Milito: Mediat e huaja na kanë sulmuar padrejtësisht, ja pse mbaja numrin 22

Ish sulmuesi i Interit, Diego Milito, i cili ishte edhe një nga heronjtë e zikaltërve në vitin e tripletës së famshme, ka dhënë një intervistë për mediat argjentinase, ku ka treguar sekretin e numrit 22 mbi shpinë, por edhe marrëdhëniet me Mourinhon.

“Kur u transferova te Saragoza, kishin mbetur vetëm dy numra të lirë, 2-shi dhe 22-shi, ndaj unë zgjodha këtë të fundit, duke qenë se nuk mund të luaja me numrin 2. Më eci mirë me atë numër për 3 sezone në Spanjë dhe më pas te Genoa. Kur u transferova te Interi, Mourinho më tha se numri 22 ishte i zënë, por mori përsipër të fliste vetë me Orlandonin dhe ky i fundit pranoi menjëherë të ma lirojë”, tregoi argjentinasi.

Thuajse dy sezone më parë, Milito sponsorizoi kalimin e Lautaro Martinez te klubi zikaltër, ndërsa tani argjentinasi kërkohet me ngulm nga Barcelona, që synon at verë përkrah Messit, ashtu si te kombëtarja e Argjentinës.

“Lautaro ndihet shumë mirë te Interit dhe këtë ma ka konfirmuar sa herë që kemi folur. Është një sulmues i kompletuar, që mund të bëjë mirë në çdo skuadër dhe nëse transferohet te Barcelona, imagjinoj që do të formonte një dyshe të jashtëzakonshme me Messin”, u shpreh ish sulmuesi i Interit, transmeton SS.

Mes Pep guardiolës dhe Jose Mourinhos, Milito zgjodhi këtë të fundit si më të mirin, ndërsa deklaroi se në vitin e Tripletës Interi është sulmuar shumë nga mediat e huaja dhe është akuzuar se luan një futboll mbrojtës.

“Guardiola është një trajner i madh, të cilin e respektoj, por zgjedh Mourinhon, pasi vetëm me të kam punuar nga afër. Di të menaxhojë shumë mirë jo vetëm grupin e lojtarëve, por edhe problemet e jashtme, që lidhen me imazhin e klubit. Asokohe mediat na sulmonin shumë dhe na akuzonin se luanim futboll mbrojtës, por harronin se ne luanim me mua, Eto’o, Pandev dhe Sneijder përpara, ndërsa kishim edhe një mbrojtës si Maicon, që ishte gjithmonë shumë i avancuar. Të gjithë i referoheshin ndeshjes së kthimit ndaj Barcelonës dhe na akuzonin se luanim në mbrojtje, por ajo ndeshje pati atë rrjedhë për shkak të kartonit të kuq të Mottës, që na la me një lojtar më pak që në minutën e 20-ë”, tha Milito.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button