RMV, Qeveria caktoi zgjedhjet parlamentare më 5 korrik

Qeveria e Maqedonisë e Veriut ka caktuar mbajtjen e zgjedhjeve më 5 korrik, nëse nuk vazhdohet edhe më tej gjendja e jashtëzakonshme, e cila përfundon të shtunën, njofton Portalb.mk.

Qeveria në seancën e sotme, miratoi plotësim të dekretit me fuqi ligjore, për çështjet që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor, me të cilat MPB është obliguar që në afat prej një dite t’i dorëzojë listat e nënshtetasve të cilët kanë dorëzuar kërkesë për nxjerrje të letërnjoftimit apo pasaportës së re, si dhe listat e nënshtetasve të cilët do të mbushin 18 vjeç deri në ditën e zgjedhjeve apo 22 ditë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme.

Me këtë vendim, KShZ obligohet që të ndërmerr të gjitha aktivitetet e nevojshme për përgatitje të procesit zgjedhor në pajtueshmëri me kodin zgjedhor. Me të njëjtin vendim, Ministria e Shëndetësisë obligohet që të sigurojë të gjitha mjetet e nevojshme për mbrojtje për anëtarë e bordeve zgjedhore.

Për këtë vendim kanë votuar të gjithë anëtarët e Qeverisë, me përjashtim të ministrit teknik të Punëve të Brendshme, Naqe Çulev.

Kujtojmë se, Maqedonia e Veriut vazhdon të funksionojë me qeveri teknike tani më 5 muaj, përkatësisht nga 3 janari, 4 muaj pa Kuvend dhe pothuajse tre muaj me gjendje të jashtëzakonshme.

Gjendja e jashtëzakonshme, e katërta me radhë, e shpallur nga presidenti i vendit, Stevo Pendarovski më 30 maj, do të përfundojë të shtunën ndërkaq nga ana e Qeverisë thonë se tani për tani vlerësojnë se nuk ka nevojë për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare  ishin paraparë që të mbaheshin më 12 prill, por u anuluan për shkak të paraqitjes së koronavirusit. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button