“Nëntor i ftohtë” – fitues i dyfishtë në “South East European Film Festival”

“South East European Film Festival” dekadën e tij të parë e ka shënuar më ndryshe në krahasim me vitet e tjera, është mbajtur online. Në këtë edicion të pazakontë, filmi nga Kosova “Nëntor i ftohtë”, që flet për vitet ’90, mori çmimin për aktoren më të mirë (Adriana Matoshi) dhe çmimin që jepet si konfirmim për vlerat e larta artistike të filmit, transmeton Koha.net.

Nëpërmjet rrëfimit të sfidave të personazheve në filmin “Nëntor i ftohtë”, nën regji të Ismet Sijarinës, paraqiten aspekte të ndryshme të jetesës në Kosovë në vitet ’90. Është një pasqyrë e mirë e jetesës së një vendi në Evropën Juglindore gjatë asaj kohe. Këtë hapësirë gjeografike e ka në fokus edhe festivali “South East European Film Festival”, që këtë vit shënoi edicionin e tij të 10-të në formatin online.

Festivali që e konsideron Ballkanin si zemër të Evropës i ka ndarë çmimet për këtë edicion të pazakontë të dielën. Në mesin e filmave të shpërblyer është edhe filmi kosovar “Nëntor i ftohtë”. Mori çmimin “Salon du livre des Balkans”, që jepet si konfirmim për vlerat e larta artistike të filmit, atë për aktoren më të mirë që e mori Adriana Matoshi.

Qëllimi i festivalit “SEE A PARIS”, që nisi në pranverën e vitit 2011, ishte që të mbante në Paris një festival që do të bënte bashkë kinematografët e pjesës juglindore të Evropës dhe që do të shërbente si një hapësirë ku kinematografia mbetet një vend ku rilind shpresa për ëndrrën evropiane. Këtë vit edicioni i 10-të nisi më 2 qershor dhe përfundoi më 7 qershor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button