Bulevardi “Hristijan Todorovski”, njëri udhëkryq me semaforë të fikur një muaj pas lëshimit në përdorim

Në njërin prej udhëkryqeve të bulevardit të ri “Hristijan Todorovski – Karposh”, edhe një muaj pas inaugurimit nuk funksionojnë fare semaforët. Mosfunksionimi i semaforëve është rrezik si për udhëtarët që e përdorin këtë rrugë të pjesës veriore të Shkupit, ashtu edhe për këmbësorët, njofton Portalb.mk.

Ndonëse bulevardi “Hristijan Todorovski – Karposh” u lëshua në përdorim përpara 1 muajve, prej atëherë semaforët në këtë udhëkryq nuk kanë punuar. Në këtë rrugë frekuentojnë makina për t’u lidhur me pjesën e Butelit, Radishanit, Lubancit, Lubetenit, Çuçer-Sandevës. Sipas “Ligjit për Siguri të Komunikacionit në Rrugë”, komunat dhe Qyteti i Shkupit e rregullojnë komunikacionin në rrugët lokale dhe rrugicat në zonën e tyre, në pajtueshmëri me dispozitat ligjore. Në këtë rast ata janë përgjegjës për vendosjen dhe mirëmbajtjen e semaforëve.

Nga Qyteti i Shkupit thonë se semaforët nuk janë lidhur për shkak se EVN-ja ende nuk ka vendosur njehsor.

“Në njërin prej lokacioneve përgjatë rrugës së re të bulevardit “Hristijan Todorovski – Karposh” semaforët ende nuk janë lidhur pasi që nuk ka njehsor. Për momentin të njëjtin duhet ta vendosin ekipet e EVN-së, Menjëherë pas vendosjes së njehsorit, ekipet e NP “Rrugët dhe Rrugicat” do t’i kyçin semaforët”, thuhet në përgjigjen e Qytetit të Shkupit për Portalb.mk.

Nga EVN për Portalb.mk thonë se kanë arritur kërkesa e Qytetit të Shkupit dhe për të njëjtën do të veprojnë në ditët në vazhdim.

“Qyteti i Shkupit ka dorëzuar disa kërkesa, ndaj të cilave tanimë EVN po punon. Ashtu siç do të mbarojë me përgatitjen e dokumentacionit dhe zgjidhjen teknike, njehsorët do të vendosen”, thonë nga EVN.

Portalb.mk, jozyrtarisht mëson se kërkesa e Qytetit të Shkupit është dorëzuar këtë javë, ndërkaq bulevardi është inauguruar më 7 maj. Në inaugurimin e bulevardit mori pjesë edhe kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.

Bulevardi i ri është i gjerë 40 metra, me gjashtë korsi me nga tre metra e gjysmë. Nga të dyja anët ka rrugica për biçikleta të gjera dy metra e gjysmë, rrugica për këmbësorë nga të dyja anët me sipërfaqe të përzier, hapësirë për gjelbërim të mesëm dhe brez të gjelbër nga të dy anët e bulevardit. Është vendosur kanalizim i ri ujësjellësi, atmosferik dhe fekal dhe ndriçim i ri rrugor prej 140 shtyllave

Derisa Qyteti i Shkupit t’i vë në funksion semaforët në këtë udhëkryq, i njëjti gjithsesi mbetet i rrezikshëm për qytetarët të cilët lëvizin në këtë aks rrugor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button