Komiteti i Helsinkit në Serbi i kërkoi BE-së të refuzojë ndarjen e Kosovës

Në prag të rinisjes së dialogut mes Kosovës e Serbisë, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi ka kërkuar nga të gjitha nivelet e Bashkimit Evropian të refuzojnë opsionin e ndarjes së Kosovës, transmeton Koha.net.

Në një komunikatë për “Urgjencën e Përpjekjeve të Intensifikuara për të mbrojtur Parimet dhe Vlerat Evropiane në procesin e Zgjidhjes së Çështjes së Kosovës”, kryetarja e këtij komiteti, Sonja Biserko ka thënë se një ide për ndarje të Kosovës do të ishte e rrezikshme për gjithë Evropën.

“Ideja për ndarjen e Kosovës duhet të denoncohet si e papranueshme në të gjitha nivelet e forumeve të Bashkimit Evropian dhe në nivel të qeverive evropiane. Përkrahja e saj në Ballkanin Perëndimor kërcënon stabilitetin dhe paqen në rajon dhe kredibilitetin e zotimeve të Bashkimit Evropian dhe përkrahjen për rajonin. Do të ishte precedent i rrezikshëm për gjithë Evropën”, ka thënë Biserko.

Komiteti ka kërkuar nga BE-ja të rinisë dhe lehtësojë negociatat mes dy vendeve nën kornizën origjinale të dialogut, të fokusuar në normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve dhe njohjen e sovranitetit të Kosovës dhe integritetit territorial në kufijtë aktualë.

“Të gjitha përpjekjet drejt qëllimit për ndarje duhet të refuzohen me vendosmëri”, ka thënë ajo duke bërë thirrje që BE-ja të monitorojë implementimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe të qëndrojë në parimet dhe vlerat e vendosura në dekadat e shkuara.

Duke komentuar Samitin e Zagrebit të 6 majit, ky komitet ka thënë se mirëpret qëndrimin e BE-së që të përkrahë perspektivën evropiane për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë çështje, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi ka kërkuar që BE-ja të luajë rolin e saj si garantuese e parimeve dhe vlerave evropiane në Ballkan.

“Roli aktiv i BE-së në fazën e ardhshme të procesit konsolidues të Kosovës do të jetë vendimtar për të siguruar paqe e stabilitet në rajon”, ka thënë Biserko.

Ajo ka shtuar se për Kosovën, BE-ja bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur rol kryesor në pavarësinë e saj teksa ka theksuar se përfshirja e Rusisë “kërcënon konsolidimin dhe orientimin euro-atlantik të vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Biserko ka theksuar se Kosova s’është dorëzuar kurrë në projektin për ndarjen e Kosovës e se për këtë ka mbështetjen e Rusisë, përderisa qëndrimi i SHBA-së është i paqartë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button