RMV, Qeveria përcaktoi masat që do të merren nëse qytetari jep të dhëna të rrejshme

Në seancën e 63-të të qeverisë së Maqedonisë së Veriut u vendos që në rastet kur qytetarët nuk do të japin të dhëna të sakta, do të futen në karantinë dyjavore, shpenzimet e së cilës do të mbulohet nga qytetarët, transmeton Portalb.mk.

“Dekreti përcakton që në rast se ndonjë person refuzon të pranojë vendimin për vetizolim, ose jep të dhëna personale të rrejshme dhe të dhëna të rrejshme në lidhje me personat me të cilët ka pasur kontakt në ditët e kaluara, ose nuk e zbaton masën e izolimit të rreptë në kushte shtëpiake (vetizolim shtëpiak), i përcaktohet masa e izolimit të rreptë (karantinë) në kohëzgjatje prej 14-të ditëve, në objektet e caktuara nga Qeveria e RMV-së, për çka MPB-ja sjellë vendim, ndërsa për shpenzimet për qëndrim në ato objekte do të mbulohet nga ana e tyre”, deklarojnë nga qeveria.

Qeveria gjithashtu ka njoftuar se çdo shkelje e rregullave për izolim, do të sanksionohet me karantinë shtetërore.

Ndryshe, në këtë seancë nuk u vendos për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, por u vendos për mobilizimin e Ministrisë së punëve të brendshme, Policisë financiare dhe Këshillit të inspektoratit që të përforcojnë kontrollin e tyre në disa qytete të vendit me qëllim respektimin e masave për parandalimin e përhapjes së virusit korona.

Qeveria theksoi se kontrolli do të përforcohet në komunat e Shkupit, komunën e Kumanovës, Likovës, Shtipit, Karbincit, Tetovës dhe komunat e saj, si Bogovina, Bërvenica, Tearca, Zhelina dhe Jegunovci.

Në seancë u vendos që Inspektorati shtetëror shëndetësor dhe sanitar kur të jep vendim për izolim, të detyron qytetarët të instalojnë aplikacionin StopKorona.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, informon se në 24 orët e fundit ka ndërruar jetë 1 person nga virusi korona, janë regjistruar 87 raste të reja, ndërkaq 5 pacientë janë shëruar, Me këtë, numri i përgjithshëm i të infektuarve në vend ka arritur në 3.239, të vdekurve 157, shëruarve 1.658, ndërkaq për momentin në vend ka 1.424 raste aktive.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button