Daçiç dhe Dimitrov diskutuan lehtësimin e masave në vendkalimet kufitare

Përderisa qytetarët e Maqedonisë së Veriut kalojnë kufirin me Serbinë pa teste për COVID-19 dhe detyrimin për të shkuar në izolim pas hyrjes në vend, lehtësimi i tillë i masave për qytetarët e Serbisë pritet deri në fund të muajit, thanë ministrat e Jashtëm të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, Ivica Daçiç dhe Nikolla Dimitrov, pas një takimi në Nish, raporton Anadolu Agency (AA).

Siç shpjegoi Dimitrov, ekzistonte një plan për t’u lejuar qytetarëve të Serbisë hyrjen e lirë në vend nga 15 qershori, por kjo tani është e pasigurt.

“Gjatë rrugës duke ardhur këtu, kërkova ministrin e Shëndetësisë, sepse kolegu im Venko Filipçe dhe unë jemi të përfshirë në çështjen e kufirit. Ne do të flasim më intensivisht këto ditë dhe paralelisht me monitorimin e situatës me virusin në vend dhe në rajon, këto ditë duhet të marrim një vendim. Mendoj se kjo është e sigurt se do të ndodhë këtë muaj, megjithëse është mosmirënjohëse ta parashikosh këtë duke pasur parasysh paparashikueshmërinë e epidemisë”, tha Dimitrov.

Ai shtoi se epidemia ia tregoi botës, Evropës dhe Ballkanit rëndësinë e unitetit dhe falënderoi Serbinë për bashkëpunimin në luftën kundër COVID-19. Dimitrov gjithashtu u shpreh se pret që Maqedonia e Veriut dhe Serbia, të cilat janë “fqinjë me një histori të përbashkët”, së shpejti do të kenë një “të ardhme të përbashkët evropiane”.

Daçiç konfirmoi se qytetarët e Maqedonisë së Veriut hyjnë në Serbi pa teste dhe masa izolimi, përveç kur shfaqin simptoma të sëmundjes COVID-19. Ai shtoi se është e rëndësishme të respektohen rregullat e vendeve të tjera të rajonit, “duke pasur parasysh që as Serbia dhe as Maqedonia e Veriut nuk janë ishuj të izoluar”.

“Me Bosnjë e Hercegovinën kemi marrëveshje për kalim të lirë, si dhe me Hungarinë dhe Bullgarinë. Greqia gjithashtu ka njoftuar se do ta zbatojë atë nga 15 qershori. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme për ne të shohim se në cilin drejtim do të zhvillohet komunikimi ynë me Maqedoninë e Veriut dhe të shohim nëse njerëzit do të mund të udhëtojnë”, tha Daçiç.

Ai shtoi se kur bëhet fjalë për marrëdhëniet dypalëshe, këto vende do të forcojnë marrëdhëniet duke “vazhduar aty ku kanë ngelur”, duke përfshirë marrëveshjet për të ashtuquajturin “mini-Schengen”.

Daçiç gjithashtu përshëndeti vendimin e BE-së për fillim të bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut, ndërsa paralajmëroi një takim trepalësh midis Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.

Pas përfundimit të takimit dhe konferencës për media, kryediplomatët shëtitën qendrën e qytetit të Nishit dhe vizituan një shoqatë të maqedonasve në këtë qytet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button