Të rënë në dëshpërim

Në një shkrim të përfshirë në librin “Jugosllavia nëpërmjet fotografive dhe fjalëve” (Beograd, 1927), përshkruhet përditshmëria e rëndë e popullatës shqiptare në Tetovë, Kumanovë dhe Shkup. Nëse këtë shkrim e lexojmë ndërmjet rreshtave, atëherë do ta kuptojmë thelbin e projektit shtetëror për margjinalizimin dhe dëbimin e shqiptarëve prej tokave të tyre, që realizohej “në emër të së resë”.

Ideatorët e projektit e dinin se një popull pa rrugëdalje ose do të gjunjëzohej dhe do t’i pranonte “kodet” e pushtuesit të ri ose do të shpërngulej nga vendi.

Përderisa zotërinjtë e mëparshëm mezi arrinin që të mbijetonin, falë pasurisë së dikurshme, e cila po shterej për çdo ditë, “moravcit” dhe “smederevcit”, sikurse i quan autori, vendoseshin nëpër pallate dhe hapnin dyqane dhe firma.

Autori Nikola Trajkoviq thotë me cinizëm se ishte duke e shkruar shkrimin derisa rehatohej “në oborrin e një turku”, duke e dëgjuar zërin e myezinit dhe duke parë një gomar që i përplaste thundrat mbi kalldrëm.

Popullata e shtypur, sipas këtij autori, ishte “pjesë e botës së vjetër” dhe refuzuese e “botës së re”. “Bota e vjetër”, sipas kësaj logjike, duhej zhdukur.

“Tetova nuk është Shkup, kurse Shkupi nuk është Kumanovë. Janë të njëjtë dhe njëkohësisht të ndryshëm. E përbashkëta është se zhvillojnë një luftë të përjetshme. Ndonëse aty tani nuk ka kaçakë, megjithatë ata kanë lënë shenjë në luftën e brendshme. Janë dy botë në përplasje: bota e re dhe e vjetër. Bota e vjetër është e mbyllur në haremet e veta dhe vdes ngadalë. Bota e re ndërton mure, pallate, hap dyqane dhe firma me ‘iq’”, shkruan ky autor.

Kolonët përkraheshin nga shteti dhe e kishin marrë në dorë ekonominë në qytetet e përmendura, kurse shqiptarët e braktisnin vendin. Të rinjtë kishin rënë në dëshpërim. Ata rrinin nëpër oborret e shtëpive dhe nuk flisnin asnjë fjalë. Jeta e tyre ishte boshe. Në heshtje vazhdonin që t’i refuzonin “kodet” e imponuara nga pushtuesi.

“Secili qytet i Jugut i ka kuartet e këtij lloji. Të trishtuar dhe të mbyllur përjetësisht nëpër shtëpi, mes mureve”.

Shqiptarët nuk kishin asnjë të drejtë. Ndaj tyre ushtrohej presion dhe terror i programuar. Qytetet shpërfytyroheshin për çdo ditë.

“Njeriu kalon nëpër rrugët e Tetovës me një ndjenje të rëndë. Ai e ka më lehtë në Shkup, ku ky proces ka përfunduar, kurse në Kumanovë është pothuajse në fazën e fundit. Në Tetovë ende janë të fuqishëm dhe, deri diku, ia kanë dalë që të mbijetojnë. Më e rëndë është t’i shikosh ata që janë të dënuar për vdekje. Haremet e fundit zbrazen, sepse janë vjetruar. Të reja më nuk ka, sepse duhet që të ushqehen. Qyteti i ri lartësohet dhe zgjerohet gjithnjë e më tepër”, thotë ai.

Qyteti nuk bëhej më “modern”, por shpërfytyrohej dhe “çlirohej” prej shqiptarëve.

“Fati i Beogradit dhe i Nishit do të përsëritet edhe këtu. Para pesëdhjetë vitesh Beogradi ishte plot me turq, njëjtë si këta këtu. Edhe Nishi para tridhjetë viteve e kishte të njëjtën pamje si Tetova dhe Kumanova. E sot? Këtë fat do ta përjetojnë të gjithë qytetet në jugun e Serbisë”, thotë ky autor dhe paralajmëron vdekjen e “racës së mjerë dhe krenare”, e cila, sipas tij, “as nuk mundet dhe as nuk do që t’i përshtatet kohës së re”.

Sipas kësaj logjike, “faji” i popullatës shqiptare ishte vetëm pse refuzonte të bëhej pjesë e sundimit të ri dhe të mos hiqte dorë nga traditat.

Mjerisht, kjo logjikë u ndoq edhe pas Luftës së Dytë Botërore dhe vazhdon të ndiqet, por sipas një mënyre më të sofistikuar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button