muçivërc të Kamenicës më 1942./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button