fbpx

Antikorrupsioni ka hapur procedurë për NP “Parkingu i Qytetit Tetovë”, pasi Revizioni konstatoi keqpërdorime

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), sot ka hapur procedurë për Ndërmarrjen Publike “Parkingu i Qytetit – Tetovë” pas shqyrtimit të raportit të Entit Shtetëror të Revizionin për punën e kësaj ndërmarrjeje për vitin 2018-të, në të cilën janë konstatuar një sërë shkeljesh ligjore, njofton Portalb.mk.

“Sot kemi vendosur të hapim procedurë, në të cilën do të bëhet mbledhja dhe verifikimi i të të dhënave nga Revizioni. Pasi që të mbarojmë, do ta informojmë opinionin për hapat e mëtutjeshëm”, thotë për Portalb.mk, anëtari i Antikorrupsionit, Shemsi Sallai.

Sipas procedurës, Antikorrupsioni tani bën grumbullimin dhe verifikimin e informatave në lidhje me shkeljet e konstatuara në revizion, pas të cilës ata duhet të informojnë se çfarë kanë gjetur. Në rast se konstatohen shkeljet e revizionit, atëherë informatat Antikorrupsioni i dorëzon në Prokurori, inspektorate, apo institucione tjera përkatëse, të cilat më tej do të merrem me këtë rast.

Në këtë rast bëhet fjalë për keqpërdorimet e bëra në kohën kur drejtor në këtë ndërmarrje ishte Fejsal Beadini, i cili aktualisht është drejtor në NP “Tetova Transport”, ku u emërua vetëm disa ditë pasi u shkarkua nga ndërmarrja paraprake për shkak të zërave se ai kishte keqpërdorur detyrën zyrtare.

Këto janë disa nga shkeljet e vërtetuara nga revizioni i Entit Shtetëror për Revizion:

  1. NP “Parkingu i Qytetit” nuk ka sistem të kontrolleve të brendshme dhe nuk janë miratuar procedura për lëvizje të dokumenteve dhe sistem për ndjekje dhe kontroll të dokumentacionit të kontabilitetit me kompetenca dhe përgjegjësi të definuara dhe kufizuara qartë.
  2. Nuk janë përgatitur politika dhe raporte kontabiliste dhe raporte për rrjedhën e parave me të cilat është e nevojshme që të sigurohet koezistenca, vazhdimësia dhe ligjshmëria në shfaqjen e të gjitha ngjarjeve financiare dhe kontabiliste.
  3. Nuk është nënshkruar marrëveshje mes kryetari të Komunës së Tetovës dhe drejtorit të ndërmarrjes publike në të cilën do të konstatoheshin të drejtat, obligimet dhe përgjegjësitë e ndërsjella.
  4. Janë konstatuar parregullsi gjatë llogaritjes së rrogave të të punësuarve në ndërmarrjen publike.
  5. Ndërmarrja publike ka hyrë në borxh pa akt të miratuar nga ana e Bordit Udhëheqës dhe themeluesit – Komuna e Tetovës.
  6. Vlera e kapitalit nuk është e regjistruar në Regjistrin e Vetëm Tregtar dhe në regjistrin e personave tjerë juridik në Regjistrin Qendror të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
  7. Nuk është kryer regjistrim i patundshmërive, inventarit, pajisjes, mjeteve jomateriale (patentat dhe licencat), mjetet financiare, por edhe të mjeteve dhe obligimeve aktuale. Regjistrimi është obligim ligjor që të kryhet një herë në vit.
  8. Nuk është vënë në funksion operacioni i thesarit, në pajtueshmëri me dispozitat ligjore,, ndërkaq janë konstatuar edhe dallime mes mjeteve në para të treguara në Bilancin për gjendjen e llogarisë në bankë.
  9. Gjatë furnizimeve të mallrave dhe shërbimeve nuk është respektuar në tërësi Ligji për Furnizime Publike.
  10. Për këto gjetje, Enti i Revizionit nga ana e personit përgjegjës të NP “Parkingu i Qytetit – Tetovë” nuk ka marrë vërejtje për draft-raportin e revizorit të autorizuar shtetëror.

