Shqipëri, 17 raste të reja me COVID-19

Në Shqipëri vazhdon të rritet numri i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19), pasi janë konfirmuar edhe 17 raste të reja, duke e rritur numrin e përgjithshëm në 1.263, transmeton Anadolu Agency(AA).

Rastet pozitive përfshirë edhe personel shëndetësor janë regjistruar në Tiranë, Shkodër dhe në Kamëz, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

“Kanë vijuar testimet për të dyshuar të prekur me COVID-19 dhe vazhdon puna intensive e epidemiologëve në terren për gjurmimin e rasteve. Rastet e konfirmuara janë kontakte të rasteve të mëparshme pozitive dhe disa raste të reja. Pavarësisht shërimeve ditore, vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv”, thekson ministria.

Deri më tani në Shqipëri janë kryer gjithsej 18.601 testime dhe 34 persona kanë humbur jetën nga koronavirusi.

Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 7 qytetarë, duke e rritur në 945 numrin e të shëruarve dhe aktualisht në Shqipëri janë 284 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë dhe Kamëz.

Sipas ministrisë, bazuar në të dhënat epidemiologjike, trendin e evidentimit të rasteve pozitive dhe të totalit të testimeve gjatë javës së kaluar, ka një paraqitje të qëndrueshme të situatës në vend.

Për shkak të COVID-19 në Shqipëri vazhdon gjendja e fatkeqësisë natyrore, ndërsa në vend vazhdon zbatimi i lehtësimit të disa masave që u vendosën në gjithë vendin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button