Kosovë, hiqet kufizimi i lëvizjes dhe obligimi për vetë-izolim pas hyrjes në vend

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës ka bërë të ditur se nga e hëna, më 8 qershor, lehtësohen masat e ndërmarra më herët për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19), përkatësisht kufizimin e lëvizjes së qytetarëve dhe obligimin për vetë-izolim pas hyrjes në territorin e vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, njoftoi se në bazë të rekomandimeve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), nga e hëna do të hiqet kufizimi i lëvizjes, masë e cila është në fuqi nga ora 21 në mbrëmje deri në orën 5 të mëngjesit.

Zemaj theksoi se qeveria e vendit synon të sigurojë lirinë e plotë të lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave, veçanërisht me Shqipërinë dhe për qytetarët e komunave të Luginës së Preshevës.

Siç njoftoi ministri, në vendkalimet kufitare do të kryhet kontroll i detajuar mjekësor për të gjitha personat që hyjnë në territorin e Kosovës dhe nga ata do të merren të dhëna të hollësishme, të tilla si adresa, numri i telefonit dhe të tjera.

Qytetarëve të Kosovës edhe më tej u kërkohet të vazhdojnë të zbatojnë masat e ndërmarra kundër koronavirusit, si mbajtja e maskave dhe distancimi shoqëror.

“Ne kërkojmë që të respektohen masat kundër koronavirusit, të mbahen maskat dhe të ruhet distanca. I lusim qytetarët, kompanitë, gastronominë, që me përpikmëri të zbatojnë rregullat tona. Mosrespektimi i rregullave konsiderohet një rrezik për shëndetin”, tha Zemaj.

Më 1 janar, Kosova pas dy muaj e gjysmë hapi vendkalimet kufitare në Merdade, Vërmicë, Kullë, Hani i Elezit, Dheu i Bardhë dhe Jarinje. Po ashtu u hapën kopshtet e fëmijëve, restorantet, objektet hotelierike, qendrat tregtare, shërbimet e taksive, si dhe disa aktivitete shkollore dhe universitare.

Sipas IKSHPK-së, aktualisht në Kosovë ka 252 raste aktive të koronavirusit. Deri më tani, në vend janë konfirmuar gjithsej 1.158 raste të virusit, prej të cilëve 876 janë shëruar dhe 30 kanë vdekur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button