Rama: S’ka më marrëveshje me ndërmjetësim

Takimi miqësor pavarësisht përplasjes institucionale mes Presidentit dhe kreut të qeverisë Edi Rama premton se nuk do të mungojë në asnjë rast kur do të bëhet fjalë për çështje madhore, siç ishte rasti i sotëm, Këshilli Kombëtar për Integrimin Europian.

“Nuk është sekret që me Presidenti kemi çështje të hapura, por patjetër që mund të takoheshim dhe mund të takohemi tek Presidenti, mund të takohemi tek kryetari i Kuvendit, mund të takohemi tek kryemyftiu, tek Baba Mondi, mund të shkojmë tek protestantët, por nuk mund të bëjmë më marrëveshje nëpër ambasada”.

E duke treguar këtë gatishmëri për t’u takuar me çdo palë, përfshirë dhe opozitën për të cilën shprehu keqardhje që s’u bë pjesë e takimit, Kryeministri premton se s’do pranojë më asnjë format ku për çështje të brendshme të vendit të negociojnë ndërkombëtarët, transmeton Tv Klan.

“Jemi mbledhur në një ambasadë të gjithë përfaqësuesit e forcave më të mëdha në vend mbledhur në atë vend për të lënë gjërat siç janë. Për t’u marrë vesh që nuk do bënim atë që duhet të bënim dhe t’i lëmë ashtu siç ishte. Pse duhet të kërkonim strehë në një ambasadë shumë mike në këtë vend dhe pse duhej që komunikimi mes nesh të kalonte në disa gjuhë dhe përgjigjet të jepeshin në disa bedelë? Mendoj që kjo duhet të jetë e fundit dhe miqtë tanë, të paçmueshëm nuk duhet të ndjehen më në këtë pozitë, ashtu sikurse besoj që vetë populli shqiptar nuk ka pse të shohë në sytë e ambasadave. Kjo duhet të jetë e fundit dhe sa më takon mua kjo është e fundit. Dua që ndërkombëtarët ta dinë që për çështje na takon ti zgjidhim vetë dhe jemi serioz që duam ta bëjmë Shqipërinë anëtare të BE-së nuk mund të bëjmë sikur jemi të njëjtë për të zgjidhur çështjet bashkarisht. Këtu duhet të ishte edhe opozita”.

Edhe Presidenti kërkon dialog ndërsa nuk i shmang shigjetimet për pozicionin e qeverisë në këtë proces.

“Dialog nuk do të thotë vetëm të flasësh, por edhe të dëgjosh. Bashkëpunim nuk do të thotë vetëm të marrësh, por edhe të ofrosh.  Në këtë kontekst dua të vlerësoj se marrëveshja që u dakordësua në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore, ishte një hap i rëndësishëm përpara”.

Pas takimit edhe Meta është treguar i gatshëm që për çështje madhore të bëhet pjesë e çdo takimi me të gjitha palët.

Në takim u prezantua dhe planin i veprimit për Konferencën e Parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, për të cilën Presidenti kërkoi të reflektohen kontributet e të gjitha palëve. Vetë Kryeministri e sheh Shqipërinë më afër se kurrë derës së hapur të BE. I mësuar të flasë gjatë nuk kurseu ironinë me kryetaren e këtij Këshilli, Rudina Hajdarin, e cila i kujtoi se kishte tejkaluar minutazhin e parashikuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button