fbpx

Ortodoksët 7 për qind e popullsisë, reagon Kisha: E papranueshme

Publikimi i të dhënave të Censusit të popullsisë ka hequr çdo dyshim mbi flluskën e sajuar nga qarqe që kërkonin shtimin artificial të numrit të personave me kombësi greke në Shqipëri.

Nga anketimi i popullatës rezulton se lidhur me përkatësinë etno-kulturore, 82.58% e popullsisë ka deklaruar se janë shqiptarë, 0.87% grekë, 0.30% romë, 0.30% arumunë dhe 0.20% maqedonas. Teksa komentoi dje të dhënat përfundimtare të Censusit të popullsisë, drejtoreshe e Institutit të Statistikave, Iners Nurja, tha se 98.77% e popullsisë ka si gjuhë amtare shqipen. Më pas vijnë gjuha greke me 0.54%, maqedonase 0.16%, rome 0.14% dhe arumune me përkatësisht 0.14%. Ministri i Teknologjisë dhe Inovacionit, Genc Pollo, i pranishëm gjatë ceremonisë së publikimit të të dhënave të Censusit tha se “këto rezultate janë përgjigjja ndaj atyre, që e përdorën Censusin për të përçarë shqiptarët”.

REAGIMI I KISHES

Sipas vetëdeklarimit mbi përkatësinë fetare në Censusin 2011, në territorin e Shqipërisë janë 56.70% myslimanë, 10.03% katolikë, 6.75% ortodoksë, 2.09 bektashinj, 0.14 ungjillorë. Ndërkohë që 5.49% janë vetëdeklaruar si besimtarë të pacilësuar dhe 2.5% ateistë. Numri i atyre që kanë preferuar të mos i përgjigjen kësaj pyetjeje është 13.79% të totalit të popullsisë. Ndërkohë, përfaqësues të Kishës Ortodokse janë shprehur të çuditur nga rezultatet e censusit. “Shifrat e publikuara janë joreale, befasuese dhe të papranueshme”, tha për “Gazetën Shqiptare” zëdhënësi i Kishës Ortodokse, Thoma Dhima. Ditët e ardhshme pritet të ketë edhe një reagim tjetër publik të Kryepeshkopatës ndaj shifrave të censusit. 
Duke iu rikthyer shifrave, ajo që vlen për t’u shënuar është se rezulton që 99.6% e tyre kanë deklaruar gjuhë amtare shqipen, 0.15% gjuhen greke, 0.04% atë rome, 0.04% arumune dhe 0.03% maqedonasen. Të njëjtin trend shifrash konfirmojnë edhe të dhënat e Censusit lidhur me përkatësinë fetare.

300 mijë minoritarë

Vazhdimisht qarqe të caktuara greke kanë pretenduar se ky minoritet në Shqipëri numëron deri 300 mijë banorë. Debati dhe polemikat për këtë minoritet kanë qenë të gjera që në nisje të Censusit dhe pritet të vijojnë pas publikimit të rezultateve. Shoqatat përfaqëuese të këtij minoriteti kanë kundërshtuar hapur Censusin dhe kanë bërë thirrje për mospjesëmarrje. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe media greke disa ditë më parë. Reagimet e tyre kanë qenë të menjëhershme, pas rrjedhjes së të dhënave mbi përkatësinë etnike e fetare përpara datës 13 dhjetor. Mediat greke e përkufizuan regjistrimin e popullsisë në Shqipëri si të pasaktë e fals dhe se zyrtarët grekë mbetën të zhgënjyer nga përqindja e vogël popullsisë shqiptarë me origjinë greke. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button