Shqipëria vendi më i goditur i rajonit nga pandemia Covid-19

Shqipëria konsiderohet si vendi më i cenuar në rajon nga efektet e krizës së pandemisë “Covid-19”. Banka Botërore dhe BERZH e konsiderojnë Shqipërinë si vendi që do të goditet më së shumti në ekonomi, me pasojë rritjen e nivelit të varfërisë. Banka Botërore, për Maqedoninë e Veriut jep skenarë pak më optimistë, shkruan Portalb.mk. Por, cilat janë arsyet sipas vlerësimit të  institucioneve ndërkombëtare në parashikimet e tyre për Shqipërinë? 

Banka Botërore, në një studim të publikuar më 29 maj me tematikë “Si COVID-19 mund të ndikojë në varfërinë dhe mirëqenien e familjeve në Ballkanin Perëndimor”, paralajmëroi për rritje të varfërisë në kuotën 44 për qind për qytetarët shqiptarë, më e larta se çdo vend i rajonit.

Sipas simulimeve të kryera për këtë shënim vlerësohet se shkalla e varfërisë në Shqipëri mund të rritet me 4 deri në 8 për qind, duke shkuar në rreth 40 për qind në skenarin e parë dhe 44 për qind në skenarin e dytë. Meqenëse shumica e njerëzve që punojnë në bujqësi janë tashmë të varfër, dhe simulimi nuk supozon ulje të të ardhurave në bujqësi, rritja e varfërisë do të vijë kryesisht si rezultat i njerëzve në qytete të cilët punojnë në sektorin e shërbimeve dhe pritet të humbasin një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të tyre”- theksohet në raportin e Bankës Botërore.

Banka Botërore, për Maqedoninë e Veriut jep skenarë pak më optimistë, duke parashikuar një nivel varfërie gati sa gjysma e Shqipërisë.

Simulimet parashikojnë rritje të shkallës së varfërisë nga rreth 17 për qind që ishte në 2019, në rreth 20‒23 për qind në vitin 2020, ndërsa 55,000 deri në 130,000 maqedonas (në varësi të faktit nëse kriza zgjat tre apo gjashtë muaj) do të bien në varfëri”- thuhet në raportin e Bankës Botërore.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) gjithashtu parashikoi skenarë negativë për ekonominë shqiptare.

BERZH parashikoi që ekonomia shqiptare do të tkurrej me 9% gjatë 2020-s, më e larta në rajon dhe pothuajse dyfish në raport me parashikimet e FMN-në dhe Bankës Botërore.

Drejtori i zyrës së Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Tiranë, Matteo Colangeli, në një intervistë për revistën ekonomike Monitor, përmend varësinë e lartë nga turizmi dhe remitencat si arsyet kryesore ku bazohen parashikimet për një rënie kaq të madhe ekonomike.

Shkalla në të cilën do të ndikohen vendet individuale varet nga shumë faktorë, duke përfshirë rëndësinë relative të disa sektorëve në Prodhimin e Brendshëm Bruto, integrimin e tyre në zinxhirin global të vlerave, vendndodhjen gjeografike dhe partnerët kyç tregtarë, po ashtu dhe kushtet specifike që mbizotëronin përpara se të fillonte kriza. Shqipëria rezulton të jetë veçanërisht e ndikuar për shkak të një kombinimi të pafavorshëm të disa prej këtyre faktorëve”- argumenton Colangeli.

Lidhur me masat e marra nga qeveria për menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia e “Covid-19”, drejtori i BERZH në Tiranë argumenton se Shqipëria vendosi më pak burime financiare në dispozicion.

Masat e miratuara në Shqipëri kanë qenë kryesisht të ngjashme me ato në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Ajo që ndryshon midis vendeve është sasia e burimeve të vendosura në dispozicion dhe efikasiteti në zbatimin e paketave të shpallura. E para, natyrisht, është e nxitur nga pozicioni fiskal i secilit vend, dhe këtu borxhi publik relativisht i lartë dhe likuiditeti i ulët me të cilin po përballej Shqipëria në fillim të krizës nuk ka ndihmuar. E dyta lidhet me efektivitetin e administratës publike dhe aftësinë e saj për të shndërruar shpejt vendimet e marra në nivelin politik në rezultate të prekshme për njerëzit dhe bizneset në një situatë krize.” shprehet Colangeli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button