Angellovska: Më shumë se 320 mijë qytetarë do të marrin 28 milionë euro, lëshimi i kartelave pagesore do të fillojë nga fundi i javës

Secili qytetar prej sot mund të kontrollojë nëse është shfrytëzues i kartelës pagesore vendore. Listat e shfrytëzuesve në përputhje me kriteret e përkufizuara me dekretin e Qeverisë janë përpiluar edhe lista përfundimtare është publikuar në ueb-faqen kupuvamdomasno.gov.mk, ndërsa tashmë janë duke u shtypur edhe kartelat e para dhe së shpejti do të fillojnë t’u jepen shfrytëzuesve.

Këtë e njoftoi sot në konferencën për media ministrja e Financave Nina Angellovska, e cila shtoi se bankat do të fillojnë t’i japin kartelat nga fundi i kësaj jave, ndërsa të gjitha kartelat do të duhet të jepen më së voni deri më 18 korrik dhe të shfrytëzohen deri më 15 gusht.

– Janë regjistruar gjithsej 324.479 shfrytëzues në listën e Kartelës pagesore vendore dhe në përputhje me këtë masa do të kushtojë 28 milionë euro, gjegjësisht më saktësisht 27,8 milionë euro. Me këto mjete do të mbështeten kategori të targetuara të qytetarëve, do të nxitet konsumi i produkteve dhe shërbimeve vendore dhe përmes injektimit të 28 milionë eurove do të nxitet aktiviteti ekonomik. Kjo do të kontribuojë në revitalizimin e ekonomisë maqedonase në kushte të Kovid-19, theksoi ministrja Angellovska, transmeton MIA.

Sipas saj, me shfrytëzimin e kartelave për një periudhë të shkurtër kohore do të injektohen një shumë e lartë e mjeteve në tregtinë me pakicë dhe veprimtarinë shërbyese.

Shfrytëzuesit do të marrin mbështetjen financiare thjeshtë dhe pa procedura për aplikim. Me shënimin e numrit amë secili qytetar do të mund ta kontrollojë shumën që i takon dhe të marrë informacion për bankës lëshuese që do t’ia japë kartelën. Bankat do ta dërgojnë kartelën deri në adresën e shfrytëzuesit të mbështetjes financiare, ose personi do të mund ta marrë atë në bankë.

Shfrytëzuesit e kartelës pagesore vendore janë katër kategori të qytetarëve. Kategoria e parë janë qytetarët me të ardhura të ulëta, gjegjësisht pranues të ndihmës sociale dhe të papunë të evidentuar si kërkues aktiv të punës në Agjencisë e Punësimit deri më 22 maj të vitit 2020, që kanë realizuar neto të ardhura deri 180.000 denarë në vitin 2019 dhe neto të ardhurav deri 60.000 denarë në periudhën janar-prill 2020 në përputhje me evidencën e Drejtorisë së të Ardhurave Publike. Në këtë kategori 115.927 persona njëtrajtshëm do të marrin 9.000 denarë në kartelën pagesore.

Më pas të punësuarit me të ardhura të ulëta të cilët janë 117.144 persona dhe ata do të marrin 3.000 denarë njëtrajtshëm. Këta janë personat që janë në marrëdhënie pune dhe të cilët për periudhën janar-prill 2020 kanë realizuar të ardhura vetëm në bazë të pagës dhe kompensimeve të pagës në neto-shumë jo më të madhe se 60.000 denarë në nivel të orarit të plotë të punës, sipas evidencës së DAP-it. Ata do të marrin edhe vauçer për turizëm vendor prej 6.000 denarëve përmes masës për forcimin e turizmit vendor të Ministrisë së Ekonomisë.

Kartelë vendore marrin persona të rinj numri i të cilëve arrin 87.014 të cilët do të marrin njëtrajtshëm 3.000 denarë. Bëhet fjalë për persona me 16 vite të mbushura dhe jo më të vjetër se 29 vjeç deri më 22 maj të vitit 2020, pjesëmarrës aktiv në arsimin formal shtetëror të mesëm dhe arsim të lartë deri në diplomim.

Kartelë vendore do të marrin edhe 4394 punëtorë shëndetësorë të angazhuar në përballjen me Kovid-19, të cilët do të marrin 40 për qind të pagës së fundit themelore neto. Bëhet fjalë për të punësuar në EPSH, Klinikën e sëmundjeve infektive, Institutin e Shëndetit Publik, Qendra e Shëndetit Publik, Ndihmë emergjente, Reparte infektive dhe të punësuar në reparte të tjera të angazhuar për testime, diagnostikime dhe shërim të qytetarëve të sëmurë nga Kovid-19.

Kartela do të përdoret për blerjen e produkteve dhe shërbimeve maqedonase në restorante, kafene, dërgesë të shpejtë, hotele, pushimore, kapacitete akomodimi, agjenci turistike, tregti me pakicë, shitore për ushqim dhe pije, tregje të gjelbra, barnatore dhe sallone ondulomi dhe sallone bukurie.

Shitoret do të duhet të sigurojnë gondolë-rafte të shënuara me shenjën “BLEJ VENDORE” (“КУПУВАM ДОМАШНО”). Me kartelën mund të paguhen produkte dhe shërbime maqedonase në lokalitete fizike dhe online të subjekteve afariste të cilët ushtrojnë veprimtari të caktuara, por nuk mund të nxirret kesh nga bankomati, të paguhet jashtë vendit, të transferohen mjete drejt llogarive të tjera.”.

Kartela pagesore vendore është pjesë e setit të tretë të masave ekonomike që kanë për qëllim jetësimin e ekonomisë në fazën e rihapjes graduale të saj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button