Prishtina e revoltuar, por nuk tërhiqet nga bisedimet

Tensionet në Luginën e Preshevës që pasuan heqjen e lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së nga ana e autoriteteve shtetërore serbe, dëmtojnë procesin e dialogut që po zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vlerësojnë përfaqësues të institucioneve dhe partive politike në Prishtinë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se tensionimi i raporteve të shtetit serb me shqiptarët që jetojnë në Luginë të Preshevës, ndikon në tensionimin e raporteve shqiptaro-serbe në përgjithësi. Këto zhvillime, sipas tij, rrjedhimisht ndikojnë edhe në dialogun që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Identiteti kombëtar i shqiptarëve atje dhe kërkesat e tyre duhet të mbështeten të përafërta me ato që i mbështesim ne për minoritetin serb në Kosovë”, ka thënë Kuçi, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje e ka bërë edhe Qeverinë e Kosovës përgjegjëse për largimin e lapidarit dhe zhvillimet në Preshevë.

Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, thotë se kushtëzimi i vazhdimit të dialogut me Serbinë me mos heqjen e lapidarit do të ishte puna më e vogël që Qeveria e Kosovës është dashur ta bënte. Sipas tij, me politikën aktuale që po ndjek Qeveria e Kosovës po rrezikohet si pjesa veriore ashtu edhe Lugina e Preshevës.

“Përderisa shqiptarët në Luginë nuk lejohen të kenë as një lapidar të vetëm përkujtimor, Qeveria e Serbisë i mbanë dhe i financon strukturat e veta kriminale në veri. Dhe, nëpërmjet kësaj politike që po e ndjek qeveria e Kosovës, ne nuk po mund ta mbrojmë as veriun e as Luginën e Preshevës”, thotë Konjufca.

Me gjithë reagimet e autoriteteve më të lartë shtetërore të Kosovës pas heqjes së lapidarit nga sheshi në qendër të Preshevës, Prishtina zyrtare nuk e ka vënë në pikëpyetje vazhdimin e dialogut me Serbinë.

Ramush Tahiri, këshilltar politik i presidentes Atifete Jahjaga, ka konfirmuar të hënën se gjatë shkurtit, përkatësisht marsit pritet që në Bruksel të mbahet takimi i parë ndërmjet presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe presidentit të Serbisë Tomislav Nikollic.

Dialogu Prishtinë-Beograd, sipas ndërmjetësuesit – që në këtë rast është Bashkimi Evropian – ka për synim arritjen e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila besohet se do të nënshkruhet nga ana e presidentes Jahjaga dhe presidentit Nikolliq.

Megjithatë, zhvillimet e fundit në Preshevë dhe tensionet në veri të Kosovës shihen në vazhdimësi si kërcënim për epilogun e këtij dialogu./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button