Revizioni gjithashtu ka konstatuar edhe shkelje tjera si për shembull:

  • Nuk janë plotësuar vendet e punës në Sektorin për Punë të Përgjithshme, pozitat udhëheqëse dhe vendet tjera të punës.
  • Nuk është miratuar akt për person të autorizuar i cili do ta ndjekë realizimin e marrëveshjeve të nënshkruara me operatorët ekonomik pas procedurave të zbatuara për furnizime publike.
  • Revizioni gjithashtu ka zbuluar raste kur NP “Parkingu i Qytetit”, u ka paguar të punësuarve orë jashtë orarit të punës për ditën e shtunë, ndërkaq i punësuari nuk ka qenë i evidentuar në fletoren për orar të punës.
  • Parkingu i Qytetit – Tetovë ka marrë borxh 3.4 milionë denarë (55.000 euro) pa vendim paraprak të Këshillit të Komunës dhe Bordit Udhëheqës. Pos kësaj, nuk ka treguar se për çfarë do t’i përdorë mjetet.
  • Ndërmarrja Publike nuk ka miratuar akt me të cilën rregullohet shfrytëzimi i telefonave zyrtarë. Gjatë vitit 2018-të, për këtë qëllim janë paguar mjete me vlerë prej 601.000 denarë (9.700 euro) një operatorit ekonomik për shfrytëzimin e telefonisë celulare.
  • Në vitin 2018-të, pa procedurë për furnizime publike është kryer furnizim të mallrave dhe shërbimeve me vlerë prej 1.855.000 denarë (30.000 euro) për furnizim të shërbimeve me automjet special – karrotrec, servisim të automjeteve – karrotrec dhe për pjesë kompjuterike dhe programe me mirëmbajtjen e tyre në mënyrë të parregullt.

Kush udhëhoqi me NP “Parkingu i Qytetit – Tetovë”?

Fejsal Beadini
Fejsal Beadini, foto: Facebook

Që nga themelimi i NP “Parkingu i Qytetit – Tetovë”, me çka edhe filloi aplikimi i parkimit zonal, në krye të saj ka qenë Fejsal Beadini. Mu në vitin e revizionit, gjegjësisht më 25 qershor, Beadini ka dhënë dorëheqje, pasi që paraprakisht disa punëtorë të ndërmarrjes me letër publike i nxorën në pah keqpërdorimet që sipas tyre, bëheshin në këtë ndërmarrje. Në vend të tij u emërua drejtor, Sadat Alili, i cili edhe sot e kësaj dite e ushtron këtë detyrë.

Beadini në lidhje me këto akuza, tha se gjatë punës së tij ka pasur shkelje të procedurave por jo edhe akte të kundërligjshme.

Ai nuk pajtohet plotësisht me raportin e revizionit, thotë se mjetet e marra borxh janë shfrytëzuar për pagat e punëtorëve.

“Sa i takon raportit të revizioni konstatoj se bëhet fjalë për lëshime procedurale për të cilat natyrisht kemi marrë rekomandime që të njëjtat të përmirësohen në të ardhmen. Si ndërmarrje e re e themeluar, menaxhimi i saj përben një sfidë më vete dhe këto lëshime kryesisht kanë të bëjnë me mungesën e administratës se ndërmarrjes e cila edhe sot e kësaj dite është në konsolidim e sipër dhe në fazë ekipimi. Në lidhje me mjetet e huazuara nga ana e ndërmarrjes konstatoj se të njëjtat janë siguruar për lëshimin e rogave të të punësuarve e që më vonë ndërmarrja të njëjtat i ka shlyer konform kontratës për huazim, dhe se nuk janë shfrytëzuar pa qëllim siç thotë raporti. Sa i takon mjeteve të harxhuara për telefona zyrtare mendoj se janë plotësisht të arsyeshme sepse puna dhe veprimtaria e kësaj ndërmarrjeje as që mund të mendohet pa smart pajisje, ngase markimi, bllokimi dhe kontrolli i mjeteve që parkohen kryhet me sistem të tillë që kërkon edhe qasje në internet gjatë punës ne teren, dhe të njëjtat duhet t’i posedojnë të gjithë punëtoret e terrenit, e që janë me dhjetëra të tillë”, tha Fejsal Beadini për Portalb.mk.

Megjithatë, në raportin e Revizionit thuhet se Ndërmarrja Publike “Parkingu i Qytetit” nuk ka dërguar asnjë vërejtje për raportin e revizionit.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close