Pasojat e një dyftyrësie politike

Dr. Lumni Ademi, Cyrih, Zvicër

Në një lagje të Tetovës jeton një banor, i cili është i njohur, pothuajse te të gjithë tetovarët, si vjedhës profesional i kuletrave. Si çdo pushim veror, që preferojmë ta kalojmë në vendlindje, edhe kësaj radhe pata rastin ta shoh, por tani përveç që më përshëndeti, m’u lut t’i jepja leje të ulej pranë tavolinës sime, teksa pija kafen e mëngjezit në restorantin Sirena. Nuk e kisha problem ta respektoja si çdo njeri tjetër, por nuk arrija të kuptoja se ç’dëshironte nga unë. Për të qenë më i sinqertë, mendova se do të më kërkonte të holla, ngase shpesh i ndodhte të huazonte nga banorët e lagjes dhe për çudi ua kthente në afat të caktuar, edhe pse ato para ua vjidhte njerëzve hallexhi, në të shumtën e rasteve, tek tregu i gjelbërt. Bisedën e filloi me shaka, duke thënë se tani kishte blerë syza me xhama të zi për t’u mos u njohur nga viktimat e radhës, ndryshe do ta kishte të pamundur të siguronte mëditjen. Biseda zgjati afro 10 minuta, me çka konkludova se nuk donte të holla nga unë, por vetëm të arsyetonte veprimin e tij, duke parë në mua personin që mund ta dëgjonte, edhe pse një gjë të tillë as që e kërkova prej tij.

–    Unë gjithmonë u them njerëzve se jam hajdut, tha ai dhe vazhdoi, – por kur dalë në gjah, paraprakisht lutem që viktima e radhës të jetë person që parat i ka të fituara me haram, ngase dua që harami im ta godet jo hallalin, por vetëm haramin e tjetrit dhe kështu e kam ndërgjgjegjen më të pastër, pra mund të flej më rehat.

U befasova nga mënyra se si ai, edhe pse vjedhës profesional, e arsyetonte veprimin e tij dhe ndërkoh kërkonte nga unë të gjykoja për punën që bënte.

–    I nderuar, duke iu përgjigjur, – puna yte nuk mund të arsyetohet, ngase po thyen ligjin, dhe ku s’ka ligj, ka anarki, kaos. Unë jam i bindur se ti nuk dëshiron që edhe fëmija yt të ritet ne kaos. Lutja yte që harami yt ta godet vetëm haramin e tjetrit nuk e arsyeton aspak punën tënde, ngase askush nuk të garanton se harami yt vërtet do ta godas njëriun e duhur. Në fakt, e paguan gjithmonë më i miri, ndonëse vetëm për një gjë mund të të siguroj me plot përgjegjësi, se ekziston një dallim shumë i madh në mes teje dhe shumicës së politikanëve tane, që po ushtrojnë të njëjtin zanat si ti, e ajo është SINQERITETI yt i pastër. Pra, ti me plot vetëdije dhe sinqeritet pranon se je vjedhës dhe vazhdon akoma të vjedhësh, duke u munduar që nga kjo vjedhje të dalësh me ndërgjegjje të pastër sado e vogël të jetë ajo, ndërsa shumica e politikanëve tanë, jo vetëm që pasurohen dhe nuk skuqen, por vazhdojnë akoma ta mashtrojnë dhe gënjejnë popullin dhe ndërgjegjja të mos i bren fare, ngase edhe nuk e kanë. Pra, krenohu me cilesinë që ke, ngase prej më të këqijve të kësaj shoqërie, ti je më i miri.

U përlot dhe vuri sërish syzat e zeza, jo për të vjedhur, por të mos e shihnin të tjerët të përlotur, duke më thënë se dëshironte të ishte i dinjitetshëm si të tjerët, ndërkoh që më premtoi se vetëm sot nu do të vjedh. Edhe pse nuk e arsyetova veprimin e tij, fillova të hulumtoja shkaqet që i detoyrojnë këta njerëz, edhe pse të sinqertë, të kërkojnë alternativa tjera joligjore të mbijetesës. Fillova të pyesja veten:

–    Si do të duhej të sillej apo veproj një banor i këtij nënqielli nëse, edhe pas 20 vite pluralizëm, perpspektiva ekonomike e këtij vendit bëhet akoma më e paqartë?

–    Si do të duhej të sillej apo veproj një banor i këtij nënqielli nëse, edhe pas 20 vite pluralizëm, pamëshirshëm vazhdon të gënjehet dhe mashtrohet se pas zgjedhjeve e nesërmja e tij do të jetë më e begatshme?

