U premtua për dy muaj, mbaroi pas 4-5 muajve rrethrrotullimi i ri në Çair

Petre Shilegov, kryetari i Qyteti i Shkupit sot promovoi përfundimin e punimeve te rrethrrotullimit i ndërtuar në rrugën që lidh komunën e Çairit dhe Butelit, punime që zgjatën 4-5 muaj, përkundër asaj se ishte premtuar se do të përfundojnë për  2 muaj, njofton Portalb.mk.

“Qyteti i Shkupit e ka përfunduar ndërtimin e rrethrrotullimit ndërmjet rrugëve Brigada e dytë maqedonase dhe Kemal Sejfulla në komunën e Çairit. Përveç ndërtimit të rrethrrotullimit me radius të jashtëm prej 11.5 metrash dhe sipërfaqe asfalti prej rreth 3.800 metrash katrorë, është ndërtuar edhe rrjeti i ujësjellësit, dhe kanalizimi fekale dhe atmosferik. Është instaluar edhe ndriçimi LED me 24 kandelabra të reja me lartësi 7 metra”, raportojnë nga Qyteti i Shkupit, duke sqaruar se kryetari Shilegovi i falënderoi qytetarët për durimin e treguar gjatë punimeve ndërtimore.

Në promovimin e përfundimit të punimeve sot, për dallim nga promovimi i fillimit të punimeve, nuk mori pjesë kryetari i Çairit, Visar Ganiu,  i cili tashmë një javë është në izolim, pasi një i afërm kishte rezultuar pozitiv, për të rezultuar edhe ai pastaj në testim si pozitiv.

Ndryshe, ky është rrethrrotullimi i tretë në Çair në mandatin e kryetarit Ganiu, derisa ai ka nisur vitin e fundit të qeverisjes. Ai në zgjedhjet lokale kishte premtuar se në mandatin e tij do të ndërtohen 15 rrethrrotullime, derisa deri më tani janë ndërtuar dy të tilla,  një në Fushë Topane afër ngrohtores dhe një afër ish-restorantit Biznis, që kanë dimensione shumë më të vogla se ky.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button