Rufi Osmani nënshkroi Politikën antikorruptive

Kryetari i komunës së Gostivarit Rufi Osmani nënshkroi sot Politikën antikorruptive, në kuadër të projektit të UNDP-së: “Forcimi I kapaciteteve të sistemit nacional dhe sistemeve lokale  të integritetit”.

Komuna e Gostivarit është një nga 11 komunat e Maqedonisë të cilat i dhanë mbështetje pa rezervë këtij projekti dhe mori pjesë në të gjitha aktivitetet e planifikuara.

“Nënshkrimi i këtij dokumenti edhe njëherë vërteton politikat e drejta dhe efektive të aplikuara në komunën e Gostivarit nën udhëheqjen time katër vjeçare dhe të këshillit të komunës së Gostivarit. Integriteti menaxherial është një nga vlerat e veçanta i cili sot ekziston shumë pak tek funksionarët publik të të gjitha niveleve. Dëshiroj t’ju informoj se unë si kryetar komune së fundmi kam marrë një çmim prestigjioz ndërkombëtar nga instituti i Dablinit dhe i Oksfordit, pikërisht për luftimin e korrupsionit në punët e komunës”, theksoi kryetari Osmani, pas nënshkrimit të Politikës antikorruptive.

Ai shtoi se Komuna e Gostivarit është lavdëruar në kuptim të arritjeve në menaxhimin fiskal, financiar dhe në luftimin e dukurive degjeneruese nga Banka Botërore dhe nga UNDP. “Jemi komuna e vetme nga Maqedonia që është ftuar në një Konferencë të veçantë rajonale në luftimin e korrupsionit, nga Banka Botërore – Austri dhe falë këtij kombinimi të suksesshëm të një menaxhimi profesional të ndershëm dhe të luftimit  pa kompromis të korrupsionit, ne kemi arritje të jashtëzakonshme në kuptim të thithjes së fondeve financiare nga bota e jashtme”, theksoi mes tjerash kryetari i komunës së Gostivarit.  

Të pranishmëve iu drejtuan edhe përfaqësuesja e UNDP-së, Sonja Stefanoska Trajanoska dhe përfaqësuesi i Komisionit shtetëror për parandalim të korrupsionit, Sejdi Alili.
Në ceremoninë e nënshkrimit të Politikës antikorruptive, morën pjesë udhëheqësit e sektorëve dhe departamenteve pranë Komunës së Gostivarit, përfaqësues të sektorit joqeveritar dhe institucioneve lokale.

Vlen të theksohet se Komuna e Gostivarit, në kuadër të Programit për partneritet urban të Bankës Botërore – Austri, është përzgjedhur si komunë e vetme nga Maqedonia,  për hartim dhe implementim të Planit strategjik për zgjidhjen e fragjilitetit të korrupsionit. Kryetari Rufi Osmani është ftuar që të merr pjesë në Konferencën rajonale “Qytet pa korrupsion, qytete të ardhmërisë” që do të mbahet më 17-19 dhjetor 2012.  /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button