Diaspora shqiptare dorëzoi 2 mijë teste për RMV-në, 12 mijë në Kosovë dhe një mijë për Luginën

Instituti kombëtar i shëndetësisë publikë të Kosovës raportoi se ka pranuar 15 mijë testime nga diaspora shqiptare, në krye me kompani si Ecolog, Eurokoa dhe AWR Abbruch. Prej këtyre testeve, 12.000 do të shkojnë për Kosovën, 2000 për Maqedoninë e Veriut dhe 1.000 për Luginën, transmeton Portalb.mk.

“Donacioni është nga Ecolog, Eurokoha dhe AWR Abbruch dhe prej tij, 12 mijë kite janë të dedikuara për IKSHPK-në (Kosovë), 2 mijë për Maqedoni dhe 1 mijë për Preshevën”, raportuan nga Instituti.

Pranim-dorëzimin në Institut e shoqëroi edhe udhëheqësi i kompanisë Ecolog, Lazim Destani, i shoqëruar me Remzi Ejupin nga Eurokoha dhe me Nazim Viqa nga AWR Abbruch. Gjithashtu prezent ishte edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt.

“Ne po vijmë sot nga Gjermania. Unë bashkë me dy kolegët, Nazmi Viça, kryetar i Unionit të Bizneseve në Gjermani dhe Remzi Ejupi, pronar i kompanisë Eurokoha, kemi marrë këtë iniciativë duke e parë të nevojshme që të sigurohen më shumë teste për koronavirus. Kjo iniciativë ka nisur një muaj më parë me ish-ministrin, Arben Vitia ndërsa sot po e finalizojmë”, ka thënë Lazim Destani, përfaqësues i diasporës.

Ndryshe, ministri i shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj ka bërë të ditur të enjten se është njoftuar nga Instituti i Shëndetit Publik se nuk ka teste të mjaftueshme për konfirmimin e rasteve me koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button