Derkoski: Presim që dekreti i Qeverisë të shpallet në Gazetën Zyrtare më pas do të vendosim si do të veprojmë

Qeveria e Maqedonisë e Veriut në seancën e djeshme qeveritare miratoi dekret që zgjedhjet të mbahen më 5 korrik, nëse nuk vazhdohet edhe më tej gjendja e jashtëzakonshme.

Në bazë të këtij dekreti, Komisioni Shtetëror Zgjedhorë obligohet që të ndërmerr të gjitha aktivitetet e nevojshme për përgatitje të procesit zgjedhor në pajtueshmëri me kodin zgjedhor.

I pyetur nëse kanë filluar aktivitetet për organizim të procesit zgjedhor, kryetari i KShZ-së, Oliver Derkoski, deklaroi për Portalb.mk se presin që dekreti të publikohet në Gazetën Zyrtare dhe më pas të vendosin se si do të veprojnë.

“Nuk e kemi marrë vendimin, përkatësisht nuk ka dalë në Gazetën Zyrtare që të bëhet zyrtare dhe deri atëherë nuk kam çfarë të komentoj. Duhet ta shohim, ta lexojmë, përderisa nuk del nuk mund t’ju them në bazë të spekulimeve, duhet të bëhet dokument zyrtar”, tha Derkoski.

Kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski, foto: Borçe Popovski, "Kolektif.mk"
Kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski, foto: Borçe Popovski, “Kolektif.mk”

Derkoski tha se sa i përket qëndrimit të tij personal, për organizim të zgjedhjeve duhet më së paku 35 ditë.

“Sa i përket qëndrimit tim personal, kam thënë edhe më herët, më së paku 35 ditë më së shumti 50 duhet për organizim të zgjedhjeve dhe nuk lëshoj pe nga ai qëndrim, por ai është qëndrim personal. Tani duhet të shoh çfarë thuhet në dekretin e Qeverisë dhe sipas asaj të shohim se si do të veprojmë”, deklaroi ai.

Gjendja e katërt e jashtëzakonshme, do të përfundojë të shtunën më 13 qershor. Nëse nuk do të vazhdohet, ajo do të nënkuptojë se më 5 korrik do të duhet patjetër të mbahen zgjedhjet.

Qeveria ka theksuar ditë më pare se, tani për tani vlerësojnë se nuk ka nevojë për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme. Megjithatë, në lidhje me këtë vendimi përfundimtar duhet të merret deri të premten.

VMRO – DPMNE, foto: Vanço Xhambaski

VMRO-DPMNE kundërshton që zgjedhjet të mbahen më 5 korrik. Në reagimin e tyre ndaj dekretit të djeshëm të Qeverisë, nga kjo parti kanë thënë se tani për tani, prioritet duhet të jetë shëndeti dhe jeta e qytetarëve dhe jo zgjedhjet e shpejta.

“Në vend të politikës dhe zgjedhjeve, përparësia e tyre kryesore duhet të jetë ballafaqimi me epideminë. Maqedonia sipas përballjes me epideminë është renditur ndër më të këqijat në botë, ne jemi mbajtësit e rekordeve në Ballkan sipas të infektuarve dhe të vdekurve nga koronavirusi në një milion banorë. Sidoqoftë, këto parametra të zi nuk e pengojnë Zaevin ta kthejë Maqedoninë në një Vuhan evropian, vetëm dhe vetëm për ta shpëtuar karrierën e tij politike”, thuhet në reagim.

Ndërkohë, zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, deklaroi në konferencën e sotme për media se, dekreti që mbrëmë e miratoi Qeveria, i referohet Dekretit paraprak të sjellur në mars, me të cilin ishte ndërprerë afati për zgjedhje. Ai beson se partitë do të arrijnë konsensus për datën e zgjedhjeve.

Bujar Osmani
Bujar Osmani

“Atëherë, në të vërtetë u caktua se në ditën kur do të përfundojë gjendja e jashtëzakonshme, kthehet afati i rregullt zgjedhor, që do të thotë 22 ditë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme. Me sjelljen e dekretit të djeshëm, në të vërtetë bëmë vetëm disa saktësime nga aspekti i kontrollit të listës zgjedhore, duke iu referuar normës ligjore, por edhe disa obligimeve që duhet t’i bëjë Ministria e Shëndetësisë për t’i siguruar mjetet personale mbrojtëse për KSHZ-në. Akoma shpresoj se komunikimi mes partive politike do të vazhdojë në ditët në vijim. Akoma mendoj se ka hapësirë për një proces të drejtë inkluziv më 5 korrik”, tha Osmani.

Zgjedhjet u shpallën më 16 shkurt dhe duhej që të mbahen në afatin kushtetues prej 60 ditëve pas shpallje. Por, pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të pandemisë KOVID-19, zgjedhjet u anuluan, afatet u ngrinë deri në mbarimin e gjendjes së jashtëzakonshme. Qeveria më 22 mars e miratoi dekretin për zgjedhjet. Sipas dekretit qeveritar, zgjedhjet duhet të mbahen 22 ditë pas mbarimit të gjendjes së jashtëzakonshme, pra më 5 korrik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button