Koha për shqiptarin e fundit në Maqedoni

Merkel, me fuqinë e saj shpirtërore, doli para popullit gjerman me fjalët: “Na duhet guxim e vendosmëri  për të dalë nga kriza më serioze ekonomike që nga Lufta e Dytë Botërore”. Tre partitë kundërshtare të Gjermanisë njoftuan angazhimin dhe përkrahjen në ringjalljen e gjendjes ekonomike në vend. Haruan dallimet partiake në interes të një ideali të madh – njeriut dhe shoqërisë gjermane. Kështu veprojnë vetëm ata që kanë shpirt njeriu, kurse të tjerët i pamë e i shohim, madje edhe i dëgjuam se si gjykojnë ! Tani do lypkan kryeministër!

Shkenca thotë se një lloj peshqish mund të mbajnë mend vetëm 6 ditë. Si duket edhe do politikan tanët thellë besojnë se edhe votuesit e tyre kanë po aq memorie. Dhe serish me oferta boshe, veçanërisht tani kur udhëhiqen nga paniku ekstreme se fare lehtë mund të përfundojnë në opozitë. A vendi i opozitës për ta është më i padëshiruar sa edhe ferri. Në fakt s’është edhe aq lehtë! Populli ua dha më të shtrenjtën për një ideal krejt tjetër, e jo për përçarje, dallime e poshtërime. Madje mu ky popull u ndesh edhe eksodin e përmasave biblike. U zbraz popullata nga ata që mbushën xhepat. Tmerruese që gjysma e popullatës së ktuhit shqiptare u zhduk pa kthim. Këtë s’e arritën dot as projektues të huaj ndër shekuj! Thonë se kjo qenka trend ballkanik, por aj t’i shohim do numra të demografëve ballkanik! Ata thonë se shpërngulja e popullatës në Maqedoninë perëndimore është rreth KATËR here më e lartë se mesatarja ballkanike, kurse tri here më e lartë se e popujve tjerë në Maqedoni!!!

Kjo është tmerruese. Aq më trishtuese është që akoma dikush me lojërat cinike politikaneske u hedhë acid syve njerëzve që akoma janë këtu. Kryeministri shqiptar tani as që është i mundur e as që zgjidhë gjë me këso kodi mental. Madje, çdo kund në botë kur s’ke shumicë kryeministri vetëm se do ishte kukull i partisë më të madhe në pushtet. Andaj kjo ide s’meriton më tutje as të komentohet, aq më pak se është lansuar nga një strukturë që 20 vite servon vetëm dështime. Nuk besoj se lehtë harrohet votimi i Ligjit për shtim të natalitetit vetëm për komunat maqedonase. Çdokush e di se në dhjetë vitet e fundit, në Maqedoninë lindore u ndërtuan 210 km autostradë (Demir Kapi – Smokvicë,  Shtip – Miladinovci, Shtip – Veles etj.), kurse në Maqedoninë perëndimore vetëm rreth 8 kilometra!!! Madje as koalicioni i fundit me pozitë favore nuk solli gjë në këtë drejtim. Para hundëve u minua projekti Kërçovë – Ohër! Nuk mund të harrohet as përkrahja e luanit gruevist për stemë shtetërore. As urdhëri i tij për votat Ivanovit, duke i detyruar integrisët që të shpikin ,,kandidatin konsensual”.  As 650 milion euro finansa edhe tonat që përfunduan në statue të vdekura duke shkelë mbi fatin e të gjallëve!

