Pamje dhe bisedë me pacientët me Covid-19 nga Infektivi i Shkupit (VIDEO)

Grupi i xhirimit të Euronews Albania ishte në spitalin Infektiv të Shkupit, ku siguroi dëshmi ekskluzive të pacientëve të infektuar me COVID-19. Edhe pse shifrat e të prekurve janë gjithnjë e në rritje, ndërgjegjësimi i njerëzve ndaj parandalimit të virusit është tepër i ulët. Drejtoresha e Spitalit bën thirrje ndaj qytetarëve që ta marrin seriozisht praninë e virusit në vend, pasi në në këtë mënyrë rritet edhe përgjegjësia e çdo individi në luftën ndaj virusit vdekjeprurës.

Spitali infektiv në Maqedoninë e Veriut është një prej spitaleve që ndoshta gjatë kësaj periudhe ka qenë një ndër më të përmendurit por edhe më misteriozët për shkak të fshehtësisë së punës ose për shkak të frikës së infektimit edhe të ekipeve mediatike.

Dhe kështu deri më tani askush nuk ka pasur qasje këtu. Së fundmi, autoritetet kanë vendosur që t’i lejojnë ekipet mediatike që ta vizitojnë për ta parë se vërtetë virusi ekziston pasi që ka pasur një skepticizëm.

Siç është puna e mjekëve në spitalin infektiv me dinamikë të madhe, ashtu ishte edhe ritmi i grupit tonë të xhirimit, nga dhoma në dhomë ku janë të shtruar mbi 70 pacientë, secili me dëshirë për t’u shëruar sa më shpejt, e ku nuk mungojnë emocionet e atyre që prej kohësh tashmë janë larg familjes.

 “A u morëm vesh. Unë dhe ti do të qëndrojmë së bashku…Të lutem mos me të qarë. Kështu nuk zgjidhim asgjë”, i thotë një pacienti Milena Stevanoviç, drejtoreshë e Spitalit Infektiv në Shkup.

“Nuk kam fjetur gjithë natën. I kam lënë të gjithë familjarët, miqtë…”, i ankohet pacienti me COVID-19.

“Mos i humb fuqitë duke qarë. Përse jemi ne këtu. Në rregull? A më premton?” e inkurajon drejtorja.

Ky pacient është vetëm një prej të shumtëve që numërojnë ditët kur do të takohen sërish me të afërmit.

“Jam infektuar dikur gjatë Ramazanit. Prej ditës së diel jam këtu. Sot i bëj dhjetë ditë. Por për shkak të gënjeshtrave, propagandave, thoshin mos shkoni se do ju mbysin atje, kam qëndruar i sëmurë dhjetë ditë në shtëpi dhe nuk kam ardhur në mjek. E kam kapur trenin e fundit…Kur kam ardhur atë ditë kam menduar se do të vdesë, po falë Zotit na kanë ndihmuar mjekët… Ne shqiptarët këtë punë e zëmë si pak e shumë, por duhet ti bimë vetit pas, të shkojmë në mjek. Mos shkoni vetë në barnatore private, drejtohuni ku është vendi, në spital”, shprehet Selman Selmani, pacient nga Shkupi.

“Unë kam pas temperaturë. Me frymëmarrje skam pas problem por që të mos i infektojë anëtarët e shtëpisë erdha këtu. E kam të infektuar edhe vajzën, shoqen dhe djalin me të tre fëmijët. Djali e ka tani një vajzë të vogël tre javësh. Ata nuk janë në spital. Nuk kanë asnjë simptom”, thotë një tjetër pacient shqiptar që nuk dëshiron të identifikohet.

“Herën e parë që kam ardhur kisha temperaturë dhe kollitje. Jam tashmë 11 ditë këtu. Dje dhe sot na kanë bërë analiza nëse kemi ende infektiv dhe pres të dal nga spitali. U rekomandoj të gjithëve që t’i respektojnë rregullat, të shmangin tubimet, sidomos me të panjohur dhe kështu me radhë”, bën apel një pacient maqedonas.

“Në spital kam ardhur prej ditës së premte…Kisha temperaturë. Isha e rraskapitur. Kisha edhe frymëmarrjen e rënduar. E kam edhe burrin e infektuar. Ai është këtu afër meje”, thotë Ilinka Paunovska, paciente.

Infektologët Fadil Cana dhe Ilir Demiri janë dy mjekët shqiptar që kujdesen për pacientët e spitalit infektiv. Cana dhe Demiri janë gjithmonë në turne të kundërta për shkak se qëndrojnë kujdestar në spital gjatë gjithë kohës.

“Si je ti. A je mirë. Mos u mërzit aspak dhe vetëm merr frymë më fortë… A e din se çfarë përmirësimi ke prej dje…Shumë. Shpejt e shpejt të gjitha do ti bësh, i lan dhëmbët, dhe mundohu më shumë të pish. Këtë nuk mund ta heqim. Nesër do të shihemi përsëri”, i jep forcë doktor Ilir një prej pacientëve.

Në spitalin infektiv te prekura nga COVID-19 janë edhe tri gra, njëra prej tyre shtatzënë dhe dy të tjera lehona, që tashmë kanë sjellë në jetë të vegjlit e tyre. Për ta bashkë me mjekët infeksionistë kujdesen edhe gjinekologet.

“Unë vij këtu dhe i vizitoj pacientet shtatzëne, ato që kanë lindur së fundmi, kemi dy në klinikën e infektologjisë, dy që kanë lindur me cezare dhe një shtatzënë në javën e 32. Këtu gjendet gruaja që ka lindur me lindje cezariane. Është stabile nga ana akusherike është gjithçka në rregull. Infektologët e përcjellin edhe Covidin në mënyrën e duhur. Besoj se do të bëhet mirë…Ato që janë me lindje cezariane ju keqësohet gjendja më shumë për shkak të Covidit, prandaj i përcjellim menjëherë këtu pasi që ta kryejmë procesin e lindjes tek ne”, thotë Ajla Shabani, gjinekologe.

Drejtoresha e Spitalit Infektiv, Milena Stefanoviq i siguron të gjithë ata që janë me simptoma se do të marrin trajtimin e duhur në spital dhe se nuk duhet tu besojnë atyre që u thonë se nuk ekziston ky virus pasi mund t’u kushtoje jetën.

 “I drejtohem çdo njeriu, pavarësisht profesionit apo pozitës në shoqëri, fesë apo etnisë, që tu përmbahemi rregullave në mënyrë të barabartë. Ti respektojmë maksimalisht të gjitha rekomandimet. I patë personat e sëmurë që nuk e kanë gjendjen e lehtë. Nuk e besoj se ndonjëri prej tyre është indiferent ndaj faktit që gjendet këtu. Jam shumë e sigurt se si këta që i kemi në spital ka edhe nëpër shtëpi, që nuk duan të vijnë këtu. Por, ju lutem, të jeni shumë seriozë ndaj rrezikut për infektim me virusin Korona dhe ju lutem që ti respektoni rekomandimet. Forca është një burim i shterrshëm, prandaj mos lejoni që punonjësit shëndetësor ta humbin fuqinë dhe të mos kemi kapacitet që t’iu ndihmojmë kur do të keni nevojë më së shumti”, thotë Milena Stevanoviç, drejtoreshë e spitalit.

Maqedonia e Veriut po kalon në një valë të dytë të virusit COVID-19 me qindra të infektuar në javë që kanë rritur numrin e përgjithshëm të të infektuarve në mbi 3000. Ndërkohë që edhe numri i viktimave është tepër i lartë. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button