Faktoje: Kovid-19 e rrit rrezikun për rritje të kontrabandës së kanabisit në Shqipëri

Masat kufizuese kundër përhapjes së Covid-19, kanë “penalizuar” përkohësisht edhe kultivimin e trafikimin e paligjshëm të kanabisit nga Shqipëria. Europol dhe Qendra Europiane për Monitorimin e Drogave dhe varësisë ndaj tyre, raportojnë se kanabisi i prodhur në Shqipëri pritet të mbushë mungesën në tregjet europiane. Edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu pranoi se fenomeni i kultivimit të lëndëve narkotike ka një trend rritës këtë vit. Nga ana tjetër, mungesa e kontrollit nga ajri e Guardia di Finanza, “favorizon” në këtë rast kultivuesit dhe trafikantët, shkruan Faktoje.al.

Ndërkohë që Shqipëria pritet të lejojë me ligj kultivimin dhe tregtimin e kanabisit mjekësor, gjatë këtij viti parashikohet të rritet ndjeshëm kultivimi i paligjshëm i bimës narkotike.

Kjo palajmërohet në raportin e fundit të përbashkët të Europol dhe Qendrës Europiane për Monitorimin e Drogave dhe varësisë ndaj tyre (EMCDDA).

Në Shqipëri, një vend prodhues i kanabisit bimor për tregjet europiane, kultivimi i kanabisit pritet të rritet, ndërkohë që institucionet janë të përqëndrua në mbarvajtjen e rregullave si pasojë e pandemisë “Covid-19”, – thuhet në raportin e Europol dhe EMCDDA.

Sipas raportit, “Kufizimet globale në udhëtime dhe masat e tjera si rezultat i pandemisë COVID-19 kanë pasur një ndikim të përkohshëm kufizues në tregun europian të drogave duke çuar në mungesë dhe çmime më të larta për disa lloje narkotikësh, por situata është subjekt i ndryshimit të shpejtë”.

Rrugëkalimet nga vendet e Ballkanit Perëndimor drejt vendeve të Bashkimit Europian mbeten ende në përdorimin e trafikantëve, – shton raporti.

Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Sigurisë më 29 maj, pranoi se këtë vit ka një tendencë në rritje sa i përket kultivimit të lëndëve narkotike në vendin tonë.

Tendenca është në rritje, e theksoj edhe këtë vit tendenca për kanabisin është në rritje. Në këtë luftë ka ngelur vetëm policia. Duhet që gjithë aktorët e tjerë të marrin më shumë përgjegjësi, – u shpreh Veliu.

Edhe eksperti i Ekonomisë, Zef Preçi argumenton se mungesa në tregjet europiane pritet të “mbushet” me kanabis nga Shqipëria.

Deformacionet që ka pësuar ky treg informal dhe kriminal në vendet e BE-së reflektoi pikërisht prodhimin e “mbarë” në Shqipëri. Sipas njësive ligjzbatuese, si psh. ato italiane, në sasitë që kalojnë përmes Adriatikut vetëm 25 për qind e tyre arrin të sekuestrohet. Pra, do të thotë që përbën një shqetësim në rritje dhe njëkohësisht shqetësimi më i madh është deformacioni që sjell në ekonominë shqiptare, – i tha “Faktojes” eksperti i ekonomisë, Preçi.

Rrezikun për kultivimin në masë të kanabisit e shton edhe fakti se këtë vit nuk ka survejime nga ajri nga autoritetet italiane për monitorimin e parcelave me kanabis.

Ata kanë kërkuar çfarë procedure do të ndiqet në lidhje me personelin që do vijë të atashohet këtu. A do t’i përmbahej normave kufizuese në lidhje me karantinimin. Ne kemi kthyer përgjigje dhe besoj shumë shpejt Guardia do të jetë shumë shpejt këtu, – deklaroi Veliu.

Ndërkohë që Shqipëria vijon të konsiderohet si vend prodhues në masë i kanabisit, përqëndrimi i autoriteteve tek situata e krijuar nga “Covid-19” dhe mungesa e survejimit nga ajri nga Guarda di Finanza, rreziku për shtimin e kultivimit të kanabisit mbetet real.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button