Diplomacia maqedonase në vigjiljen e ‘shkëmbimeve territoriale’

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se nuk do të ketë shkëmbim territoresh dhe pazare në mes Serbisë dhe Kosovës, por vetëm përmirësim historik. Qeveria e Kosovës e drejtuar nga A. Hoti e shfuqizoi tarifën ndaj Serbisë duke e bërë hapin e kërkuar nga Sh.B.A.-ja, si veprim i domosdoshëm për fillimin e bisedimeve serbo-kosovare të bllokuara nga Prishtina zyrtare ashtu siç pretendon Uashingtoni zyrtar, Beogradi dhe një pjesë e shteteve të BE-së.

Kritikët thanë se shfuqizimi i taksës është në kundërshtim me të drejtën e Kosovës si shtet që ka të drejtë në masën e reciprocitetit. Së këndejmi, Kosova shkon drejt marrëveshjes e cila nuk dihet se çfarë do të prodhojë në terren për vetë shtetësinë e Kosovës dhe për shtetet fqinjë.

Që kur u hap debati për kufijtë në vitin 2018 nga presidenti Thaçi dhe ai Vuçiç, në tablonë e politikës ballkanike ka pasur mendime pro dhe kundër ndryshimeve kufitare. Ish zv. kryeministri në qeverinë e A. Kurtit H. Abazi, ka shkruar se “sigurisht se sikleti i tij (i H.Th. v.j.) lidhet edhe me qeverisjen tonë të 50 ditëve pasi ne kemi parë dosje e informacione që e vënë Thaçin në vendin ku e meriton. Ai është dëmtuesi më i madh i interesit të vendit. Edhe ish ministrja Dhurata Hoxha, edhe ambasadorët tanë në Francë apo Sh.B.A. kanë punuar me mediat e huaja dhe me njerëz me influencë për ta ndarë Kosovën”.

Presidenti Thaçi pas heqjes së tarifave tha se ky është një vendim i zgjuar dhe strategjik nga qeveria e Kosovës që heq pretekstin e përdorur nga Serbia për të bllokuar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Tani, le të punojmë së bashku për të arritur një marrëveshje paqësore dhe njohje reciproke midis Kosovës dhe Serbisë. Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit të Qeverisë së Sh.B.A.-së (MCC) tha se mirëpret vazhdimin e partneritetit me qeverinë e Kosovës. “Shtetet e Bashkuara mirëpresin zgjidhjen e çështjeve të tarifave dhe heqjen e masave të reciprocitetit ndaj mallrave serbe. MCC do të rinisë zbatimin e programeve në Kosovë. Mirëpresim vazhdimin e bashkëpunimit me popullin dhe qeverinë e Kosovës, në punën tonë të përbashkët për të zbutur varfërinë përmes rritjes ekonomike”.

Mirëpo, kundërshtarët e A. Kurtit i kanë hedhur poshtë vlerësimet se Kosova do të copëtohet. Në këtë debat të ndryshimeve kufitare dhe mundësisë së nënshkrimit të marrëveshjes ashtu siç quhet historike në mes Prishtinës dhe Beogradit, në shtetet fqinjë ka pasur qëndrime të ndryshme. Le të ndalemi në Maqedoninë Veriore (MV) e cila ka drojë nga mundësia e shkëmbimeve territoriale dhe efektet anësore të ndërrimeve në sovranitetin dhe tërësinë territoriale të MV-së.

1.Teoritë kryesore të politikës së jashtme janë realizmi, liberalizmi, strukturalizmi ekonomik, feminizmi dhe konstruktivizmi. Pasi politika e jashtme e një shteti përbëhet nga strategjitë që përdor për të mbrojtur interesat e saj të jashtme dhe kombëtare dhe përcakton mënyrën se si ndërvepron me aktorët e tjerë shtetërorë dhe jo-shtetërorë, qëllimi kryesor i politikës së jashtme të MV-së dhe politikanëve maqedonas duke përfshirë këtu inteligjencën dhe organet tjera të sigurisë, ka qenë dhe është që të mbrohen interesat kombëtare maqedonase të shtetit të ri, i cili mund të ndeshet në mënyra jo të dhunshme ose të dhunshme të pasojave nga shkëmbimet e mundshme territoriale në mes Kosovës dhe Serbisë nën mbikëqyrjen e Sh.B.A.-së dhe të BE-së.

