Rekomandojnë lektyra në shkollë, por mungojnë lektyrat sipas planit mësimor

Furnizim i shkollave me lektyra dhe tekste mësimore, është padyshim obligim i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Mirëpo, në orët e mësimit ku  zhvillohet ora e caktimit të lektyrave, ka mungesë të librave. Me të njëjtin problem ballafaqohen të gjitha shkollat, pa përjashtim. Në shumë raste, kërkohen bibliotekat e qyteteve, për t’i furnizuar ose do të duhet të zhvillohen dy lektyra në të njëjtën kohë, për të mos humbur nxënësit. Nuk përjashtohet dhe fakti i kopjimit të librit, shkruan Portalb.mk.

Këtë problem e pohojnë edhe disa shkolla të vendit, dhe sipas tyre nevojitet të punohet një lektyrë tjetër nëse nuk ka numër të mjaftueshëm librash të lektyrës të përcaktuar nga MASH-i.

“Bazuar në plan-programet mësimore, gjatë një viti shkollor secila gjeneratë e nxënësve duhet punuar më së paku 5 lektyra shkollore. Në shkollën, të cilën e menaxhoj “Kirili dhe Metodij” mund të them se biblioteka e shkollës është e pasur me lektyra si për ciklin e ulët poashtu edhe për ciklin e lartë. Kemi tituj të ri por, edhe të vjetër. Unë mendoj se ndjenja e leximit të lektyrave shkollore tek nxënësit deri para disa vitesh ekzistonte, ndërsa sot, me zhvillimin e hovshëm të teknologjisë informative, ndjenja për lexim të lektyrave apo veprave të ndryshme, është ulur dukshëm. Në vendin tonë, fëmijët librat fillojnë ti prekin në moshën shkollore, ndërsa celularët prej 6 muajsh e sipër, gjë të cilën nuk e hasim në vendet perëndimore. Atje fëmijëve qysh në muajt e parë të lindjes, para gjumit prindërit u lexojnë përralla dhe fëmijët rriten me libra afër. Kështu krijojnë dhe fitojnë shprehi leximi dhe kulture të përgjithshme. Me këtë dua të them se tashmë nuk shkaktojnë problem lektyrat e reja apo të vjetra por, shprehia se shumica e nxënësve kohën më të madhe e kalojnë me pajisje elektronike. Kur nevojitet të punohet një lektyrë dhe nuk ka numër të mjaftueshëm librash atëherë një numër i nxënësve merr një titull tjetër dhe brenda disa orëve përpunohen dy lektyra në një paralele, d.m.th. përfitimi është i dyfishtë. Besoj që nxënësit do kuptojnë se leximi i një lektyre, sjell shumë përfitime. Pra, krijohen shprehi leximi; Përsoset mënyra e te lexuarit me intonacion; Njihet me ndonjë ngjarje të re, të cilën nuk e ka ditur më parë; Njihet me shkrimtarë të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj ; Njeh dhe dallon personazhet kryesorë, pozitiv, negativ, dhe shumë e shumë përfitime tjera, të cilat do bëhen bazament për shkollimin e mëtutjeshëm”, tha për portalb, Sihana Kaba Kasami, drejtoreshë e shkollës “Kirili dhe Metodij”, në Tetovë.

Në shkollën “Penko”, në Shkup numri i përgjithshëm i librave, gjegjësisht lektyrave që posedon biblioteka e saj arrin afërsisht 18.000 lektyra. Por, edhe pse ky numër në këndvështrim të parë duket i madh, aty ka mungesë të një titulli të librit, gjë që shumë nxënës mbeten pa lektyra.

“Në biblotekën tonë numri total arrin 17.436 lektyra. Nga këto 10.960 libra janë në gjuhën shqipe, 5.260 libra në gjuhën maqedonase dhe të tjerat në gjuhën turke. Pra, kemi një numër të konsiderueshëm, por kemi për obligim që ta rishohim gjendjen e lektyrave. Na duhen lektyra të reja, për të cilat kemi bërë plane, për të gjetur zgjidhje”, tha për Portalb, Enis Mehmeti drejtor i shkollës “Penko”, në Shkup.

Në mungesë të lektyrave të parapara në përmbajtjen mësimore nga lënda e gjuhës shqipe, sipas klasave, hasen një numër i madh i shkollave fillore dhe të mesme, për të cilat kërkojnë zgjidhje mësimdhënësit, por edhe nxënësit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button