Zgjedhjet e Serbisë edhe sivjet pritet të mbahen në Kosovë

Zgjedhjet e përgjithshme në Serbi që do të mbahen më 21 qershor, edhe këtë herë pritet të organizohen në Kosovë.

Bazuar në praktikat e kaluara, zgjedhjet e Serbisë janë organizuar në komunat me shumicë serbe, derisa janë mbikëqyrur nga misioni i OSBE-së.

Kjo organizatë, në një përgjigje për KOHËN, ka konfirmuar se janë në kontakt me autoritetet në Kosovë dhe Serbi, por ende nuk kanë vendosur se si do të bëhet organizimi i këtyre zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe.

Në zgjedhjet e kaluara, institucionet e Kosovës patën insistuar se OSBE vetëm lehtëson këto zgjedhje e hap ato që u quajtën ‘qendra grumbullimi’, ani pse ato kanë qenë të njëjta me qendra normale votimi, transmeton Gazeta Express.

“Sa i përket mundësisë për një operacion të Misionit të OSBE-së për mbledhje votash në Kosovë për zgjedhjet parlamentare të Serbisë të 21 qershorit, ne jemi në komunikim me autoritetet e Kosovës dhe do t’i japim rezultatet e këtij komunikimi sapo t’i kemi”, ka thënë Senad Saboviq, zëdhënës i OSBE-së në Kosovë.

Por, Zyra e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, shkurt ka thënë për televizionin se “nuk duan njëherë të dalin me qëndrim për këtë çështje”.

Të martën, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, u takua me shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu. Siç njoftoi kryeministria, ambasadori ka theksuar gatishmërinë e OSBE-së për bashkëpunim, porse nuk u dha ndonjë detaj sa u përket zgjedhjeve të Serbisë.

E ish-kryeministri, Albin Kurti, mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në Kosovë e pati cilësuar antikushtetuese.

Për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, është pyetur edhe Qeveria e Serbisë dhe Komisioni Zgjedhor i këtij vendi, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Që nga fundi i luftës në Kosovë, votimet për zgjedhjet e Serbisë mbahen me ndihmën e OSBE-së. Misioni i OSBE-së ka organizuar zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë edhe në Kosovë, e prej vitit 2012 edhe ato lokale.

Dyshtetësia serbëve ua lejon votimin edhe për shtetin e të cilit e kanë pasaportën, por kjo në raste të tjera zakonisht bëhet përmes postës ose me votim në ambasadën e shtetit përkatës, e jo në qendra votimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button