Mosha mesatare e të infektuarve në Maqedoninë e Veriut është 44.8 vjet

Zharko Karaxhovski, kryetari i Komisionit për sëmundje ngjitëse ne Maqedoninë e Veriut sot prezantoi se mosha mesatare e të infektuarve në Maqedoninë e veriut është 44.8 vjet, transmeton Portalb.mk.

“Shpërndarja sipas grup-moshës, më së shumti të infektuar, 620 të tillë janë të moshës mbi 60 vjet, pastaj 586 të moshës ndërmjet 50-59 vjet, 544 pacientë të moshës 40-49 vjet, 568 pacientë të moshës 30-39 vjet”, raportoi Karaxhovski.

Ai sqaroi se mosha mesatare e pacientëve të infektuar në shtetin tonë është 44.8 vjet.

Karaxhovski raportoi se 97.5% e të infektuarve vijnë nga 12 komuna (qytetet): Shkup, Kumanovë, Tetovë, Prilep, Shtip, Veles, Strugë, Dibër, Koçani, Gostivar, Ohër dhe Manastir.

Ai sqaroi se numri i 16-të rasteve më 25 maj, ka nxitur lehtësimin e masave, sikurse shumë vende tjera.

“Erdhëm në një gjendje kur gjithë Evropa dhe vendet përreth i lehtësuan masat, e kemi bërë edhe ne, duke pritur se do të respektohen masat”, deklaroi Karaxhovski, duke theksuar se është i dëshpëruar për mosrespektimin e këtyre masave.

Karaxhovski theksoi se tashmë numri i testimeve është rritur, duke kaluar edhe numrin prej një mijë testimeve, ndërsa rezultatet e këtyre testimeve raportoi se janë 3,1% / 7,9% / 14,2%/ 13%/ dhe 15% pozitiv.

“Besojmë se 20% e njerëzve nuk na marrin seriozisht, as neve e as sëmundjen”, deklaroi Karaxhovski.

Ndryshe, numri më i madh i infeksioneve me koronavirus sipas epidemiologut Zharko Karaxhovski ka ndodhur përgjatë muajit të Ramazanit dhe festës së Bajramit, e që tani këto shifra të larta të Covid-19 janë rezultat i atyre infeksioneve.

Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut informon se në 24 orët e fundit kanë ndërruar jetë 3 persona nga virusi korona, 127 të tjerë janë infektuar, ndërkaq 7 pacientë janë shëruar. Me këtë, numri i përgjithshëm i vdekjeve ka arritur në 156, të infektuarve në 3.152, të shëruarve në 1653, ndërkaq gjithsej kemi 1.343 raste aktive.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button