Masat kryesore që diplomacia e një shteti ndërmerr në kuadër të politikës së jashtme përfshin taktikat dhe procesin me të cilin një komb bashkëvepron me kombet e tjera në mënyrë që të përparojë interesat e veta shtetërore. Gjithashtu me ardhjen e ish kryeministrit A. Kurti në pushtet, disi qeveria në Shkup sikur u zbraps nga qëndrimet parimore, pasi ishte në kërkim të një strategjie që do ta vendoste shtetin maqedonas në qendër të vakumit gjeopolitik deri në zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovës. Pra, politika e jashtme e një shteti mund të përdorë diplomacinë ose mjete të tjera të drejtpërdrejta, inteligjente dhe informative për t’i përmbushur objektivat kombëtare dhe këtë MV-ja, e ka bërë që nga pavarësia e deri më sot, duke marrë anë disa herë në kundërshtim me parimet e fqinjësisë së mirë që burojnë nga kapitujt e aderimit në BE.

2. Presidenca maqedonase dhe qeveria gjatë viteve të 90-ta kishin pozicione pro serbe të ndërtuara që moti ndaj Kosovës. Një raport i CIA-s në atë kohë, vinte në dukje tregtinë e zezë të qeverisë së ish kryeministrit B. Cërvenkovski me autoritetet serbe-regjimin e Millosheviqit. Me presion e jashtëm e sidomos atij amerikan, udhëheqja e atëhershme e IRJM-së duhej t’i ndryshonte pozicionet politike dhe diplomatike ndaj fqinjëve.

Nga kjo pikë, pas njohjes së Kosovës nga Maqedonia Veriore në vitin 2008, qeveria në Shkup ka pasur një qëndrim parimor të të kuptuarit të pozicionit të Kosovës përballë Serbisë, gjegjësisht tendencave serbe rreth ç’njohjeve të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Aktualisht qeveria e MV-së dhe kreu i shtetit kanë qëndrim të qartë për sa u përket shkëmbimeve territoriale. Presidenti i MV-së Stevo Pendarovski është shprehur kundër këtij debati dhe planeve të dy presidentëve. Sa herë që Pendarovski ka folur për Kosovën dhe kufijtë ai është akuzuar nga Beogradi për ndërhyrje në çështjet e brendshme të Serbisë.

Janë dy momente që duhet t’i veçojmë në historinë diplomatike të MV-së që kanë lënë gjurmë në marrëdhëniet në me MV-së dhe Kosovës, gjithnjë duke e pasur parasysh efektin domino të shkëmbimeve brenda territorit të MV-së. E para, lidhet me sjelljet jo demokratike të ish qeverisë së L. Georgievskit gjatë krizës dhe konfliktit në Kosovë në vitin 1999 ( me hapje dhe mbyllje të kufirit) dhe e dyta, përsëri ka të bëjë me Kosovën dhe shqiptarët e MV-së gjatë konfliktit të armatosur të vitit 2001 me akuzat shtetërore maqedonase të burimit-bartjes së konfliktit nga Kosova në IRJM-në e atëhershme.

Aktualisht, impakti gjeopolitik i shkëmbimeve territoriale ose çfarë ndodhë në veri mund të reflektohet në MV janë të ekzagjeruara, pasi në MV nuk ka tendenca separatiste dhe legjitime nga shqiptarët e MV-së për shkëputje, përderisa në pushtet dhe në opozitë janë partitë aktuale. Andaj qasja e kreut shtetëror maqedonas kundër marrëveshjes së mundshme në mes Kosovës dhe Serbisë është e tepruar. Pasi dialogu ndërmjetësohet nga Uashingtoni zyrtar dhe BE-ja, në fund MV-ja do të detyrohet ta pranojë realitetin e ri i cili mund të jetë në favor të shtetësisë dhe diplomacisë maqedonase. Duhet thënë se realiteti mund të mos jetë i aq i mirë për palën kosovare pasi marrëveshjet historike kërkojnë kompromise të dhimbshme.

Megjithatë duhet pranuar se për vendet fqinjë dhe për shumicën dërmuese të opinionit, bisedimet dhe marrëveshja e paralajmëruar serbo-kosovare mbi baza të ndarjeve etnike, vazhdon ende të paraqitet si e rrezikshme për rajonin. Prapëseprapë duhet parë se si politika e jashtme e MV-së do të evoluojë deri në fund të vitit dhe nëse do të pajtohet me peizazhin e ri territorial të Ballkanit Perëndimor që do të jetë pjesë e përbashkët e kryqëzimit të forcave të reja që luajnë rol në fatin e popujve të vegjël.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button