Korona moment i mirë për dialog rreth pagës minimale në BE

Sigurimi i pagës minimale të sigurt dhe të drejtë për punëtorët në vendet e BE-së do të kontribuojë gjithashtu në rikuperimin më efektiv nga kriza e koronës, vlerëson Komisioni Evropian.

Paga minimale e drejtë në vendet e Bashkimit Evropian është tema për të cilën Komisioni Evropian po konsultohet me sindikatat dhe organizatat e punëdhënësve. Kjo nismë, një nga prioritetet e Komisionit nën udhëheqjen e Ursula von der Lajen, synon të zvogëlojë pabarazinë dhe varfërinë midis punonjësve të BE, theksohet në komunikatën e Komisionit.

Nisma gjithashtu merr edhe një dimension të ri gjatë pandemisë së koronavirusit, veçanërisht për shkak të efekteve negative të krizës së koronës mbi ekonominë dhe biznesin.

“Mundësimi për të gjithë punëtorët e BE-së për të fituar për jetesë të mirë është thelbësore për rimëkëmbjen, si dhe për ndërtimin e ekonomive të drejta dhe të qëndrueshme, ndërsa pagat minimale luajnë rol të madh në arritjen e këtij qëllimi,” kanë thënë nga komisioni.

Ideja për pagë minimale në BE është më e vjetër se dy dekada, shkruan Guardian. Komisioni, asokohe, kishte propozuar direktivë mbi të ardhurat minimale në BE, por në vend që të ishte detyruese, ideja mbeti vetëm rekomandim pasi nuk mori mbështetje nga të gjitha vendet anëtare, transmeton REL.

Konsultimet për arritjen e pagës minimale të drejtë janë në fazën e dytë. Faza e parë e dialogut social u zhvillua në janar të këtij viti dhe përfundoi në fund të shkurtit. Pas marrjes së përgjigjeve nga më shumë se 23 partnerë në dialog, Komisioni arriti në përfundimin se nevojitet veprim i mëtutjeshëm për këtë çështje.

“Ndërsa punojmë në rimëkëmbjen gjithëpërfshirëse nga kriza e koronës, duam të sigurohemi që të gjithë punëtorët e BE-së mbrohen me një pagë minimale të drejtë, e cila do t’u lejojë atyre që të fitojnë për jetesë të mirë kudo që të punojnë”, tha eurokomisioneri dhe zëvendës kryetari për çështje ekonomike Valdis Dombrovskis pasi mbajtjes së fazës së dytë të konsultimeve.

Vendet më të prekura nga koronavirusi me mbështetje për idenë

Kjo ide mbështetet nga Spanja, Italia dhe Portugalia, të cilat janë ndër vendet më të prekura nga koronavirusi, i cili ka shkaktuar një goditje të fortë në ekonomitë e tyre.

“Ky është momenti kur duhet të debatohet për mbrojtjen sociale” thotë Pablo Inglesias, lideri i Podemos dhe zëvendës ministër për të drejta sociale në Spanjë.

“Të gjithë ata që e gjejnë veten në një situatë të cenueshme duhet të kenë qasje në mekanizma mbrojtës që u lejojnë të kenë ushqim në frigorifer dhe të kujdesen për familjet e tyre,” ka thënë Inglesias pëe Guardian.

Në prill, Rrjeti Evropian kundër varfërisë i dërgoi një letër Komisionerit të BE-së për punë dhe të drejta sociale Nilola Shmit në të cilën kërkon Komisioni të mbrojë qytetarët nga rreziku i varfërisë, për shkak të goditjes fuqishme nga kriza e koronës, duke siguruar të ardhura të barabarta, që janë në dispozicion dhe që mundësojnë të ardhura për të gjithë.

“Shtyllat e të drejtave sociale evropiane janë “të gjithë ata që nuk kanë burime të mjaftueshme kanë të drejtë për të ardhura minimale adekuate që do t’u mundësojnë atyre të jetojnë një jetë dinjitoze në të gjitha nivelet “. Kjo është një kohë për kurajo dhe udhëheqje dhe kjo është arsyeja pse ne kërkojmë nga ju Komisioneri Shmit të dëshmoni lidershipin tuaj dhe të paraqitni një direktivë kornizë për të ardhurat minimale sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në letrën, të nënshkruar nga 25 eurodeputetë.

Të gjithë meritojnë standard të mirë për jetesë, pajtohet Komisioneri i BE-së Shmit.

“Çdo i gjashti punëtor në BE klasifikohet si punëtor me të ardhura të ulëta dhe shumica e tyre janë gra. Këta punëtorë i mbanin gjallë shoqëritë dhe ekonomitë kur gjithçka tjetër u ndal. Por është paradoks, që ata gjithashtu do të preken më së shumti nga kriza e koronës. “Puna për të krijuar iniciativë për paga minimale në BE është një element i rëndësishëm i strategjisë sonë për rimëkëmbje”, ka deklaruar Shmit pas takimit.

Nikola Shmit, eurokomisioneri për punë dhe të drejtat sociale

Kjo ide do të jetë edhe në fokusin e presidencës gjermane me Unionin që fillon në korrik.

“Presidenca gjermane ka theksuar se synon të shqyrtojë këtë çështje kryesore dhe ne do të punojmë së bashku për një zgjidhje të mundshme,” ka thënë Shmit për Guardian.

Sipas të dhënave nga Komisioni, paga mesatare minimale është e barabartë me pagën e fituar nga një grua e moshës mesatare me arsim të mesëm. Shumica e punëtorëve që marrin pagën minimale janë midis moshës 25 dhe 49 vjeç, raporton Euroaktiv.

Sipas të dhënave të Eurostat nga janari i vitit 2020, ka dallime të mëdha mes shteteve anëtare të BE-së rreth lartësisë së pagës minimale. Ajo është më shumë se 2,000 euro në Luksemburg dhe pak më shumë se 250 euro në Bullgari.

Edhe pse ky ndryshim duhet të shihet përmes prizmit të kostos së jetesës në secilin vend individualisht në planin afatgjatë, kjo diferencë mund të ndikojë negativisht në tregun unik, theksohet në vlerësimet e Komisionit.

Sidoqoftë, ata theksojnë se ideja e pagës minimale të drejtë nuk është të vendoset pagë minimale evropiane, as të harmonizohet sistemi për përcaktimin e pagës minimale.

“Çdo masë e mundshme do të zbatohet ndryshe, varësisht nga sistemi i pagave minimale dhe traditave të secilit vend anëtar të BE-së, me respekt të plotë për kompetencat kombëtare dhe marrëveshjet e arritura me partnerët socialë”, theksohet në komunikatën e Komisionit.

Disa vende tashmë kanë krijuar sisteme të shkëlqyera. Qëllimi i Komisionit është të sigurojë që të gjitha sistemet janë të përshtatshme, të kenë një mbulim të madh, të bazohen në konsultime të hollësishme me partnerët socialë dhe të kenë një mekanizëm të duhur për përmirësimin e tyre.

Nisma për pagë të drejtë minimale është pjesë e diskutimit më të gjerë që Komisioni e ka nisur për Planin e ardhshëm aksionar për zbatimin e plotë të shtyllës evropiane të të drejtave sociale, e cila duhet të paraqitet në vitin 2021.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button