–    Si do të duhej të sillej apo veproj një banor i këtij nënqielli nëse, edhe pas 20 vite pluralizëm, korupsioni veçse ka përfshirë çdo segment jetësor dhe se qytetari për çdo shërbim i duhet të japë ryshfet?

–    Si do të duhej të sillej apo veproj një banor i këtij nënqielli nëse, edhe pas 20 vite pluralizëm, perkundrejt rrogës që mer, i duhet të jetoj me frigën se nesër do ia ç’kyçin rrymën?

–    Si do të duhej të sillej apo veproj një banor i këtij nënqielli nëse, edhe pas 20 vite pluralizëm, në vend të bukës, vazhdon akoma të ushqehet me nacionalizëm të rejshëm?

–    Si do të duhej të sillej apo veproj një banor i këtij nënqielli nëse, edhe pas 20 vite pluralizëm, vazhdon t’i nënshtrohet dhunës dhe nënçmimit policor?

–    Apo vallë, si do të duhej të sillej apo veproj një banor i këtij nënqielli, nëse gjatë 20 viteve pluralizëm përjetoi, se si pushteti, atdhetarët e vërtetë ose i burgosi, për t’ua ndalë hovin e tyre atdhetar e politik, siq ishte rasti i Gostivarit, ku në Korrik të 1997 në mënyrë të dhunshme mori mandatin legjitim të kryetarit aktual, z. Rufi Osmani, ose i vrau në rethana tejet të dyshimta, siq qe rasti i z. Harun Aliu, në Maj të 2010.

Edhe pas këtyre pyetjeve sërish nuk arrita ta arsyetoja vjedhesin, por fillova disi ta kutpoja dhe të konkludoj se ky fenomen negativ është produkt i një politike dyftyrëshe karshi qytetarëve të vet. Pra, mungesa e guximit politik dhe njerzor të pozitës, për t’ua treguar njerëzve realitetin politik të vendit, qoftë ai shumë i hidhur, si dhe njëkohësisht, përmes një vizioni politik, t’ua bëjë të qarta vendimet që do t’i ndërmernin, për t’i përballur me efikasitet sfidat politike të shoqërise. Ndërkaq, edhe opozita, në vend që të meret me akuza shumë të rënda, duke shpërndarë dosje të falsifikuara, se gjoja njerzit e pozitës na qenkan bashkpunëtor të shërbimit sekret sërb, do ishte në dobinë e saj të ofronte alternativa programore më të mira politike dhe ekonomike për vendin. Nuk është burrëri, që në njërën anë, në mungesë të një oferte më të mirë politike, t’i bëhen akuza shumë të rënda oponentit, ndërsa në anën tjetër t’i ofrosh bashkpunim politik për zgjedhjet e ardshme lokale. Kjo dëshmon se ka filluar të na pëlqeje ta lëpijëm atë që çdo ditë e pështijmë. Për mua personalisht kjo do të ishte shumë neveritëse.

Raporti i partive politike karshi qytetarëve duhet të jetë sikurse raporti i prindërve ndaj fëmijëve të vet. Pra, prindër që maksimalisht përkujdesen për fëmijët dhe asnjëher nuk i gënjejnë. Fëmija, edhe pse mund të shfaq shenja pakënaqesie, e pranon shume më lehtë këshillën e prindërve kur u thonë se edhe këtë vit nuk do të blejmë biçikletë sepse nuk kemi para, sesa të ushqehet me premtime boshe. Premtimet boshe prodhojnë vetëm gënjeshtra dhe breza të rinjësh, që do të vazhdojnë ta kultivojnë gënjeshtrën dhe në rethana të tilla të mos shqetësohemi nëse dikush rastësisht, tek tregu i gjelbert, do na e vjedh kuletrën plot para djersi. E vërteta në sy, sado e hidhur të jetë ajo, do të edukonte breza të rinjësh, të cilët doemos ta pranonin  realitetin e hidhur, por që, padyshim, me përkushtim të madh do të kërkonin rrugë më të mira të zgjidhjes së problemeve, e në rethana të tilla, banori i lagjes së Tetovës, syzat e zeza do i përdor vetëm për të mbrojtur sytë nga rrezet e fuqishme të diellit dhe jo për të keqprdorur gjersën e ndonjë hallexhiu, që viteve të fundit me të madhe po i shtohen Tetovës sime të dashur.

(Autori eshte doktor i shkencave nga Universiteti i Baselit, Zvicër)

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button