Biblotekat të mbyllura në RMV, libra në rafte, lexues të painteresuar

Pjesa e karantinës, shumë qytetarë i ka afruar pranë bibliotekës ose ndryshe pranë një librit. Por, për të marrë një libër më të përshtatshëm për këtë kohë, një mundësi e mirë është biblioteka e qytetit. Mirëpo, jo vetëm që kërkesat kanë qenë të ulëta, por edhe vetë bibliotekat kanë respektuar rekomandimet e qeverisë së RMV-së, për ndërprerje të aktiviteteve, për t’u mbrojtur nga epidemia, shkruan Portalb.mk.

Ndonëse ka qenë e vështirë furnizimi me libra nga ana e prindërve për fëmijët e tyre, biblioteka është detyruar që t’i furnizojë të njëjtët, në një kohë të përshtatshme. Nga Biblioteka Kombëtare e Shkupit ” Vëllezërit Miladinov”, thonë se me masat dhe rekomandimet e Qeverisë (pas propozimeve të Komisionit për Sëmundje Infektive) të miratuara më 11 Mars, vendosi që Biblioteka të mos funksionojë me përdoruesit, që do të thotë se ka qenë e mbyllur, por ditëve të fundit ka aktivizuar administratorët e bibliotekës.

“Ne jemi ata që furnizojmë qytetarët, pra ata që janë të anëtarësuar në Bibliotekën Kombëtare, me libra që janë në programet shkollore ose të tjera. Kemi ndërpre aktivitetet sipas rekomandimeve të qeverisë. Por, tashmë jemi aktiv dhe jemi në dispozicion për furnizim me libra. Për moment ka pasur të interesuar për libra dhe këtë të drejtë e kanë shfrytëzuar ata të cilët janë të anëtarësuar në bibliotekën. Nuk mund të themi se ka pasur shumë, por kryesisht me numër më të madh kanë qenë prindër, të cilët kanë marrë libra për fëmijë, pastaj ka pasur edhe nga lexues të autorëve vendas, por fokusimi është edhe tek autorët e huaj. Por, në përgjithësi numri është më i ulët, në këtë kohë”, thanë për Portalb.mk, nga Biblioteka Kombëtare e Shkupit ” Vëllezërit Miladinov”.

Mirëpo, ndodh ndryshe nëpër qytetet e tjera të vendit. Atje nuk ka numër të madh të të interesuarve për libra nga biblioteka. Edhe pse shpesh librat shkollor mungojnë në bibliotekat e vetë shkollës, një kërkesë për bashkëpunim nuk ka ndodhur, vetëm me raste, kur edhe u ka dalë në ndihmë biblioteka e qytetit.

Në bibliotekën e Pallatit të Kulturës, në Dibër interesimi për libra ka rënë, për shkak të ndërprerjes së aktiviteteve në këtë qendër.

“Ka pasur interesim nga ana e qytetarëve për libra të ndryshme, dhe ky interesim ka ndodhur më herët. Tani biblioteka gati 3 muaj është e mbyllur, për shkak të epidemisë. Mirëpo, vullnetarisht e mbaj hapur çdo ditë të martë nga ora 08:00 deri në orën 12:00, për ata të cilët kanë nevojë të furnizohen me libra. Edhe pse nga autoritetet kompetente akoma nuk na është mundësuar që ta hapim bibliotekën tërësisht, pra ende e kemi të mbyllur”, tha për Portalb, Besar Kaba nga Biblioteka e qytetit të Dibrës.

Gjatë tre muajve, sipas tij, interesimi ka qenë i dobët, por duke e parë situatën që njerëzit janë në karantinë dhe do t’u nevojitet të relaksohen me ndonjë libër, shpesh herë nga ana e tij është marrë hapi që të jetë pranë bibliotekës, për t’ju ofruar një libër.

“Në kohën e Pandemisë e kam hapur disa herë për t’ju bërë nder qytetarëve, gjithashtu edhe sot e hapa meqë kemi pesë persona që duan të marrin libra. Interesim nga ana e shkollës, pra nxënësve nuk ka pasur. Vetëm qytetarë nga mosha të ndryshme. Dhe atë, më shumë janë të interesuar për romane të ndryshme dhe me më shumë histori dashurie. Më pak autorë shqiptar dhe më shumë libra nga autorë të huaj”, tha Kaba

Në kohën e pandemisë, kur qytetarët është dashur që të shfrytëzojnë kohën për leximin e ndonjë libri, ata kanë zgjedhur mënyrë për t’u informuar, përmes rrjeteve sociale. Informacione, të cilat nuk e zëvendësojnë porosinë që jep një libër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button