Madje edhe në komparacionin lokal mbetemi një ZERO e madhe. Për 20 vite, Bullgaria e pesëfishoi zhvillimin, Serbia e trifishoi, Shqipëria e katërfishoi, Kosova po ashtu. Kurse pjesa shqiptare e ktuit mbeti Saharë. Mbeti shkretëtirë e do faraonëve. Për vite, liderët e ktuit as që kishin ide për zhvillim ekonomik, e të mos flasim për programe operative. Për 20 vite Turqia u bë gjigante botërore, Kina e India po ashtu. Madje edhe do shtete ku njerëzit para dy dekadash masovisht vdisnin nga uria (Etiopia, Bocuana, Namibia e Zimbebve), tani bëjnë bum ekonomik. Kurse ne për vite mbetëm në fund të humnerës të ushqyer më këso pallavra boshe, duke përcjellë rininë vitale në pa kthim. Vite me radhë shesin mjegulla për të blejtë vota dhe serish për të vazhduar me të vjetrën. Po e fituan edhe një mandate, askush më nuk do mbetet këtu. Çdo respekt anëtarësisë dhe do funksionarëve me të vërtet të ndershëm të këtij subjekti, por kreu i tyre sikur s’di se çka është përgjegjësi objektive, e të mos flasim për atë morale. Këtu sikur është humbë edhe ndenja e shpresës. S’ka gjë ma tragjike se popullatës t’i vritet shpresa.

Për ata që kanë ideal, formula e zhvillimit është tejet e thjeshtë – ide, ekspertë, projekte, realizime. Shqiptarët e këtuit s’kanë nevojë për çallame të rrejshme, por për shpëtimtarë që do t’i shpëtojë nga shfarosja totale sociale e ekonomike e shkaktuar nga vet organizmi përbrenda. Ata duhet shëruar nga diçka që është shumë më e rrezikshme se murtaja. Andaj moment i fundit është që opozita shqiptare të mobilizohet me gjithë potencialin që ka, jo vetëm për t’i fituar zgjedhjet, por edhe për të dëshmua se mundet krejt ndryshe. Çdo rajoni, çdo qyteti, çdo fshati, çdo lagjeje, madje edhe çdo individi duhet t’i jepet ofertë konkrete për punë që do t’i mundësoi një jetë normale këtu ku ka lindë. T’u ndihmohet të rinjve që t’u kthehet vetëbesimi, por edhe bindja se jeta edhe këtu është e mundshme. Ata duhet të informohen se çka krejt mund të shfrytëzojnë nga ndihmat financiare evropiane pa kthim, të investojnë dhe të punojnë. Deri tani askush s’ka ça kokën për këtë punë. Tani ekzistojnë fonde të shumta strukturore evropiane për mjete pa kthim. Pjesë e madhe e këtyre mjeteve as që shfrytëzohet sepse s’ka kush së paku t’i informoj. Njerëzve kjo duhet t’u vehet në dije dhe t’u jepet ndihma në procedura komplekse. Dhjetëra miliona euro në vit kthejnë prapa në Bruksel pasi këta udhëheqës nuk dinë si t’i shfrytëzojnë, madje as që dinë se ekzistojnë.

Nëse edhe këtë tren të fundit e lëshojmë, atëherë do mbetet që ndonjë pasardhës i yni diku në Perëndim të lexojë se dikur në këto troje paska pas Shqiptarë, por të cilët ishin vetzhdukur, sepse kishin besuar në “viçin e artë”, mu ashtu siç kishte bërë populli i Hasreti Musës. Mjafton të shihni rrethin tuaj ku jetoni dhe menjëherë të tmerroheni si në afërsinë tuaj s’ka zë njeriu, s’ka zë fëmijësh apo çfarëdo zëri tjetër, pos zërit të sorrave që thellon pikëllimin. Shtëpi të mëdha e të bukura, brenda të mykosura me aromë tmerri.

Andaj bëni programe shpëtimi, se s’keni mision tjetër. S’ka shumë kohë kur një ekspert kinez pat thënë se po ta kishin këtë vend do të kishin ushqyer 50 milion banorë. Ne fakt, Tajvani kinez me territor është gati sa Maqedonia, por ushqen rreth 24 milion banor me katër herë standard më të lartë se tonin. Andaj çfarëdo që të themi që të arsyetojmë dështimet, ka një thënie religjioze hinduse – “kujdes që të mos ankohet dikush prej jush tek Zoti”.

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button