Ganiu i replikoi Shilegovit në lidhje me financimin e rrethrrotullimit të ri: Deklaratë e pamatur

Petre Shilegov, kryetari i Komunës së Shkupit sot promovoi përfundimin e punimeve në rrethrrotullimin që lidh Komunën e Çairit dhe Butelit. Visar Ganiu, kryetari i Komunës së Çairit sot nuk ishte prezent, por reagimi i tij ndaj financimit të këtij rrethrrotullimit ishte i menjëhershëm, transmeton Portalb.mk.

“I nderuar kryetar i Qytetit, ju përkujtojmë se Komuna e Çairit përmes tatimit dhe taksave të qytetarëve ka mbushur buxhetin e institucionit të cilin ju e përfaqësoni me gjithësej 1.864.901,00 euro në vitin 2018, me 2. 533.409, 00 euro gjatë vitit 2019 dhe deri në maj të këtij viti me rreth 585.015,00 euro. Si na qenka kjo histori e rrëfyer nga ana juaj sot se Komuna e Çairit nuk ka financuar madje dhe habiteni me entuziasmin tonë për rreth-rrotullimin në Çair, i cili projekt edhe pse ishte i paraparë të përfundojë me buxhetin e parë të mandatit tuaj, sot na vie i vonuar pas tre viteve madje dhe ndjeheni krenarë në vonesë dhe i vonuar”, reagoi Ganiu, duke këshilluar Shilegovin të lexon Ligjin për Qytetin e Shkupit.

Ganiu e vlerësoi deklaratën e Shilegovit si të pamatur dhe si një shenjë se jemi afër zgjedhjeve.

“Jemi dëshmitarë të faktit se sa më shumë i afrohemi zgjedhjeve aq më të pamatura bëhen deklaratat e eksponentëve politik. Së fundmi, një deklaratë të tillë e bëri kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov i cili në përurimin e rrethit pranë poliklinikës së Çairit, tha se Komuna e Çairit nuk ka investuar aspak për ndërtimin e këtij rreth rrotullimi”, deklaroi Ganiu, duke vlerësuar se Shilegov është i painteresuar për kërkesat e Çairit.

Në promovimin e përfundimit të punimeve sot, për dallim nga promovimi i fillimit të punimeve, nuk mori pjesë kryetari Ganiu,  i cili tashmë një javë është në izolim, pasi një i afërm kishte rezultuar pozitiv, për të rezultuar edhe ai pastaj në testim si pozitiv.

Ndryshe, punimet për këtë rrethrrotullim zgjatën 4-5 muaj, përkundër asaj se ishte premtuar se do të përfundojnë për  2 muaj. Ky është rrethrrotullimi i tretë në Çair në mandatin e kryetarit Ganiu, derisa ai ka nisur vitin e fundit të qeverisjes. Ai në zgjedhjet lokale kishte premtuar se në mandatin e tij do të ndërtohen 15 rrethrrotullime, ndërsa deri më tani janë ndërtuar vetëm dy të tilla, një në Fushë Topane afër ngrohtores dhe një afër ish-restorantit Biznis, që kanë dimensione shumë më të vogla se ky.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button